#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Esmeralda Kolaneci, Ardit Bido. Në lidhje direkte: Ilir Ikonomi

“Dëshmitë na tregojnë për fenomene kanibalizmi”, Ardit Bido: Shkodra ishte në krizë humanitare të tmerrshme

Në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë emisioni “Opinion” në Tv Klan iu kushtua tërësisht të kaluarës, ngjarjeve historike të rëndësishme që i paraprinë pavarësisë si edhe ngjarjet më të rëndësishme pas shpalljes së saj.

Dy nga ngjarjet më të rëndësishme ishin vrasja e Hasan Riza Pashës dhe dorëzimi i Shkodrës, për të cilat njihet si shkaktar Esat Pasha. Por Ardit Bido shprehet se kjo e fundit nuk mund t’i tariforet Esat Pashës pasi dorëzimi i saj ishte çështje kohe. Ai madje tregon disa detaje rrëqethëse për situatën e Shkodrës të asaj kohe.

Ardit Bido: Kur tregojmë historinë harrojmë të tregojmë historinë sociale. Shkodra ishte në një situatë të një krize humanitare të tmerrshme dëshmitë e kohës na tregojnë deri në fenomene kanibalizmi na tregojnë mungesë totale ushqimi. Na tregojnë mungesë uji. Dorëzimi i Shkodrës, e dinte, se dinte Esat Pasha ishte çështje e kohës. Për mua Esat Pasha është figurë e zezë e historisë sonë kombëtare, por akuzat janë të paqena. Esati nuk mund të akuzohet për Shkodrën, e ka mbrojtur deri në datën 22. Në çastin kur u vendos nga ndërkombëtarët se Shkodra do i kalonte Shqipërisë të tjerat ishin kot. Mbrojtja e Shkodrës dhe Janinës nuk është krenaria jonë kombëtare. Mbrojtja e Shkodrës dhe Janinës është  bërë nën flamurin osman.

Blendi Fevziu: Nga gjeneral osman, është e vërtetë.

Ardit Bido: Nën flamurin osman. Nuk mblodhi rreth vetes fuqinë e nacionalitetit shqiptar. Shkodra rrezikoi të  binte jo prej malazezve, por prej faktit se shqiptarët kryesisht katolik dolën në krah të  Malit të Zi në këtë betejë, sepse jo me  kërkesë antishqiptare, por me kërkesë që Shkodra t’i përkiste Shqipërisë dhe jo perandorisë osmane. Dhe vetëm në fund vetëm me ndërhyrjen e Abatit të Rrëshenit kalohet dhe dakordësohet që të ngrihet flamuri shqiptar dhe jo ai osman, ndërkohë Janina u la në mëshirë të fatit ndërkohë që Janina do ishte pjesë e Shqipërisë, nëse do i ishte dhënë pesha e fuqisë së nacionalitetit shqiptar që kishte nisur në Rilindjen Kombëtare. U mbrojtën të dyja nën flamurin osman./tvklan.al