Opinion: Tahiri, fajtor apo i pafajshëm?

Posta

Opinion: Tahiri, fajtor apo i pafajshëm?

Autori: Blendi Fevziu

20:07 19/09/2019

Të ftuar në Opinion: Armand Shkullaku, Mustafa Nano, Andi Bejtja, Anila Basha Artan Hoxha dhe Klodiana Lala.

Vendimi për Tahirin, çfarë po ndodh në gjykatë?

Trupi gjykues është tërhequr që prej orës 11:40 minuta për të marrë vendimin për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Por kur ora ka kaluar 21:30, trupa gjykuese vijon të jetë brenda Dhomës së Këshillimit, në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Opinion”, gazetari i Tv Klan, Ermal Vija tha se nga kontakti që kishte pasur me avokatin mbrojtës dhe vetë ish-Ministrin Tahiri, treshja e gjyqtarëve pritet që të shprehet me një vendim të zbardhur, pra të arsyetuar. Kjo, sipas Vijës, mund të jetë dhe një prej arsyeve përse treshja e gjykatësve ka marrë kaq shumë kohë për të dalë në një vendim.

“Janë 3 akuza, ajo e grupit të strukturuar kriminal, veprime në kuadër të këtij grupi dhe jo ajo e korrupsionit të lartë, që ka rënë. Për këto 3 akuza, tre gjyqtarët e çështjes do të zbardhin vendimin, pra do të thonë vendimin e arsyetuar. Kjo është dhe një nga arsyet përse ata janë vonuar aq gjatë për të dhënë një vendim”.

Gjyqtarët që ndodhen aty kanë kontakte me persona të tjerë? Informacionet ishin që janë krejtësisht të izoluar.

“Në momentin që treshja e gjyqtarëve tërhiqet në dhomë këshillimi për të dhënë një vendim, nuk kanë asnjë kontakt me asnjë person”.

Ju thatë që dikush ju ka thënë që po mundohen të arsyetojnë vendimin, nga ka dalë për sa kohë gjyqtarët vetë nuk kanë asnjë komunikim?

“Unë kam arritur të komunikoj qoftë me vetë avokatin mbrojtës Maks Haxhia, i cili më ka komunikuar që një nga arsyet përse po vonon kaq gjatë, mund të jetë që ata të shfaqen me një vendim të zbardhur, ku të argumentojnë për 3 akuzat, cilat qëndrojnë dhe cilat jo”.

Ka një ide të përafërt nëse do të jetë brenda ditës së sotme apo mund të shtyhet vendimi?

“Vendimi duhet të jepet brenda orës 24:00, pra brenda ditës së sotme, pasi vetë gjyqtari Ardit Mustafarai, në kohën kur është tërhequr për të marrë vendimin është shprehur që ky vendim do të jepet pas orës 16:00”.

Reagon Tahiri: Më jepni kohë ta përtyp vendimin, prisni deri nesër

Në dalje nga Gjykata për Krimet e Rënda, Saimir Tahiri kërkoi kohë për të përtypur vendimin e 3 gjyqtarëve, të cilët përfundimisht vendosën ta dënojnë ish-ministrin me 3.4 vjet shërbim prove.

“Gjykata më tha që nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por meqenëse disa kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim, kam shpërdoruar detyrën. Më lini ta përtyp pakSepse as qesh dot, as qaj dot, por nesër po ju ftoj që të ndajmë bashkë disa mendime. Po ku di unë, mu duk një gjë tipit, je i pafajshëm, por s’kemi këllqe të ta themi. Prisni deri nesër, unë nesër do të komunikoj me mediat”.

“Dy vjet jam hetuar si pjesë e një grupi kriminal që kam bërë trafik droge, sot gjykata thotë jo nuk e ke bërë këtë, nuk je as pjesë e grupit kriminal, nuk je as trafikant, nuk ke ndihmuar në trafik droge, nuk ke bërë trafik droge. Po me aq sa dëgjova dhe arrita të kuptoj, meqë kushërinjtë paskan përdorur emrin tim, unë kam shpërdoruar detyrën. Çfarë t’ju them, Zoti ju ruajt dhe juve, mos iu përdortë njeri emrin se e hëngrët.

Kjo tha Tahiri është vetëm maja e betejës, duke refuzuar që ta konsiderojë fitore vendimin e sotëm të gjykatës.

“Unë nuk konsideroj asgjë fitore, kjo është vetëm maja e betejës time. Po prisni deri nesër, edhe mua më duhet kohë ta kuptoj këtë që ndodhi. Më la pa fjalë sesi gjykata më quajti mua përgjegjës për shpërdorim detyre, përse disa kushërinj të mi përdorën emrin tim. Duhet të gjej edhe unë një shteg sesi ta lexoj vendimin e gjykatës, sepse e kam të pamundur sot”.

Më duhet ta kuptoj, është si të shkosh në një provim, mësuesja të të thotë që ke mësuar shumë mirë, po hajd po të vej një 5″.

Ish-Ministri e cilësoi vendimin e gjykatës qesharak, ndërsa tha se do ta apelojë atë.

“Do të ishte shumë më fisnike ta kishin bërë si burrat të më dënonin për trafik dhe t’i binin shkurt, kështu është edhe qesharake”.

Duart e shtrënguara, lutje ndaj Zotit apo emocion?

Interesit të gazetarëve nuk u shpëtoi edhe një detaj që kishin vënë re tek ish-Ministri Saimir Tahiri në sallën e gjyqit.

Një prej gazetareve e pyeti Tahirin se përse i mbante duart e shtrënguara gjatë kohës që u njoh me vendimin e gjykatësve, që e dënuan përfundimisht me 3.4 vjet shërbim prove, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.  

Gazetarja: Në kohën që gjykata po lexonte vendimin ju pa reshtur mbanit duart e shtrënguara me njëra-tjetrën, në fakt po luteshit, apo ishte për shkaqe emocionale?

Saimir Tahiri: Unë Zotit i lutem vetëm për familjen time dhe për shëndetin tim, nuk i lutem për gjëra që i kam në dorë vetë, kështu që nuk po lutesha, nuk e di përse i kam mbajtur duart ashtu.

Nano: Tahiri është masakruar nga ne

Bejtja: Po mos të ishin amerikanët ndoshta Tahiri nuk do të dënohej

Analistët Andi Bejtja dhe Mustafa Nano, kanë komentuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ata thanë se me aq prova sa kishte prokuroria, ky vendim ishte i pritshëm.

Unë e prisja pak a shumë këtë vendim. Ka dy momente që ne nuk do të mund t’i harrojmë dot. Është prokuroria që është si është, kërkoi heqjen e mandatit dhe parlamenti nuk e pranoi. Aty nga ana profesionale të gjithë thonë se pati mundësi me fsheh provën, nuk i shkuan në shtëpi për kontroll banese etj, pati edhe një moment që u ndërrua grupi i prokurorëve, pra kjo prokurori në këto kushte nuk kishte për të sjellë prova më të mëdha, dhe isha i bindur që do të vinte në një vendim të tillë. Megjithatë, unë do të isha i gëzuar nëse do të kishim një prokurori që do i hynte me themel kësaj çështjes së drogës. Nuk ka vetëm një protagonist. Po të klithe një prokurori që i hyn me themel çështjes së kanabisit, unë do ta dija rezultatin sot. Duke mos e pas këtë prokurori, shkon për shpërdorim detyre dhe mendoj se shkon nga presioni i atyre dy amerikanëve që u ulën në sallë. Që mendoj se kanë shkuar se nuk u pranua heqja e mandatit dhe u ndërruan edhe prokurorët. Kanë pasur dyshime, për këtë kanë shkuar, se po të mos ishin as ata ndoshta nuk do të dënohej fare”, tha Andi Bejtja.

Ndërsa analisti Mustafa Nano shtoi se “Bejtja tha atë që e mendojmë të gjithë, që me kaq prova nuk kishte se si të dënohej më tepër. Edhe kaq është dënuar shumë. Megjithatë unë dua të ngre një problem, kaq prova ka pasur gjithmonë dhe ne i kemi bërë një lloj linçimi mediatik atij. Ai mund të ketë gjëra të rënda për të cilat policia nuk ka prova, nuk janë zbuluar, dhe unë e mbaj përgjegjës për kanalizimin e vendit, që ishte një gjë e rëndë. Mirëpo për atë nuk ka pasur një proces, për këto gjërat e tjera është dënuar kështu siç është dënuar në mungesë të provave. Ne të gjithë jemi disi si të shokuar, për shkak se provat kanë munguar. Ka kohë që ne në këtë studio dhe në të gjitha studiot kemi bërë një lloj linçimi mendiatik ndaj këtij njeriu. Ndërkohë që abuzimi me pushtetin është një dukuri endemike në politikën shqiptare dhe e kanë bërë të gjithë. Nuk më vjen keq që atij i ndërpritet karriera politike sepse e thashë, vetëm për kanalizimin, unë një njeri që merret me politikë, e dënoj pa një pa dy. Unë nuk kam fare keqardhje për Saimirin, por ky është masakruar nga ne. Ky është masakruar, asnjëri nuk është masakruar si ky. 

Tahiri: Mos më fyeni me mesazhet e koduara, jam aq burrë sa…

Në një lidhje telefonike në emisionin “Opinion”, ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri hodhi poshtë zërat se kishte përdorur mesazhe të koduara më herët në sallë të gjyqit.

Ai tha se është aq burrë sa për t’i thotë gjërat drejtpërdrejtë dhe nuk ka nevojë të flasë me kode. Ftesës së Blendi Fevziut për të qenë në studion e “Opinion” javën e ardhshme, ish-Ministri iu përgjigj pozitivisht.

Blendi Fevziu: E prisnit këtë vendim sot?

Saimir Tahiri: Nuk kam më shumë për të thënë përtej asaj që thashë kur dola, nesër do të flas më shumë.

Blendi Fevziu: Shpërdorimi i detyrës duket një akuzë disi ambigue, që mund të fusë brenda çdo politikan shqiptar. Në fakt jeni dënuar 5 vjet. Mendoni që jeni dënuar pa të drejtë, pra ka qenë një dënim politik, apo jeni i kënaqur që i shpëtuat akuzës së grupit të strukturuar kriminal.

Saimir Tahiri: Kjo është qesharake dhe absurde deri në nivele të frikshme, pa dyshim fare. Kështu që as mos prit që unë të të jap mendim ndryshe. U hetova dy vjet për trafikant dhe tani më thanë që nuk je trafikant, po meqë ke disa kushërinj, shpërdoron detyrën.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, pati disa komente sot që keni bërë në mëngjes në sallë, për vëllezërit e disa personave politikë, si dhe për arsyen tjetër, që lidhej me “shefin e madh”. Kanë qenë një lloj mesazhi i koduar ndaj Ramës dhe drejtuesve të tjerë të PS?

Saimir Tahiri: Se di e kam dëgjuar shpesh këtë dhe është fyese për mua të thoni që jap mesazhe të koduara. Jam aq burrë sa ta bëj drejtpërdrejtë, sa nuk lodhem fare me mesazhe të koduara. Të jesh i bindur për këtë. Mos më fyeni më me këtë historinë e mesazheve të koduara, sepse hyj tek ata burra që e bëj drejtpërdrejtë.

Blendi Fevziu: A jeni i gatshëm javën e ardhshme për të ardhur në studio për t’u përballur me këtë debat?

Saimir Tahiri: Patjetër, me kë të duash përballë.

Blendi Fevziu: Me kë të dua përballë. Atëherë do t’ju kontaktoj për javën e ardhshme.

“Bën gërr-gërr kot”, Basha përplaset me Lalën

Gazetaret Anila Basha dhe Klodiana Lana janë përplasur mbrëmjen e së enjtes në “Opinion”, teksa komentonin vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Blendi Fevziu: Më 19 Tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nga Kuvendi autorizim për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri.

Anila Basha: Këtu ndalojmë, pra që në Tetor 2017 pa këto prova, që ne po biem dakord sot që nuk ka prova, kanë kërkuar t’i vënë prangat.

Klodiana Lala: O Basha po mos e ngatërro fundin e procesit me fillimin e procesit. O Basha të lutem, mos na bëj tani sikur ne këtu jemi dele dhe po hamë bar, sepse Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar arrest me burg për 90 për qind të atyre personave që Saimir Tahiri…të lutem më lër të flas….Në 90 % të rasteve, kur personat e caktuar janë akuzuar për trafik narkotikësh, qoftë edhe me një telefonatë, me një indicie indirekte, kanë shkuar në masën e sigurisë arrest me burg.

Anila Basha: Si, si? Si ishte? Trafikanti i thjeshtë? Ça po thua?

Klodiana Lala: Në rastin konkret, Saimir Tahiri….

Anila Basha: Ça po tregon, se po flet për Ministrin e Brendshëm?

Klodiana Lala: U nis nga disa përgjime, që në fakt rezultojnë ndryshe në sallën e gjyqit, që hetimi kishte nisur një vit përpara se sa të dilte Katania me një përfundim.

Anila Basha: E mban mend ti Klodi atë apo jo? Po ato i morën nga media moj gjithçka, po ca bën kot, gërr-gërr-gërr kot. Nxirri edhe një herë përgjimet, se ashtu flasin të gjithë….

Klodiana Lala: Basha më lër ta mbaroj argumentin…

Anila Basha: Po ti ke një orë që flet për argumentin.

Klodiana Lala: Mund të flas dy orë dhe pa e sqaruar nuk e lë këtë gjë.

Anila Basha: Nuk po thua asgjë e kupton? Po ziheni me veten ndërkohë. /tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:07 19/09/2019

Reklama
UKT
Grupi
UKT