#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Klodian Skrame, Enita Mema, Markel Baballëku, Ermal Kaleci, Sezer Arslan, Lenida Halili. Në lidhje: Kastriot Robo, Sokol Brahaj

Nga studioja e emisionit “Opinion” Fevziu shpreh ngushëllimet për jetët e humbura në Turqi e Siri si pasojë e tërmetit

Gazetari Blendi Fevziu ka shprehur ngushëllimet për humbjet e jetëve si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë Jugore me magniturë 7.8.

Nga studioja e emisionit “Opinion” në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu tha se kjo është një nga goditjet më të forta që Turqia dhe Evropa ka marrë në vitet e fundit.

“Shpreh ngushëllimet për jetët e humbura, solidaritetin për atë që po ndodh në Turqi. Është një nga goditjet më të forta që Turqia ka marrë, por edhe një nga goditjet më të forta që Evropa ka marrë si fatkeqësi natyrore në vitet e fundit. Ndoshta në Turqi, në 100 vitet e fundit. Sezeri është vetë që ka të afërm të tij që janë nën rrënoja. Shpresoj dhe uroj që të shpëtojnë sa më shpejt. Operacionet e shpëtimit nuk janë kaq të thjeshta në një kohë dhe në një mot shumë të rënduar”, u shpreh gazetari Blendi Fevziu.

Ndodhet në shtëpinë e çdo qytetari turk, çfarë ka në ‘çantën e tërmetit?’

Një nga faktet e habitshme që u tha në “Opinion” në Tv Klan lidhur me tërmetet në Turqi është se populli është i edukuar dhe i trajnuar për të përballuar situata të tilla. Sezer Arslan, parukieri i njohur turk tha se në shtëpinë e secilit qytetar turk ka një çantë tërmeti me disa sende të nevojshme.

Sezer Arslan: Çanta, gjërat më të rëndësishme që ka brenda është bilbili…

Blendi Fevziu: Bilbil? Që nëse ti mbetesh nën rrënoja, të kesh mundësi për t’i rënë bilbilit dhe të identifkohesh.

Sezer Arslan: Bilbili dhe diçka tjetër, që të dyja janë si më të rëndësishme, drita.

Blendi Fevziu: Ju keni një çantë me bilbil, me dritë.

Sezer Arslan: Drita dhe duhet të ketë bateri.

Ermal Kaleci: Sapo hyra në faqen e Emergjencave Civile dhe duhet të ketë ushqime me kalori të lartë, vitamina për karbohidrate që përmbajnë ujë për humbjen e ujërave, fruta të thata, bilbil dhe elektrik dore

Sezer: Ka më shumë se 2 muaj që japin një alarm për tërmetin në Turqi

Sezer Arslan, parukieri turk që ka aktivitetin e tij në Tiranë është shprehur se ka mbi 2 muaj që është paralajmëruar për një tërmet të fuqishëm në Turqi.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sezet Arslan thotë se ka qenë një paralajmërim i hershëm mbi rrezikun e një tërmeti në Turqi.

Prof. Asoc. Dr, Klodian Skrame: Ka rënë një tërmet i cili nuk u priste në atë zonë me atë magnitudë aq të lartë dhe as kushtet vetë në Turqi nuk janë të përgatitura për të.

Sezer Arslan: Ka më shumë se 2 muaj që japin një alarm për tërmetin që të përgatitemi për tërmetin, kështu që ka qenë një paralajmërim i hershëm.

Prof. Asoc. Dr, Klodian Skrame: Faktikisht ato kanë që në 1999-ën që përgatiten ndaj tërmetit. Ato brenda 3-4 viteve ndryshuan kushtet teknike dhe pastaj filluan të ndërtonin me kushtet evropiane. Filluan planet e emergjencës dhe mbrojtjes civile.

“Dy shqiptare të martuara me shtetas turq ndodhen në zonën e tërmetit”, Kaleci: Janë vendosur në çadra

Ermal Kaleci, ish-konsulli i Shqipërisë në Stamboll, i ftuar sonte në “Opinion” në Tv Klan thotë se në zonën ku ka ndodhur tërmeti nuk ka komunitet shqiptar. Dy shtetase shqiptare që janë të martuara me shtetas turq janë prekur, por ndërkohë kanë marrë të gjithë ndihmën e nevojshme.

Ermal Kaleci: Në atë zonë nuk kemi komunitet shqiptar. Mund të kemi shtetas ose shtetase shqiptare që janë martuar me shtetas turq dhe mua më rezulton dy shtetase shqiptare.

Blendi Fevziu: Dy shtetase shqiptare të martuara me shtetas turq që ndodhen në atë zonë?

Ermal Kaleci: Po. Iu është dhënë ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme jona dhe ambasada atje. Janë komunikuar, janë vendosur në çadra sepse ndërtesa e tyre është prishur siç janë prishur në gjithë vendet. Ministria e Jashtme është në komunikim të vazhdueshëm edhe nëpërmjet ambasadës, edhe nëpërmjet konsullatës.

Blendi Fevziu: Për momentin janë sistemuar në çadra.

Ermal Kaleci: Tani sapo më erdhi një informacion tjetër. Mbi 10 mijë punonjës aktualisht po punojnë.

Blendi Fevziu: Punonjës kërkimi apo…?

Ermal Kaleci: Punonjës kërkimi. Siç e dini edhe ju qeveria shqiptare sapo ka dërguar sot në linjë ajrore edhe 53 punonjës shpëtimi dhe mjekësorë.

Blendi Fevziu: Kanë shkuar drejtpërdrejt atje?

Ermal Kaleci: Drejtpërdrejt në qytetin e Adanas do venë. Knë nisur edhe ndihma në rrugë tokësore.

Tërmeti në Turqi, Ejupi për “Opinion”: Në atë zonë ka mbi 90 koka bërthamore të SHBA

Adulvehap Ejupi, redaktor në TRT World në Turqi, ka dhënë detaje të tjera pas tërmetit që goditi vendin mëngjesin e së hënës. Ejupi tha për emisionin “Opinion” se zona ku goditi tërmeti është qendër sizmike, por edhe gjeopolitike. Atje janë vendosur mbi 90 koka bërthamore të SHBA-së në kuadër të NATO-s.

“Duhet të kemi parasysh që ajo zonë përveçse është zona më pak e zhvilluar dhe është zona e qendrave të mëdha ushtarake jo vetëm e Turqisë, por edhe NATO-s. Mbi 90 koka bërthamore të SHBA janë të vendosura në atë zonë në kuadër të NATO. Nuk është vetëm qendër sizmike, por edhe gjeopolitike, e cila ka kapacitet të rëndësishëm. Është zona me më pak investime. Është atje ku lufta e Sirisë vazhdon, por ofensivat e SHBA dhe të NATO, vazhdimisht zhvillohen”, u shpreh Ejupi.  

Gazetari u shpreh se në total janë 11 zona të prekura nga tërmeti. Ai theksoi se edhe moti është problematik në këtë kohë.

“Përveç borës së madhe dhe shiut të fuqishëm, edhe era të fuqishme, është e tillë që bashkë me tërmetin vërtetë përbën një vështirësi të jashtëzakonshme dhe përbën skena apokaliptike”.  

Sipas Ejupit, deri më tani ka 2416 viktima vetëm në Turqi dhe 1300 në Sirinë e Veriut.

Numri i të lënduarve është mbi 13 mijë, dhe dhjetëra mijëra qëndrojnë brenda gërmadhave”, u shpreh ai.

Sipas redaktorit të TRT World, Turqia i ka kapacitetet për të përballuar situata të tilla, por tërmeti është i përmasave të tilla ku janë prekur mbi 12 milionë banorë.

“Ajo zona, 11 provincat e prekura nga tërmeti përafërsisht ka 12 milionë banorë dhe është jashtëzakonisht e vështirë që të merren nën kontroll që të gjithë. Që të gjithë kanë të paktën 1 anëtar poshtë gërmadhave, apo kanë anëtarë të familjes, miq apo shokë dhe e bën gjendjen edhe më kaotike dhe më të vështirë”, tha ai.

“Nuk ka shqiptarë të prekur nga tërmeti”, ambasadori i Shqipërisë në Turqi: Sot kemi ndjekur vetëm një rast…

Kastriot Robo, ambasadori i Shqipërisë në Turqi thotë se i vetmi rast që është ndjekur nga ambasada përsa i përket shtetasve shqiptarë në atë zonë është humbja e lidhjeve e familjarëve me njerëzit e tyre në një zonë të Turqisë.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opionion” në Tv Klan, ambasadori Robo thotë se ambasada mundësoi komunikimin e familjarëve në zonën e Atajit dhe çdo gjë është në rregull teksa shton se nuk rezulton të ketë shtetas shqiptarë të prekur nga tërmeti.

Kastriot Robo – Ambasador i Shqipërisë në Turqi: Goditja e mesditës u ndje më shumë. Ajo e orës 4 e 17 minuta. Në njëfarë mënyre terrorizoi qytetarët e Ankarasë që sigurisht që e ndjenë dhe u terrorizuan nga ajo goditje. Ka një shpërndarje të frikës, por çdo gjë është e përqëndruar në 10 qytete që janë të prekur nga tërmeti.

Blendi Fevziu: A ka të dhëna për qytetarë shqiptarë që të kenë pasur probleme, a ka shumë qytetarë shqiptarë në këtë zonë sepse dëgjova që 2 shqiptare të Maqedonisë së Veriut ishin plagosur nga tërmeti, po shtetas shqiptarë, a ka pasur të dëmtuar?

Kastriot Robo – Ambasador i Shqipërisë në Turqi: Fatmirësisht nuk na rezulton që ka shtetas shqiptarë të prekur nga tërmeti. Ne sot kemi ndjekur vetëm një rast si ambasadë ku familjarët në Shqipëri kishin humbur lidhjet me njerëzit e tyre në qytetin e Atajit. Kjo ndoshta dhe për shkak të ndërprerjes së mundësisë së komunikimit mes tyre dhe pasdite mundësuam lidhjen dhe komunikimin me familjen shqiptare në zonën e Atajit dhe çdo gjë është në rregull.

“Familja e xhaxhait tim ka mbetur nën rrënoja”, Sezer: Nga mëngjesi e deri tani nuk kanë dalë ende

Sezer Arslan, parukieri turk që ka aktivitetin e tij në Tiranë është sonte i ftuar në “Opinion” në Tv Klan për të folur mbi përjetimin e tij për tërmetin në Turqi. Familja e Sezer ndodhet në Dijarbakër, një prej qyteteve të prekura rëndë nga lëkundjet e forta. Sezer shpjegon se familja e xhaxhait të tij, e cila jetonte në katin e 8 të një pallati, ka mbetur nën rrënoja dhe nuk ka asnjë komunikim me ta.

Sezer Arslan: Familja ime nga ana e babait tim, xhaxhai im, 5 veta, kanë ngelur akoma nën rrënoja.

Blendi Fevziu: Janë nën gërmadha? Familja e xhaxhait?

Sezer Arslan: Po.

Blendi Fevziu: Gjithë familja e xhaxhait? Ku banonte familja e xhaxhait?

Sezer Arslan: Po. Në Dijarbakër.

Blendi Fevziu: Në banesë, pallat, shtëpi?

Sezer Arslan: Në katin e tetë. U prish pallati, në mëngjes në orën 04:50 e deri tani akoma nuk kanë dalë.

Blendi Fevziu: Keni komunikim nga brenda apo ata nuk kanë as…?

Sezer Arslan: Komunikim me babin tim, komunikim me çunin e xhaxhait tim, maksimumi që mund të flas, nuk kanë bërë asgjë, po mundohen sepse jo vetëm ai pallat por gjithandej ka viktima.

Blendi Fevziu: Pra forcat e shpëtimit janë të shpërndara në gjithë qytetin.

Sezer Arslan: Deri tani, asgjë.

Blendi Fevziu: Pothuajse kanë kaluar 18 orë, diçka më shumë dhe ata janë akoma nën rrënoja për momentin. Komunikim nga brenda me ta nuk ka, nuk ka asnjë mundësi të flitet, nëse kanë ndonjë celular me vete, ndonjë gjë?

Sezer Arslan: Jo. disa më thanë që nuk përgjigjen, disa thanë që është mbyllur telefoni, nuk përgjigjen. Deri tani asgjë.

Blendi Fevziu: Kur ishte komunikimi i fundit?

Sezer Arslan: Komunikimi i fundit ishte në orën 6 pasdite.

Sezer thotë se familjarët e tij janë të mërzitur e të depresionuar, por ndërkohë ka edhe një tjetër shqetësim.

Sezer Arslan: Familja e nuses e miqtë e mi, mbi 12 ose 13 vetë jetonin të gjithë në një pallat. Edhe ato kanë ngelur, vetëm 4 prej tyre kanë nxjerrë deri më tani, të tjerët akoma.

Vullnetari i “Helmetave të Bardha” në Siri flet për “Opinion”: Mbi 200 familje ndodhen nën rrënoja

Ammar Alselmo, vullnetar i “Helmetave të Bardha” në Siri ka treguar gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë për emisionin “Opinion” se mendohet se ka mbi 200 familje që kanë mbetur nën rrënoja si pasojë e tërmetit që goditi vendin. Alselmo u shpreh se operacioni i kërkim-shpëtimit është ende në vijim.

“Flitet se ka më shumë se 200 familje. Ne nuk kemi numër të saktë. Askush nuk ka numër të saktë të shifrave. Mund t’ju them më shumë se 200. Kemi burime dhe po përpiqemi të zbulojmë cila është shifra e saktë ndërkohë që operacioni i shpëtimit është ende në vijim”, tha Alselmo.

Vullnetari sirian tregoi për gazetarin Blendi Fevziu që njerëzit tashmë ndodhen në rrugë. Edhe ata që janë nxjerrë nga rrënojat janë në rrugë, sipas tij, dhe u shpreh se Aleppo ka nevojë për mbështetje.  

“Njerëzit tanimë ndodhen në rrugë. Edhe ata që mbijetuan nga tërmeti ndodhen jashtë rrugëve. Kanë nevojë për medikamente, kanë nevojë për ushqim, kanë nevojë për strehim. Ka persona të tjerë që janë duke qëndruar në gjendje të mjerueshme aty. Njerëzit kanë nevojë për ndihmë dhe është çështje jetë a vdekje. Përpiqemi ti nxjerrim njerëzit të gjallë nga rrënojat, megjithatë ka nevojë për mbështetje edhe pas kësaj faze”, u shpreh Alselmo.  

Alselmo tregoi më tej se në Aleppo nuk ka një mbulim mediatik të madh dhe gjithashtu përbëhet nga një infrastrukturë e dobët.

“Zona ku po flasim ne tani nuk ka një mbulim mediatik të madh dhe gjithashtu përbëhet nga një infrastrukturë e dobët e dëmtuar nga tërmeti. Megjithatë që nga mëngjesi ekipi jonë ka ikur në zonë për të dërguar ndihmë dhe për të shpëtuar njerëz që kanë mbetur në rrënoja. Më shumë 800 viktima janë raportuar deri më tani ndërkohë mbi 2 mijë perona janë dëmtuar. Numrat janë rritur. Më shumë se 300 ndërtesa janë rrënuar totalisht, 600 janë dëmtuar pjesërisht”, tha Alselmo./tvklan.al