Të ftuar:

Artan Lame – Studiues

Ardit Bido – Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave

Niko Kotherja – Studiues

Studiuesi Artan Lame, të mërkurën, deklaroi se patriotët shqiptarë me në krye Ismail Qemalin shpejtuan të shpallin Pavarësinë e Shqipërisë për shkak të kushteve historike dhe ngjarjeve që po zhvilloheshin në atë periudhë në Ballkan dhe në Europë.

Lame tha në studion e emisionit “Opinion” se pas shpërbërjes dhe shpartallimit të ushtrisë turke nga forcat luftuese, patriotët shqiptarë, ata të paktë që ishin të aftë të kuptonin zhvillimin e ngjarjeve, menduan të shpejtojnë për shpalljen e Pavarësisë, pasi toka shqiptare mund të shpërndahej si plaçkë lufte.

Lame: Çfarë ndodhi që këta burra të mençur u kujtuan të shpallin Pavarësinë. Nuk duhet harruar se në atë periudhë kishte ndodhur kjo gjë, Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria i shpalli luftë Turqisë dhe e thyejnë brenda disa muajve. Ushtria turke thyhet shumë shpejt dhe të gjithë ushtritë luftuese filluan të ndjekin trupat turke në atë pjesë që kishte mbetur në Ballkan. Ndërsa pjesa e Ballkanit ku bënte pjesë edhe Shqipëria u shkëput plotësisht nga Turqia. Ushtritë turke që mbeten të bllokuara, filluan të mblidheshin në Shqipëri. Ishte pikërisht ky moment që këta thonë se duhet bërë diçka dhe të shpallim Pavarësinë e Shqipërisë. Ky është momenti i madh i tyre historik, ku ata pak vetë që arrinin të kuptonin Shqipërinë dhe se çfarë po ndodhte në Ballkan. Ata thanë se ky veprim duhej të merrej tani. Ata thanë se ushtritë do ta pushtojnë këtë truall dhe do ta ndajnë si plaçkë lufte.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, të mërkurën, deklaroi se Ismail Qemali 11 muaj pas shpalljes së Pavarësisë në tetor të 1913-ës tregoi se kishin ndërmënd që Pavarësinë t’a shpallnin në Durrës, por pakuptimi i durrsakëve u la të kuptonin se atje nuk mund të ndodhte.

“Kishim ndërmënd të banim në Durrës punën që bamë këtu; po me të vënë këmbën në atë qytet, pakuptimi i Durrësakëvet na dha të marrim vesh se një punë e tillë nuk mund të mbarohej atje E, mjerisht, nuk u ndamë vetëm me kaq, po neve që u thoshim eja të përpiqemi së bashku për shpëtimin e Atdheut t‘ënë, na përgjigjeshin: “Ju jeni tradhëtorë, ju kërkoni humbjen e vatanit, prishjen e mbretërisë; ju gënjeni se Turqia nuk e humbi e nuk humbet; ushtria e Turqisë ka zënë shumë qytete të Bullgarisë dhe tani po i kthehet Serbisë“, citohet nga fjala e Bideos, ndërsa i referohet letrës së Ismail Qemalit në tetor të 1913-ës.

Shtëpia ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912-ës është prishur. Sarajet e Vlorajve, kanë ekzistuar deri në vitin 1926, kur ato u prishën, për t’ja lënë vendin ndërtimit të Lulishtes së Madhe, në Sheshin e Flamurit.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.