#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Iris Luarasi, Dashamir Shehi, Agron Shehaj, Ivi Kaso, Fitim Zekthi, Arbian Mazniku, Florian Haçkaj
“Voton kur vjen zarfi”, Haçkaj tregon planin për votimin e emigrantëve shqiptarë: Synojmë posta private
“Si do të votojmë ne dhe emigrantët”, është kjo tema në të cilën është fokusuar emisioni “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme. Në një lidhje direkte për “Opinion”, përfaqësuesi i lëvizjes “Diaspora e Lirë”, ka treguar si bazohet plani i tyre për votimin e emigrantëve shqiptarë.
Blendi Fevziu: Cili është koncepti që ju keni? Si realizohet?
Florian Haçkaj, Lëvizja “Diaspora e Lirë”: Vendoset data e zgjedhjeve. KQZ më përpara ka plotësuar të gjithë platformën që duhet, ka lajmëruar njerëzit, ka bërë fushatë ndërgjegjësuese, vendoset data nga Presidenti, i lihet kohë qytetarëve që jetojnë jashtë të shprehin dëshirën nga vendbanimet ku jetojnë, pra të pararegjistrohen. Kjo është për të ja lehtësuar shqiptarëve që duan të votojnë.
Blendi Fevziu: Pra, a ju lejohet një periudhë kohore 2-3 mujore që të regjistrohen në KQZ duke treguar dhe vendin ku janë?
Florian Haçkaj: Në momentin që KQZ e plotëson sistemin ku ti bën kërkesën si qytetar, fillojnë verifikimet dhe pastaj kur fillon votimi, ka një periudhë që i lihet diasporës dhe këtë ne e kemi në projektligj të detajuar që kemi dorëzuar në parlament, vjen zarfi, voton, e çon dhe kjo numërohet në KQZ-në qëndrore në një datë të caktuar, ose para, ose pasi ata të mbyllen. Ne kemi një popullsi që gati gjysma është jashtë, Censi i ri do ta tregojë.
Blendi Fevziu: Në këtë klimë të mosbesimit të partive politike, kush jep garanci që këto letra që shkojnë me postë dhe vijnë me postë, nuk kanë frikë që manipulohen?
Florian Haçkaj: Ne synojmë posta private, nuk duam ta ulim poshtë postën shtetërore shqiptare, por është një pozicion politik, partiak. Ne synpjmë posta private, të bëhet në mënyrën më të sigurtë të mundur.
Votimi i emigrantëve/ Mazniku: Është bllokuar nga ana e partizanizmit, por jo nga PS
Ministri Arbjan Mazniku thotë se çështja e votimit të emigrantëve ka vite që është shtruar për diskutim nga Partia Socialiste, por nuk është avancuar për shkak të asaj që ai e quan “partizanizmit”, duke ju referuar partive opozitare.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Mazniku tha se vënia në zbatim e votimit të emigrantëve nuk është bllokuar nga PS.
“Partia Socialiste si forcë politike ka qenë forca që ka propozuar në mënyrë eksplicite vendosjen e parashikimeve në Kodin Elektoral për ta mundësuar, por siç ka ndodhur në mënyrë sistematike ka pasur nevojë që të jenë biopartizane dhe problemi i aplikimit praktik ka qenë problemi që janë bllokuar nga ana e partizanizmit por jo nga PS”.
Megjithatë, Mazniku theksoi se votimi i emigrantëve mund të bëhet, por duhen diskutuar elementë teknikë dhe ligjorë në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Vota e emigrantëve është pjesë e tryezës së famshme të Komisionit për Reformën. Ka elementë ligjorë. Do kemi të bëjmë me një zonë të posaçme elektorale, e cila është e padefinuar. Çështje thelbi është ka nevojë për një seri zgjidhjesh teknike dhe ligjore. Nuk ka asnjë çështje për të cilën nuk ka zgjidhje”, u shpreh Mazniku.
Vota e emigrantëve/ Shehi: Ja vlen të provohet, do të krijojë një frymë tjetër në politikë
Deputeti Dashamir Shehi i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan u shpreh se është pro votës së emigrantëve ku theksoi se kjo gjë ja vlen të provohet edhe pse herën e parë sipas tij nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në rezultat.
Shehi u shpreh se vota e emigrantëve do të krijojë një frymë të re duke qenë se ata jetojnë në një realitet më demokratik se në Shqipëri.
Dashamir Shehi: Unë them që bëhet kjo punë. Unë jam nga ata që e mbroj përdit këtë. A e di pse vlen kjo trupa e ktyre elektorale, është më e kualifikuar se këto në shqipëri, jetojnë në një realitet më demokratik, janë më të pavarur nga ana ekonomike. Nuk kanë presioni. Edhe ajo ideja që mund të blehet dikush nuk blehen si këtu edhe atje se s’ka vlerë. Tani gjithë halli është se si ta bëjmë efektive. Unë jam i sigurtë që do të bëhen 50-60 mijë veta dhe herën tjetër do të bëhen më shumë, pastaj… Po të duan e bëjnë.
Blendi Fevziu: A ndikon në rezultat të zgjedhjeve?
Dashamir Shehi: Unë them që herën e parë nuk ka për të ndikuar, por krijojnë një frymë tjetër se do të fillojnë të interesohen edhe më shumë për realitetin shqiptarë.
Blendi Fevziu: Ne kemi sistem deri tani proporcional rajonal, këto vota ku do të derdhen në cilën nga 12 kazanët e votave?
Dashamir Shehi: Edhe kjo mund të bëhet me zgjedhje, por nga ato vetë. Nga zona që vijnë ku janë të regjistruar. Shumica janë me dy nënshtetësi që e ruajnë nënshtetësinë shqiptare. Duhet të merret kurajo që të bëhet kjo gjë dhe të fillojnë 40 mijë të votojnë. Qeveria është me e organizuar. Shumica e tyre mendojnë më lirë se këtu dhe si njerëz të lirë e kuptojnë që një qeveri që ri 12 vjet nuk mund të rijë 16 vjet në një vend demokracie. Ka shumë faktorë. Ja vlen të provohet. Japin një valencë edhe morale edhe politike.
“E pengon opozita”/ Kaso: Emigrantët tentojnë të regjistrohen, por s’i pranon e-Albania
Ivi Kaso, Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike iu kundërpërgjigj në “Opinion” në Tv Klan Arbjan Maznikut se është opozita ajo që po pengon votimin e emigrantëve. Kaso tha se me reformën e fundit konsensuale në vitin 2016 janë në kod dispozitat që lejojnë votimin, por pengesda ka ardhur pr shkak të mungesës së incentivimit nga ana e qeverisë.
Ivi Kaso: Çfarë e ka penguar? Ka dy parakushte. Parakushti i parë është që kemi që në vitin 2016 një ligj për regjistrimin e shtetasve që janë me banim të përhershëm jashtë vendit që do të thotë shtetasi që presupozohet që do të shprehë dëshirën nesër për të votuar, regjistrohet që është me banim të përhershëm në vendin X dhe në këtë mënyrë regjistrohet në regjistrin e posaçëm dhe i hiqet emri nga lista e gjendjes civile për të votuar në qarkun përkatës. Gjithë aspektet e tjera teknike janë zgjidhur.
Detyrimi i qeverisë nga 2016 është ta popullojë këtë regjistër, t’i incentivojë shtetasit shqiptarë që janë me banim të përhershëm jashtë vendit të regjistrohen, me mekanizmat që çdo mazhdorancë, çdo qeveri ka. Qeveria këtë gjë s’e ka bërë dhe del tani, jemi 8 vjet pas adoptimit të ligjit dhe në vend që të mbajë një minimum përgjegjësie që ka vetëm 18 mijë rekorde nga sa u tha se asnjeri s’ka parë asnjë gjë, 18 mijë rekorde nga më shumë se 1 milionë e gjysmë shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit del pa pikën e turpit dhe ka 8 vjet ka mbushur dynjanë dhe thotë “e pengon opozita” në një kohë kur ka dy nene specifike në Kodin Zgjedhor.
Kaso shton se emigrantët duhet të regjistrohen në e-Albania dhe kanë tentuar, por sistemi i ka refuzuar.
Ivi Kaso: Emigrantët duhet të regjistrohen, por nuk i regjistron qeveria. Unë kam dëgjuar dëgjesën që u bë në Komisionin e Posaçëm që ishte online nëpërmjet ‘Zoom’.
Blendi Fevziu: Ku duhet të regjistrohen?
Ivi Kaso: Duhet të regjistrohen në e-Albania dhe ka dëshmi, të më korrigjojë zoti Haçkaj nëse gaboj, të kolegëve të zotit Haçkaj që thonë emigrantë ose shtetas me banim të përhershëm jashtë vendit, kanë shprehur dëshirën, kanë muaj që tentojnë të regjistrohen në këtë regjistër të bekuar dhe nuk regjistrohen dot se s’ia pranon e-Albania. Tani, opozita e paska fajin edhe për këtë?
Haçkaj: Zgjedhjet e ardhshme antikushtetuese nëse zhvillohen pa votën e diasporës
Florian Haçkaj, përfaqësuesi i lëvizjes “Diaspora e Lirë” është shprehur se nëse në zgjedhjet e ardhshme do të shkohet pa votën e diasporës, ato do të jenë antikushtetuese.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Haçka është shprehur se vota e emigrantëve shqiptarë nuk është çështe politike, por kushtetuese.
Florian Haçkaj: Nuk është çështja a jam pro apo kundër, kjo është çështje jo politike, por ligjore, kushtetuese. Kur flet Gjykata Kushtetuese, në çdo shtet të së drejtës merret dhe zbatohet, sot jemi në tejkalim të këtij afati dhe nëse në zgjedhjet e ardhshme do të shkojmë pa votën e diasporës, të jeni të bindur se do të jenë antikushtetuese.
Në të kundërt, Haçkaj thotë se çështja për votën e emigrantëve do të dërgohet në Gjykatën e Starsburgut.
Florian Haçkaj: Nëse shteti shqiptar do të vendosë që ta bëjë këtë pa votë, do të jetë Strasburgu, por ka edhe përgjegjësi penale për drejtuesit e Parlamentit sipas nenit 81 të rregullores së Gjykatës Kushtetuese nëse nuk zbatohen vendimet.
Dash Shehi: Parlamenti të ketë 100 deputetë, vendi po rrallohet. Berisha-Rama prishën sistemin në 2008
Deputeti dhe kryetari i partisë LZHK, Dashamir Shehi thotë se sistemi elektoral u shkatërrua në vitin 2008 me marrëveshjen që bënë në atë kohë Sali Berisha dhe Edi Rama.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shehi deklaroi se mënyra më e mirë e sistemit elektoral në Shqipëri ka qenë mazhoritar i korrektuar.
“Mënyra më e mirë ishte mazhoritar i korrektuar që kishim deri në 2009. Ishte i pari i vitit ‘92 që vazhdoi deri në ‘96 i cili nuk kishte tavan. Kur ju vendos tavani 40% bëri që disa parti të humbisnin vota, partitë e mëdha shkonin aty-aty, por parti që mund të merrni 8 deputetë, merrnin 5-6. Ne vazhdojmë nëpër lista të njëjtin numër zgjedhësish, por numri real i zgjedhësve është i vogël”.
Shehi foli edhe për futjen në politikë të personave me rekorde kriminale, përfshirjen e të cilëve ua faturoi kryetarëve të partive.
“Banditët partia i fut në listë. Në qoftë se janë futur banditë në politikë janë futur me firmën e kryetarit. Ato që themi banditë e të fortë, nuk janë futur me grushte, me para janë futur. E prishën në 2008 Berisha dhe Rama për të përqëndruar listën te kryetari. Kjo u bë që të kontrollohej edhe partia nëpërmjet listës së deputetëve. Kështu ka ndodhur. U prish sistemi dhe humbi dhe një pjesë e demokracisë. Korrigjohet, ndrysho sistemin. Populli shqiptar të ketë të drejtën përveç partisë të zgjedhi dhe njeriun”.
Dashamir Shehi ngre edhe çështjen e numrit të deputetëve në Parlament, që sipas tij duhet të ulet nga 140 në 100 deputetë.
“Ç’është ky sistem i çuditshëm në një vend kaq të vogël? Ka ardhur dita për të bërë 100 deputetë se vendi po rrallohet. Po ky sistem që e ndan Shqipërinë e vogël në 12 pjesë? Ky është një gjest që s’ka lidhje me Shqipërinë. Jam për sistem kombëtar. Këto bëhen në qoftë se duan të rregullojnë politikën”.
Florian Haçkaj: Opozita ka detyrë të luftojë për votën e emigrantëve, projektligji është gati
Përfaqësuesi i lëvizjes “Diaspora e Lirë”, Florian Haçkaj u shpreh se tashmë është detyrë e opozitës që të luftojë për temën e votës së emigrantëve.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Haçkaj tha se projektligji është gati, por thjeshtë nuk kanë vullnet që ta bëjnë realitet votën e emigrantëve.
Florian Haçkaj: Dy gjëra zoti Fevziu. Ajo që tha zoti Mazniku shkon në një linjë me atë që thashë unë me patronazhimin e diasporës. Është mirë që ata janë të organizuar kanë seli jashtë partie, por ti ke disa nga këto drejtues të PS që sot kanë pozicionin të oficerëve të diasporës dhe paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë diçka totalisht në kundërshtim me ligjin. E dyta ju kam nisur një video të zotit Gjiknuri nga takimi dje në KQZ e thotë me plot gojën nuk ka veprim prapa veprues vendimi i Gjykatës Kushtetues dhe nuk do të ketë as herës tjetër, pra ai e thotë troç që po bëjmë teatër. Ajo është detyrë që tani e opozitës që të luftojë për këtë temë dhe ta mbështesë këtë çështje. Projektligjin e kanë aty gati thjeshtë nuk kanë vullnet që ta bëjnë dhe duan të lëvizin se nuk kanë nga shkojnë.
Ndërkohë Haçkaj u shpreh se diaspora ka mundësinë duke qenë e angazhuar politikisht, të angazhohet në partitë aktuale. Ai gjithashtu theksoi se sipas tij sistemi më i mirë është një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.
Florian Haçkaj: U harrua ajo pjesa se si do të votojë diaspora dhe si do të përfaqësohet. Diaspora ka mundësinë duke qenë e angazhuar politikisht, të angazhohet në partitë aktuale të bëhet alternativë politike vetë për diasporën, por edhe diçka që shkon tek Kushtetuesja. Nuk mundet të ketë Shqipëria me këtë masë diaspore që ka jashtë 5-10 vende në Parlament sepse është antikushtetuese tek pesha e votës, pra një votë shqiptari është një votë shqiptari. Edhe le të ketë edhe figura nga diaspora. Duhet të përfaqësojnë edhe të drejtat e diasporës. I intereson totalisht diasporës ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Blendi Fevziu: Cili është sistemi më i mirë?
Florian Haçkaj: Unë jam për një proporcional kombëtar me lista të hapura ku ti kudo që je nëse sjell votën tënde ajo të marrë peshë.
“Nuk ka zgjedhje në Shqipëri”, Luarasi i kthehet Shehajt: Po pse krijuar parti?
Politikani Agron Shehaj është i mendimit që zgjedhjet në Shqipëri janë thjesht formalitet dhe se pushteti është i kapur. Mirëpo, ky mendim i Shehaj ka shtyrë analisten Iris Luarasi që ta pyesë se pse ka krijuar parti nëse mendon se situata politike është e tillë në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shehaj është shprehur se ka hyrë në zgjedhje sepse mendon se sado i madh të jetë problemi ka gjithmonë zgjidhje teksa ka shtuar se një nga arsyet e vendimit të tij është për t’i dhënë një alternativë shqiptarëve.
Agron Shehaj: Nuk ka zgjedhje në Shqipëri sepse çdo pushtet që ka kapur të gjitha paratë… Kushdo që përdor pushtetin dhe ka kapur totalisht pushtetin dhe kushdo që ka paratë që kanë këta… Nuk ka zgjedhje në Shqipëri.
Iris Luarasi: Po pse krijuat parti nëse situata është kështu, nuk ndryshohet?
Agron Shehaj: Zgjedhjet janë thjesht formale. Hyj sepse mendoj se sado i madh të jetë problemi, ka gjithmonë zgjidhje, e dyta mendoj se ka shpresë që vjen nga alternativa. Sa më i kapur të jetë sistemi, sa më shumë pushtet të kenë, të japim një alternativë që nuk është parë në Shqipëri, për të bërë kontast me modelin e kësaj qeverie. Argumenti që ky është realiteti. Nuk mund të themi që meqë ëshë gjendja kështu, mos ta themi se ndryshe demoralizojmë zgjedhësit. Ka parti politike që futen në zgjedhje edhe pse kanë liderë në burg. Unë them se sistemi është ngritur që zgjedhjet të jenë formalitet. Në Shqipëri ndodh që kryetari i Bashkisë Lushnje u dënua për korrupsion dhe pati zgjedhje të parakohshme. Kandidati i PS fitoi me 65%. Në Kukës, kryetari i PS-së bëri një turp që vuri në siklet të gjithë Shqipërinë, të mëdhenj dhe të vegjël, meshkuj dhe femra dhe prapë PS-ja, i fitoi me 60%. A e kuptoni që zgjedhjet janë thjesht formalitet. Nuk është çështje e sistemit zgjedhor.
Agron Shehaj shpërthen ndaj Maznikut: Me paratë që ke vjedhur fiton edhe një majmun, mos na shit mend, s’ke asnjë zotësi/ Ministri: Je humbës
Ministri Arbjan Mazniku dhe deputeti i PD Agron Shehaj janë përfshirë në një debat të ashpër mes tyre në studion e emisionit Opinion në Tv Klan.
Diskutimi mes tyre ishte fokusuar në fitoren e zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste, për të cilat deputeti Shehaj akuzoi Maznikun dhe Kryeministrin se fitojnë vetëm përmes parave të vjedhura dhe pushtetit.
Nga ana tjetër, Mazniku ju përgjigj akuzave të Shehajt duke thënë se këto deklarata bëhen nga humbësit që nuk pranojnë humbjen.
Arbjan Mazniku: Anatemimi që i bëhet sistematikisht sistemit nga njerëzit që thjesht humbasin, njerëz të cilët garojnë, futen në zgjedhje, humbasin, nuk e shohin dot të vërtetën në fytyrë dhe të kuptojnë që thjesht kanë humbur. Thjesht njerëzit nuk kanë zgjedhur alternativën e tyre politike se nuk i besojnë. Midis një të vërtete të prekshme reale që njerëzit nuk i besojnë se nuk kanë një alternativë të besueshme qeverisëse, në atë moment zgjidhja më e thjeshtë është të demonizojmë sistemin. Zotëria në fjalë ka qenë në fushatë të 2021 shpenzuesi më i madh sipas faqes së Facebook, shpenzuesi më i madh i çdo kandidati individual si shpenzues. Nuk e di sa. Siç dhe ndodh, ishte dhe performuesi më i mirë te gara e PD. Tentativa për të anatemuar sistemin kur thjesht je humbës, është një nga ata që në Amerikë quhen humbësa që s’dinë të pranojnë humbjen.
Agron Shehaj: Mazniku ka shumë të drejtë që të vijë të japi leksione të thotë ju humbët kështu që pranoni humbjen, edhe duke shitur dhe mend duke na treguar teori këtu. Me paratë e Maznikut fiton kushdo, me paratë që ka Mazniku dhe përdor në fushatë elektorale fiton edhe një majmun. Një majmun ta marrësh t’i japësh paratë që ka përdorur Mazniku në zgjedhjet e fundit në 2021, fiton. Edhe me pushtetin që ka. Kur flet Mazniku sa kam harxhuar unë në Facebook, unë mund të kem harxhuar 10 mijë Euro një gjë e tillë. Mazniku duhet të na thotë, PS ka një hiprokizi thotë që ka deklaruar 1.5 milionë. E di kushdo që ju keni harxhuar dhjetra miliona Euro dalë nga ju, përveç atyre që kanë dalë nga oligarkët tuaj. Ju vetëm për këtë duhet të ishit në burg. E di kushdo, e di SPAK, e dinë ndërkombëtarët, e dinë gjithë shqiptarët. Dhe mos na shit mend ne këtu se nëse ke fituar, ke fituar me para, nuk ke asnjë aftësi, asnjë zotësi. Thjesht ke vjedhur dhe me paratë që ke vjedhur ke blerë zgjedhjet edhe je aty ku je. Dhe keni 3 mandate që jeni aty dhe i keni kthyer zgjedhjet në nëj formalitet. Kështu që mos na shit shumë mend.
“Mundësia e rrotacionit ekziston”, Zekthi: Sistemi zgjedhor proporcional kombëtar më i miri për Shqipërinë
“Unë mendoj që mundësia që të bëhet rrotacioni ekziston, nëse ka një alternativë serioze”, kështu u shpreh analisti Fitim Zekthi sa i takon rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2025.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Zekthi u shpreh se kjo gjë është e mundur nëse opozita arrin të përtërihet dhe të bëjë alenacë me njerëzit.
Fitim Zekthi: Unë mendoj që mundësia që të bëhet rrotacioni ekziston, nëse ka një alternativë serioze. Besoj se shqiptarëve duhet t’ju thuhet që një opozitë serioze, me një sistem zgjedhor të mirë mund t’ja dalë. Ja kanë dalë në Tajlandë. Është e mundur nëse opozita arrin të gjenerohet, përtërihet dhe bëjë alenacë me njerëzit, të bëhet e mirë.
Ndër të tjera sa i takon sistemit zgjedhor Zekthi u shpreh se sistemi më i mirë për Shqipërinë në këto kushte që jemi është ai proporcional kombëtar me listë të hapur.
Fitim Zekthi: Sistemi zgjedhor më i mirë në këto kushte që jemi është ai proporcional kombëtar me listë të hapur. Do të doja një sistem maxhoritar, por ata i përkasin vendeve të mëdha dhe kryesisht atyre anglosaksone. Sistemi zgjedhor përcakton se çfarë partish do të kesh dhe nëse ke sistem maxhoritar do të kesh sistem dypartiak nëse ke sistem proporcional do të kesh sistem shumëpartiak. Sa më proporcional sistemi aq më shumë parti ka.
Zekthi theksoi se që një sistem zgjedhor të bëjë dy gjëra që të përfaqësojë në mënyrë të drejtë zgjedhësit dhe duhet të prodhojë një qeveri të efektshme që të mos bjerë.
Fitim Zekthi: Zgjedhjet duhen parë si një instrument demokracie, që prodhon qeverisje efikase dhe të qëndrueshme dhe nuk duhen parë si instrument që përfaqëson territore, para apo pushtet. Histori ka treguar se sistemi më i mirë për Shqipërinë tonë duhet të jetë proporcional kombëtar me lista të hapura sepse sistemi zgjedhor duhet të bëjë dy gjëra: të përfaqësojë në mënyrë të drejtë zgjedhësit dhe duhet të prodhojë një qeveri të efektshme që të mos bjerë.
/tvklan.al