Opinion-Si ndodhi skandali me turistët spanjollë?

Opinion-Si ndodhi skandali me turistët spanjollë?

Autori: Blendi Fevziu

20:43 05/09/2019

Të ftuar në Opinion:

Auron Tare, Iva Tiço, Blendi Klosi, Elton Qyno, Enrik Mehmeti, Kujtim Cakrani, Belind Kelliçi, Ermal Hasimja, Merxhan Daci dhe Anxhela Ruçi.

Avokati: Kokëdhima nuk ka patur faj, spanjollët u ngritën pa asnjë shkak

Kujtim Cakrani, avokati i cili e mbrojti Mihal Kokëdhimën deri në dhënien e masës së sigurisë, thotë se klienti i tij është hedhur instiktivisht para makinës së turistëve dhe e theu xhamin e tyre me celular për t’u mbajtur.

Duke folur mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion”, për ngjarjen e bujshme ku pronari i restorantit “Panorma” sulmoi turistët spanjollë, Cakrani tha se klienti i tij nuk ka pasur faj.

Cakrani tregoi fillimisht versionin e ngjarjes, nga momenti që turistët spanjollë dhe grupi i shoqëruesve shqiptarë shkuan tek lokali i Kokëdhimës në Porto Palermo dhe u larguan pak minuta pasi kishin porositur ushqimin.

“Është i vërtetuar tashmë se grupi i shoqëruesve, shqiptarët që kanë shoqëruar kanë shkuar, kanë porositur, ashtu siç shqiptarët bëjnë edhe pazare të ndryshme që ata kanë ikur, janë larguar pa paguar. Atëherë, kanë shkuar kanë porositur aq sa deshën, ua ka treguar edhe peshkun, të cilin ai e tregton, e kanë zgjedhur. Ndërkohë janë ulur në tavolinë, ka shkuar kamarieri i ka marrë menunë për gjërat e tjera që do të konsumoni drekën, ndërkohë ishin duke pritur që të përgatitej peshku. Pas disa minutash, këta ngrihen, pa asnjë shkak. Unë marr përgjegjësinë të flas për anën ligjore, çfarë ka ndodhur. Këtu kemi një problem shumë të madh që unë si avokat kam konstatuar”.

“U ngritën dhe kanë dalë jashtë dhe po shkonin për tek makina. Kokëdhima kishte parë te tavolina që nuk ishin dhe del jashtë. Del para furgonit dhe lajmëron policinë. Ndërkohë këta ndezin makinën dhe i japin gaz. Ai instiktivisht është hedhur para, sepse ata do ta shtypnin me makinë dhe kjo ka qenë e gjithë arsyeja përse ai u gjet tek kofanoja e makinës. Ndërkohë ai u thoshte, ndaloni çfarë keni”.

Sipas avokatit, Kokëdhima e godiste xhamin e makinës me cepin e celularit në mënyrë që të kapej.

“E godiste makinën jo me grusht, por me cepin e celularit te xhami sepse nuk kishte mundësi ku të kapej. Sepse në momentin që mund të binte në shesh, sepse nuk shikojmë pjesën tjetër ne, që nëse ai do të binte mund të ishte shkaktuar një tragjedi. Dhe në moment thotë ndaloni makinën se po bie. Dhe po ta vesh re, ka vënë dorën tek kroskoti dhe është mbajtur. Këta zotërinjtë kanë ecur 3 klilometra e gjysmë nga vendi ku është restoranti, deri në Qeparo”.

“Kjo është arsyeja që policia nuk e zbardhi, pjesën se pse ju zotërinj nuk ndaluat, sepse mund të ndodhte një tragjedi tjetër, mund të ishte shtypur”, tha avokati Cakrani i cili i hodhi poshtë pretendimet e turistëve se kanë ndaluar disa herë që Kokëdhima të zbriste. “Jo jo, nuk kanë ndaluar asnjëherë”.

Avokati tha më tej se Kokëdhima ishte i pari që kishte shkuar në polici.

“Kokëdhima nuk ka pasur faj. Ai ka shkuar vetë në komisariat për të bërë denoncim për këta. Dhe më pas janë thirrur turistët dhe pas 4 orësh është ndaluar. Problemi qëndron këtu, çështja nuk u hetua. Është shumë e rëndë natyrisht kjo që ka ndodhur, është shumë e rëndë. Fakti që ka ndodhur thyerja e xhamit, goditja me anë të celularit, ka qenë vetëm për vetëmbrojtje, që ai të mos të binte.

“Ka qenë përpara makinës duke telefonuar policinë, ndërkohë këta zotërinjtë i japin gaz makinës, ai instiktivisht është hedhur para. Gjithë skena ka qenë e tillë, se nuk ka asnjë njeri të çmendur që makina të ecë dhe të hidhet si Rambo para makinës, nuk ka logjikë, nuk ka kuptim”.

“Djali ishte akoma me bluzën e grisur, zotëria ishte i çarë në buzë”

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, foli mbrëmjen e kësaj të enjte në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, për takimin që ai pati me turistët spanjollë, një ditë pasi ata ishin sulmuar nga pronari i restorantit “Panorma” Mihal Kokëdhima.

“I takova që të nesërmen në mëngjes, ishin të shokuar, megjithatë babai ose kryefamiljari ishte më i qartë, ishte më i qetë. Ajo ngjarje ishte aq e rëndë… ata ishin të shokuar nga ngjarja, megjithatë u kthye e gjitha në një moment si të thuash reagimi shoqëror dhe të institucioneve. Djali kur e takova unë ishte akoma me atë bluzën e grisur, që ia kishte grisur zotëria (Mihal Kokëdhima) dhe familja ishte e shqetësuar, kryefamiljari ishte i dëmtuar në fakt, ishte i çarë në buzë, ishte…pra kishin kaluar një natë shumë të vështirë. Pastaj situata ndodhi ndryshe”, tha Klosi.

Ministri tha se “Familja tani dhe zotëria, siç e tha edhe vetë, thotë që ‘unë jam tani një ambasador i Shqipërisë’, për mënyrën si të gjithë reaguan.”

Klosi tha se ata ndaluan në atë lokal edhe nga gjithë dita e bukur dhe mikpritja e të gjithë njerëzve. “Edhe ata vetë e pranonin se ishte një moment i paimagjinueshëm i këtij personazhi…”

Çfarë trajnimi kanë guidat shqiptare?

Grupi i turistëve spanjollë, të cilët u sulmuan nga pronari i restorantit “Panorma” në Porto Palermo shoqërohej nga një guidë shqiptare. Por çfarë trajnimi kishte kjo guidë dhe sa të trajnuara janë guidat shqiptare për të mirëpritur dhe shoqëruar turistët e huaj? Në një reagim të ardhur në telefonin e gazetarit Blendi Fevziu, mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, pronari i agjencisë që kishte trajtuar turistët spanjollë shprehej:

“Guida është me 3 gjuhë të huaja dhe i certifikuar nga Ministria e Turizmit. Shoferi punon prej 5 vjetësh tek kompania dhe është i trajnuar për shoqërim VIP-ash.

Por ish-kreu i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare tha se në përgjithësi guidat që janë licencuar, janë vlerësuar nga një Komision që nuk kishte punuar ndonjëherë si guidë.

“Para dy-tre vjetësh është bërë një licencim i guidave, unë jam marrë me guidat, ka 15 vjet. Në përgjithësi guidat që janë futur, Komisioni që i mori në pyetje, në testim nuk ishte komisioni i duhur, sepse edhe vetë ata nuk kishin punuar ndonjëherë si guida turistike”.

Hasimja: Nuk na duhet ministri, por një zyrë që të sjellë gazetarë të huaj

Analisti Ermal Hasimja është i mendimit se Shqipëria nuk ka nevojë për Ministri Turizmi dhe sipas tij, mjafton vetëm një zyrë, detyra e vetme e së cilës është të sjellë gazetarë të huaj dhe t’i shëtisë.

Nuk e kam Zotin Klosi, se Zoti Klosi në fakt po mban peshën e sektorëve të tjerë. Nga pikëpamja ime s’ka nevojë fare për Ministri Turizmi, mjafton një zyrë, detyra e vetme e së cilës është të sjellë gazetarë të huaj këtu dhe t’i shëtisë, mundësisht jo në Gusht, në ato pika të bukura që kemi ne dhe t’i shmangë nëse ia del dot nga kazanët e plehrave. Në rastin konkret, personal të Zotit Klosi, mendoj se ka bërë jashtëzakonisht mirë që ka shkuar me lulet, unë vetë kur e kam pa videon jam ndjerë shumë mirë. Mendoj që ne do të kishim bërë namin, edhe këtu në studio, ndaj Zotit Klosi, nëse nuk do kishte shkuar, sepse do i thonim pikërisht çfarë ke bërë si Ministër i Turizmit. Thashë që zoti Klosi është duke mbajtur këtu edhe peshën e ministrive të tjera që skanë lidhje në rastin konkret. Turizmin në Shqipëri e shkatërrojnë 700 gjëra të tjera, të cilat janë super ta akumuluara, përfshirë edhe faktin që ai zotëria aty ka shkuar dhe ka ndërtuar në atë zonë”, tha ai në “Opinion”.

Hasimja tha se masakra më e madhe që i është bërë sot turizmit në Shqipëri, është betonizimi.

Sot në çdo cep të Shqipërisë që të shkosh, po të futesh në det, kur të dalësh dhe të jesh me fytyrë nga bregu t’i do të shohësh vetëm beton. Është masakra më e madhe që i është bërë sot turizmit në Shqipëri. Dhe cila është pasoja kryesore e kësaj, këtu mund të vijnë edhe 50 milionë turistë, do vijnë vetëm ata turistë fukarenj, një pjesë e të cilëve janë polakë që i marrin domatet dhe kastravecat me vete për të kursyer këtu.

Klosi: Deti Jon për turizëm elitar, Adriatiku familjar

Mbrëmjen e së enjtes në “Opinion”, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, njoftoi edhe strategjinë e re të qeverisë që Detin Jon ta kthejë në destinacion të turizmit elitar, ndërsa Adriatikun të atij familjar.

Ne nuk e kemi të fshehtë që duam që jugun ta bëjmë plazh elitar, pra që do të thotë se Shqipëria nuk mund të jetë një destinacioni i lirë i rajonit. Nëse ne kemi një problem, edhe me numrin e shtimit të turistëve, pra që mund të shkojmë me vështirësi drejt numrit 10 milionë turistë, por ama nëse ne nuk arrijmë të kuptojmë që duhet të rrisim cilësinë e hoteleve, cilësinë e shërbimit, të gjitha këto janë kosto, që turistët e huaj të paguajnë. Nëse nuk ka pagesë, me çfarë do të mbahet guida, shezlloni, pastërtia, ushqimi, të gjitha janë kosto? Në strategjinë e Turizmit të miratuar në qeveri tashmë këtë vit, ne e kemi ndarë në dy zona të mëdha të paktën, Adriatikun dhe Jonin. Nëse  Jonin duam ta bëjmë turizëm elitar, duhet të kuptojmë që kemi nevojë për infrastrukturë, hoteleri më të shtrenjtë dhe më të mirë. Ndërsa Adriatiku të jetë më familjar, sepse vetë natyra e bregdetit Adriatik krijon mundësi për më tepër turizëm familjar dhe më shumë.

Ministri tha se një ndër problematikat më të mëdha të turizmit në vendin tonë është mosshfrytëzimi i turizmit të detit.

Ne kemi pothuajse zero turizëm nga deti, detin nuk e shfrytëzojmë fare. Nëse duam që të ndryshojmë lojën, duhet të ndryshojmë rregullat e lojës.” 

Gazetari: Shumë turistë kanë vjedhur

Gazetari Enrik Mehmeti duke folur për turizmin në Shqipëri tha se ka nga ata turistë që edhe vjedhin.

“Unë vij nga një qytet bregdetar si Vlora, me shumë turistë, sidomos italianë. Por ka raste që turistët kanë vjedhur, madje gjëra më të çuditshme. Edhe pirunj kanë marrë turistët italianë, por ai pronari e la dhe na solli neve video. Napolitanët kanë kërcënuar pronarët dhe punëtorët e restoranteve, por e kanë menaxhuar me qetësi… Ndaj them se ka nevojë për trajnim”, tha gazetari Enrik Mehmeti.

Pjesa III-15 vjet nga vrasja e Gramoz Palushit

Blendi Fevziu:Në pjesën e tretë, me historitë e së enjtes në “Opinion”, do të rikthehemi prapa në kohë, do të rikthehemi 15 vjet më parë, është kjo ndeshje e famshme e ekipit të Shqipërisë më 4 Shtator të vitit 2004, kur Greqia vinte si Kampione e Europës në fuqi. Shqipëria me një skuadër më modeste, arriti të marrë një fitore 2 -1 në Stadiumin “Qemal Stafa”, duke ndezur një nga festat spontane ndoshta më të mëdha, që unë mbaj mend në këto 40 vitet e fundit, një hare e jashtëzakonshme që u shtri përtej Tiranës, kudo ku kishte shqiptarë. Kjo festë u përcoll edhe aty ku kishte emigrantë shqiptarë, njëri prej të cilëve, i quajtur Gramoz Palushi, doli me flamurin shqiptar për të festuar në Kretë, por një grup grekësh, e goditën me thika dhe ai humbi jetën duke festuar”. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:43 05/09/2019
UKT