#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

SPAK dhe antimafia italiane kanë deklaruar një operacion në shkallë të gjerë që është zhvilluar gjatë orëve të natës me mbi 50 urdhra arresti, të cilët ishin pjesë të një grupi të trafikimit nga Amerika Latine drejt Italisë me shtrirje e kontroll në vende të tjera të Europës. Bëhet fjalë për një prej grupeve më të mëdha i dokumentuar që siç u shpreh kreu i SPAK dhe drejtuesi i Antimafias italiane, paratë e të cilit vinin me mjetet e transportit të pasagjerëve apo të mallrave drejt Shqipërisë ku më pas investoheshin. SPAK dhe antimafia italiane kanë sekuestruar një numër mjaft të madh asetesh në miliona euro, mes të cilëve edhe një televizion në pronësi të njërit prej trafikantëve.

Operacioni “Ura”, Klodiana Lala: U gjetën 3 milionë Euro të groposura në oborrin e banesës së të akuzuarit

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë më shumë detaje lidhur me operacionin ndërkombëtar i quajtur “Ura” që u zhvillua në Shqipëri e Itali, i cili ka goditur një grup të fuqishëm kriminal me bazë në zonën e Shijakut, që merrej me trafikim të drogave të forta e pastrim parash.

Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Lala e ka quajtur operacionin e zhvilluar si një nga goditjet më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme që nga nisja e funksionimit të saj.

“Unë nuk do ta quaj një grupim kriminal, por do ta konsideroja një nga goditjet më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme që nga nisja e funksionimit të saj në këndvështrimin tim. Ideja është që unë do ta konsideroj organizatë kriminale se ka të bëjë me një grupim kryesor dhe disa nëngrupime. Nuk janë përdorur vetëm përgjimet e Sky Ecc apo EncroChat në këtë rast janë edhe tre bashkëpunëtorë të drejtësisë, një ndër të cilët edhe Nuredin Dumani, i cili ka folur për herë të parë atëherë kur nuk ishte zbërthyer Sky Ecc në lidhje me aktivitetin e këtij grupimi. Janë disa personazhe kryesorë që konsiderohen…”, thekson gazetarja


Gazetarja Lala shprehet se në oborrin e banesës së një prej personazheve kryesore në grupin e Durrësit që u godit nga ky operacion një vit më parë është gjetur e groposur një shumë prej 3 milionë Euro kesh.

“Kush janë personazhet kryesor në grupin e Durrësit? Bëhet fjalë për Elvis Doçin, i njohur si Visi i Pojës, i cili e shoh në dosjne hetimore si figura qëndrore, pra grosisti kryesor. Jeton në Durrës. Në oborrin e një prej banesave të tij është gjetur shuma prej 3 milionë Euro kesh vitin e kaluar. Është gjetur e groposur. Është fakt!”, shprehet gazetarja Lala.

Ndërkohë në kuadër të operacionit “Ura”, janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri e Itali, prej të cilave 40 janë ekzekutuar. “Ura” u finalizua në orët e para të kësaj të mërkure, si rezultat i një hetimi të zhvilluar me skuadër të përbashkët hetimore mes SPAK dhe prokurorisë italiane. 21 prej masave të sigurisë u lëshuan në Shqipëri.

“Grupet lokale italiane, klientë të mafias shqiptare”, Fatjona Mejdini: Ja dy rrugët nga kalonte droga

Megaoperacioni i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me organet e akuzës në Itali, ka një diskutim të gjerë për funksionalitetin dhe rëndësinë që kanë grupet shqiptare të mafias në shtetin fqinjë.

Gazetarja Fatjona Mejdini, e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka dhënë detaje se cilat ishin dy rrugët kryesore e kalimit të lëndëve narkotike.

Rruga e parë ishte ajo e kokainës, me origjinë nga Amerika Latine, e cila kalonte më pas në disa porte kryesore të Evropës dhe përfundonte në Puglia.

Rruga e dytë ishte ajo e heroinës, nga Turqia drejt Portit të Durrësit. Më pas ky “mall” kalonte drejt Italisë.

Mejdini: Janë dy rrugë kryesore se nga vinte droga. Rruga e kokainës, e cila vjen nga Amerika Latine drejt Gjermanisë, porteve të Gjermanisë, Holandës apo Belgjikës. E më pas nga aty me makina çohej në Puglia për t’u shpërndarë për tregun lokal. Është e rruga e dytë, rruga e heroinës. Ajo që vjen në Shqipëri, përmes rrugës Ballkanike. Vjen nga Turqia e më pas futet në vendin tonë dhe shkon pastaj nga Porti i Durrësit në Itali. Pra, ka një element shumë të veçantë, shumë interesant. Ne zakonisht flasim për grupe shqiptare në trafikun e kokainës. Në këtë rast ne e gjejmë me dy nga drogërat më kryesore për sot në Evropë, madje me tre se ishte dhe kanabisi. Me kokainën, që thamë se vjen nga Amerika Latine, vjen në portet kryesore e më pas shpërndahet në Itali e tregjet e tjera të BE-së, e me heroinën, e cila siç thamë futet nga Turqia.


Përveçse rrugëve të trafikut të drogës në tonelata, gazetarja cilëson një detaj për mafian shqiptare. Kjo e fundit, siç cilëson Medini, është bërë mjaftueshme e fuqishme që grupet lokale të Barit të furnizohen me lëndë narkotike tek mafia shqiptare.

MejdiniDuhet të sjell vetëm një element, e për ta thjeshtëzuar paksa skemën. Ajo që Prokuroria e Barit i shkoi pas, ishte një grup, ishte një celulë në fakt. Ishte një celulë, shqiptarësh, e cila operonte në Bari. Përmes përgjimit të kësaj celule, u kuptua që furnitorët e kësaj celule, janë pikërisht grupet që Klodi flet. E është një grup i strukturuar kriminal, i cili ka pasur pozicione shumë të mira duke qenë grosistë në portet kryesore të Evropës, arrinte e transportonte kokainë dhe përmbushte nevojat e zonës së Puglias me kokainë. Tani, kjo vjen… Është e një lloj absurditeti tjetër. Ne po flasim për jugun e Italisë. Po flasim për Puglian, për zona ku ka qenë historikisht mafia prezente. Si është e mundur që grupet shqiptare arritën të përmbushin nevojat lokale të Italisë, me kokainë, me heroinë dhe me kanabis? Kjo është vërtet si të thuash një avancim.

FevziuPo duhet të jenë dhe grupet italiane…

MejdiniJanë edhe ato. Në fakt dosja, prej 1353 faqesh, jepte edhe këtë lidhjen simbiotike midis grupeve. Jepte se si bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Nuk është gjë e vogël kjo që ka ndodhur me grupet shqiptare, që në tokën e mafias të shkosh edhe grupet italiane lokale ta kenë interesin që të japin atë “OK” që ti të vazhdosh të punosh, në mënyrë që dhe ata të forcojnë. Domëthënë, grupet lokale të Barit, janë klientë sot të mafias shqiptare. Domëthënë e dosja e tregon këtë fare qartë. Unë këtu mendoj që është shumë e rëndësishme për ta parë.

Klodiana Lala: Këto janë tre figurat qëndrore të bandës me bazë në Durrës

Gazetarja Klodiana Lala teksa po fliste për operacionin ndërkombëtar “Ura” ka zbuluar sipas saj, tre figurat qëndrore të bandës së Durrësit.

E ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Lala shprehet se grupi kryesor me bazë në Durrës është grupi i Xhevdet Troplinit, i njohur ndryshe me nofkën ‘Poja’.

“Grupi kryesor me bazë në Durrës që është grupi i Xhevdet Troplinit, i njohur ndryshe me nofkën ‘Poja’ është i përfshirë kryesisht në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike, fillimisht heroinë sepse në 2005 është arrestuar për heroinë dhe më pas, pasi kreu dënimin është liruar dhe nuk është arrestuar më që nga ajo kohë. Të paktën në dhjetë vitet e fundit dyshohen për trafikimin e tonelatave të kokainës”, shprehet Lala.

Sipas Lalës tre figurat kryesore të kësaj bande janë Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, Indrit Tafilaj, nipi tjetër i Xhevdet Troplinit, si dhe Erind Lasku, i cili është i martuar me mbesën e Troplinit.

“Kush janë personazhet kryesor në grupin e Durrësit. Bëhet fjalë për Elvis Doçin, i njohur si Visi i Pojës, i cili e shoh në dosjen hetimore si figura qendrore, pra grosisti kryesor. Jeton në Durrës. Në oborrin e një prej banesave të tij është gjetur shuma prej tre milionë Euro kesh vitin e kaluar. Është gjetur e groposur. Është fakt ai dhe e kemi thënë këtu në emisionin tuaj.

Personazhi tjetër është nipi tjetër i Xhevdet Troplinit, Indrit Tafilaj,  i cili po ashtu është një personazh kryesor i panjohur për publikun. Unë e  kam hasur në disa dosje të tjera shkarazi, jo në mënyrë direkte dhe ai rezulton si një figurë qëndrore dhe personi i tretë që edhe ky është i lidhur me pjesën e trafikut të drogës, pra dyshohet për të gjithë furnizimin e nëngrupeve të tjera siç i quan prokuroria kryesisht në Itali, por edhe në vende te tjera si Gjermani, Holandë e tjerë, ndërkohë furnizimi bëhej nga Ekuadori.

Erind Lasku që është i martuar me mbesën e Xhevdet Troplinit, ai rezultonte personazhi kyç që bashkëpunonte me të gjithë shoqëritë e transportit të udhëtarëve dhe vinin 100 milion Lekë në javë nga Italia përmes shoqërive të transportit”, thekson gazetarja.


Ndërkohë në kuadër të operacionit “Ura”, janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri e Itali, prej të cilave 40 janë ekzekutuar. “Ura” u finalizua në orët e para të kësaj të mërkure, si rezultat i një hetimi të zhvilluar me skuadër të përbashkët hetimore mes SPAK dhe prokurorisë italiane. 21 prej masave të sigurisë u lëshuan në Shqipëri.

/tvklan.al