#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Një ngjarje ka mbajtur pezull thuajse prej një jave vëmendjen e shoqërisë shqiptare, ajo që ndodhi në Vlorë. Një vajze e re u gjet në orët e para të mëngjesit në një hotel në Vlorë, thuajse pa ndjenja. Ajo ishte në gjende të rënduar dhe dukej që kishte probleme të mëdha. Sipas lajmeve të para, vajza kishte pasur një abuzim seksual. Më kjo nuk është plotësisht e vërtetuar, por më pas rezultoi se jo nga një, por nga 3 djem. Në fakt u akuzuan 4 veta në fillim dhe policia tentoi ndalimin e tyre. E gjithë historia erdhi në qendër të vëmendjes së mediave, duke u kthyer në një lloj qerthulli shumë të çuditshëm, me shumë protagonistë dhe shumë personazhe brenda. Palët kanë dhënë edhe shpjegimet e tyre në polici, por çfarë ka ndodhur realisht me vajzën nga Vlora? Cila është historia në vetvete? Sa qëndron ideja e abuzimit? Cilat janë pretendimet e palëve? Pikërisht për këto çështje u diskutua mbrëmjen e kësaj të hëne në studion e Opinion.
Në lidhje të drejtpërdrejtë ishte motra e vajzës, e cila kërkoi të mos identifikohet dhe Opinion e respektoi dëshirën e saj. Si dhe Albert Deliaj, pronari i televizionit
Ndërkohë, në fillim të emisionit, për rreth 17 minuta në studion e “Opinion” ishte kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, për të folur për incidentet e ndodhura pasditen e kësaj të hëne në Kuvend.

Të ftuar: Merin Maçi, Afrovita Hysaj, Lenida Halilaj, Iris Luarasi, Vladimir Kera

Në lidhje direkte: Familjarë të vajzës, Albert Deliaj – Pronari i televizionit “6+1 Vlora Tv”

Flet ekskluzivisht në “Opinion” motra e 26-vjeçares që u përdhunua në Vlorë

Historia e përdhunimit të 26-vjeçares në Vlorë është tema e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Në një lidhje direkte me emisionin, me kërkesën e ruajtjes së anonimatit ndodhet motra e 26-vjeçares. Për arsye emocionale, ajo nuk do ta ndjekë emisionin por ka pranuar të rrëfejë versionin e saj të historisë.

Familjarja thotë se 26-vjeçarja ka qenë e lidhur për 2 vite me njërin prej personave, por nuk e dinte se ai ishte i martuar. Ajo pretendon se pasi ka thirrur shokët, i ka hedhur diçka në pije 26-vjeçares gjatë darkës që konsumonin dhe më pas kanë përfunduar në hotel ku edhe ka ndodhur përdhunimi.


Familjarja: Unë jam motra e 26-vjeçares që është përdhunuar në Vlorë.

Blendi Fevziu: Është dhunuar?

Familjarja: Është përdhunuar.

Blendi Fevziu: Kjo është e sigurt, pra ky është versioni juaj?

Familjarja: Po.

Blendi Fevziu: Ma trego atëherë historinë në versionin tuaj.

Familjarja: Motra ime ka qenë e lidhur me një nga personat rreth 2 vjet dhe ky personi ka qenë i martuar dhe motra ime nuk e dinte. Atë natë e ka ftuar për një darkë si gjithmonë dhe aty duke ngrënë dhe duke pirë, i ka hedhur diçka në gotë dhe aty ka lajmëruar shokët e tij që kanë shkuar te lokali, kanë ngrënë, pirë dhe festuar, kanë konsumuar pije alkoolike pastaj e kanë marrë, e kanë çuar dhe kanë shkuar në hotel.

Blendi Fevziu: Ka shkuar vetëm djali me të cilin ajo shoqërohej apo jo, në fillim?

Familjarja: Po, që ka marrë dhomën dhe 3 personat e tjerë kanë hyrë nga dera e pasme e hotelit, jo direkt aty. Edhe videon siç e patë, e kanë marrë zvarrë që e kanë ngjitur në hotel dhe motra ime është përdhunuar aty. Në mëngjes e kanë lënë te recepsioni dhe janë larguar.

Blendi Fevziu: E kanë zbritur ata te recpesioni?

Familjarja: Po, po, çunat vetë dhe janë larguar.

Blendi Fevziu: Kanë qenë të tre çunat bashkë?

Familjarja: Po, po të tre çunat kanë qenë bashkë.

Blendi Fevziu: Gjatë gjithë mbrëmjes, gjatë gjithë natës domethënë?

Familjarja: Po,  po.

Blendi Fevziu: Sepse në dëshmitë e tyre ata pretendojnë që kanë hyrë dhe kanë dalë në dhomë?

Familjarja: Jo, absolutisht. Mua më ka thënë motra vetë, kur është përmirësuar motra m’i ka thënë të gjitha. Të tre çunat kanë qenë atë natë në dhomë dhe në mëngjes, rreth orës 7 të mëngjesit e kanë marrë dhe e kanë lënë pa ndjenja, në gjendje kome afër recepsionit dhe aty çuni i recepsionit ka lajmëruar ambulancën dhe policinë që kanë ardhur, kanë marrë motrën dhe kanë shkuar në spital. Mua aty më lajmëron doktori se isha në punë, më lajmëroi doktori dhe shkova në spital.

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, flet e motra: Akt ekspertiza është kryer 5 ditë pas ngjarjes

Sonte për “Opinion” në Tv Klan ka folur përmes një lidhjeje Skype motra e 26-vjeçares nga Vlora e cila është përdhunuar nga 3 persona më datë 20 Tetor. Të ftuarit e pyetën për akt ekspertizën mjeko-ligjore, pasi ende nuk ka një të tillë.


Motra e së resë u përgjigj se akt ekspertiza është kryer 5 ditë pas ngjarjes së rëndë dhe akoma nuk ka një përgjigjie.

Motra e 26 vjeçares: Nuk ka dalë akoma akt ekspertiza mjeko-ligjore dhe ne nuk kemi marrë një përgjigjie për këtë gjë.

Merin Maçi: Për marrjen e aktit të ekspertimit mjeko-ligjor për të tilla raste bëhet kërkesë nga ana e strukturave të cilat merren me hetimin dhe nga informacionet që unë kam, kërkesa është bërë që me datë 21, por vendimi për marrjen e këtij akt ekspertimi ka vonuar disa ditë. Kjo mbetet një enigmë e madhe e cila i është bashkuar këtij hetimi nga ana e grupit hetimor për të parë se çfarë ka shkuar keq në marrjen e një akti ekspertimi.

Motra e 26-vjeçares: Pse nuk u bë ekspertizë që atë natë, apo një ditë më pas, por u bë në krye të 5 ditëve?! Që nuk mund të dalë asgjë, duhet të ishte bërë që në moment.

-Pas 5 ditësh?

Merin Maçi: Pas 5 ditësh, me datë 25 (Tetor).

Iris LuarasiKjo është skandaloze.

Merin Maçi: Dy të arrestuarit kanë dalë për masë ndërkohë s’ishte bërë akoma akt ekspertiza.

“Ishte në gjendje kome dhe vetëm shkumë nga goja”, rrëfimi i motrës së 26-vjeçares që u përdhunua në Vlorë

Motra e 26-vjeçares që u përdhunua në Vlorë është në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan. Duke ruajtur anonimatin, ajo ka pranuar të rrëfejë versionin e saj të historisë. Pretendimi i saj i parë është se tre djemtë që kanë përdhunuar 26-vjeçaren kanë qenë në dhomë natën e ngjarjes, ndryshe nga ajo që thuhet në dëshmitë e tyre se “kanë hyrë dhe dalë nga dhoma”.

Familjarja thotë se kur ka shkuar në spital pas lajmërimit nga mjeku, e ka gjetur motrën në gjendje kome dhe nxirrte shkumë nga goja. Motra e saj pretendon se lënda narkotike që i është hedhur në  pije ka qenë pa konsensusin e saj.


Familjarja: Motra ishte në gjendje kome dhe vetëm shkumë nga goja, as jepte, as merrte. Takova doktorin dhe tha “ka ardhur në gjendje kome, pa ndjenja, ka ardhur në gjendje shumë të keqe. Unë kam bërë të pamundurën për të”.

Blendi Fevziu: Çfarë dyshimi kishin mjekët? Të lëndëve narkotike, të ndonjë lloj helmimi? Pra, flas për atë që kishte pirë, jo për pjesën e dhunimit.

Familjarja: Po. Dhe pije alkoolike dhe lëndë narkotike kanë pirë atë natë.

Blendi Fevziu: Motra të tha nëse lëndën narkotike e kishin konsumuar me konsensus, me dëshirë apo i është hedhur nga dikush? Cili ishte pretendimi i motrës?

Familjarja: I është hedhur nga dikush se motra ime nuk konsumonte, nuk ishte e kësaj rruge dhe unë fajin të gjithë ia hedh personit që motra ime ka qenë e lidhur me të. Ai është fajtori kryesor që ia bëri motrës time këtë.

“Tërhiq denoncimin ose nuk del e gjallë nga këtu”, motra e 26-vjeçares në Vlorë flet për dy kërcënime

Në lidhjen direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan të motrës së 26-vjeçares së përdhunuar në Vlorë, ngrihen disa pretendime.

Si fillim, tre djemtë që kanë përdhunuar 26-vjeçaren kanë qenë njëkohësisht në dhomë. Në mëngjes, ata e kanë lënë pranë recepsionit ku punonjësi ka lajmëruar policinë dhe ambulancën e më pas vajza ka përfunduar në spital.

Së dyti, 26-vjeçarja pretendon se pa dijeninë e saj i është hedhur lëndë narkotike gjatë darkës që kanë qenë duke konsumuar. Familjarja thotë se e ka gjetur motrën thuajse në gjendje kome dhe duke nxjerrë shkumë nga goja.

Sipas motrës së 26-vjeçarjes, vajza nuk e ka tërhequr denoncimin ndonëse është kërcënuar dy herë. Një kërcënim ka qenë nga mamaja e njërit prej tre djemve dhe një tjetër nga njëri prej shokëve të tij të cilët i kanë thënë “tërhiq denoncimin ose nuk del e gjallë nga këtu”.

Blendi Fevziu: Në çfarë gjendjeje është vajza në këto momente që flasim?

Familjarja: Nuk është se është në gjendje të mirë se normalisht atë që ka vuajtur, ka hequr dhe ka pirë, normalisht që nuk është mirë… dhe në spital i ka shkuar mamaja e njërit nga personat.

Blendi Fevziu: Mamaja e njërit nga tre djemtë që ishin me të në dhomë? Për çfarë i ka shkuar?

Familjarja: Po, ka shkuar në spital atë ditë dhe i ka thënë motrës që “do heqësh denoncimin se djalin tim e pret një vajzë 7-muajshe në shtëpi dhe ti duhet të heqësh denoncimin se nuk do dalësh e gjallë nga dera e spitalit”.

Blendi Fevziu: E ka kërcënuar nëna e njërit nga djemtë?

Familjarja: Po.

Blendi Fevziu: Por nuk e ka tërhequr denoncimin apo e ka tërhequr denoncimin? Se ka pasur lajme kontradiktore, ka pasur lajme që e tërhoqi, lajme që e ka mbajtur denoncimin.

Familjarja: Nuk e ka tërhequr denoncimin se unë e di shumë mirë se po merrem me këtë gjë, nuk e ka tërhequr denoncimin, del mamaja e këtij  personi dhe vajti e hyn shoku i personit dhe e kërcënon edhe ai. I thotë “do e heqësh denoncimin se nuk do dalësh e gjallë që këtej ose do të të vrasim familjen ose do të të vrasim ty, duhet ta heqësh denoncimin”.

Blendi Fevziu: Pra janë bërë dy kërcënime. Po ka qenë në gjendje t’i priste motra juaj në ato kushte?

Familjarja: Motra ime, po.

Blendi Fevziu: Po me çfarë të drejte hyjnë dy persona te një person i cili ka denoncim në polici?

Familjarja: Këtë dua të di, këtë dua të di që kush i futi këta persona se ne familjarët vajtëm dhe nuk na futën te motra, mezi na kanë futur. Kush i futi këta persona në spital, si mamanë e atij dhe si shokun e atij personi që vajtën kërcënuan motrën brenda në spital, këtë dua të di, kush i futi këta?

Përdhunimi në Vlorë, Deliaj mohon përfshirjen e djalit: Ndodhet në burg

Një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik javën e kaluar. Një 26-vjeçare u përdhunua nga tre persona në Vlorë, dy prej të cilëve janë të arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim (Lexo më shumë).

Gazetarja Afrovita Hysaj ka qenë ndër të parat në qytetin bregdetar që e raportoi lajmin, ndërsa këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan tha se është kontaktuar nga persona të ndryshëm të cilët i kanë dërguar mesazhe saj dhe gazetarëve të tjerë duke i urdhëruar që të mos interesoheshin për këtë ngjarje.

Por përveç lajmit të rëndë të përdhunimit të së resë, vëmendjen e opinionit publik e mori edhe shkrimi i një lajmi nga një televizion lokal në Vlorë kundër Hysajt. Gazetarja tregoi se ka qenë vetë pronari i televizionit “6+1 Vlora”, Albert Deliaj që e ka telefonuar dhe i ka folur me tone të ashpra dhe fjalor fyes.

Ky i fundit ishte i ftuar në emision dhe gjatë një lidhjeje live sqaroi se ndaj tij personalisht dhe familjes së tij është shpifur dhe se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen e përdhunimit.


“Ndaj meje personalisht, ndaj familjes sime, ndaj televizionit “6+1 Vlora” që unë drejtoj dhe nga i gjithë qyteti është shpifur në mënyrën më të keqe për një ngjarje që unë nuk kisha lidhje fare. Unë jam këtu sot, nuk kam dalë asnjëherë në asnjë media, kam dalë këtu sot në emër të gjithë qytetarëve me kërkesë të tyre që të dalësh të sqarosh sepse djali im, unë familja, nuk kemi pasur asnjë lidhje me atë ngjarje”, tha ai për gazetarin Blendi Fevziu.

Deliaj pretendon se Afrovita Hysaj ka përmendur emrin e djalit të tij si i përfshirë në ngjarje.  

“Është përmendur në të gjitha portalet në emër të vajzës në fjalë”, u shpreh ai.

Deliaj e hodhi poshtë këtë fakt, pasi u shpreh se djali i tij ndodhet në burg ku vuan një dënim prej 2 vitesh.

“Djali im ndodhet në hallin e tij atje ku është. Djali im ka bërë një shkelje ligji në moshën 20-21-vjeçare dhe po vuan dënimin dhe është në burg në Kosovë të Lushnjes. Është prej dy vjetësh. Prej 4 ditësh është hedhur një baltë shumë e madhe ndaj meje, ndaj familjes sime dhe zonja në fjalë vazhdon të aludojë.

Zonja Hysaj dhe pardje, pas gjyqit tha që aludohet për djalin e filanit, e tha prapë edhe një herë. Besoj se i ke dëgjuar familjet e pushtetshme në Vlorë, po shfrytëzojnë televizionet. Zoti Blendi prej 4 ditësh u hodh baltë ndaj meje, familjes sime, djalit tim, shoqërisë sime dhe televizionit që është gjëja më e çmuar në qytet. Unë nuk mund ta pranoja dot atë pasi jemi të fyer të gjithë si familje. Afrovita Hysaj edhe sot nuk e thotë që nuk është djali i tij. Kur ka ndodhur ngjarja në orën 13:00, redaktori i televizionit tonë ka takuar Afrovita Hysajn në pallat të sportit dhe i ka thënë çfarë po shkruan për djalin e Bertit, djali i Bertit është në burg dhe nuk është në Vlorë. Kjo i tha dy herë që ka dalë, por ti nuk e di i tha. Kjo vajzë”, u shpreh ai.

Ndërkohë gazetarja pretendon se nuk e ka përmendur në asnjë moment djalin e Deliajt, por kanë qenë portale të tjera që kanë përmendur emrin e tij.

“S’kam përmendur asnjë emër!”, gazetarja Hysaj dhe pronari i “6+1 Vlora Tv” ballafaqohen në “Opinion”

Për herë të parë, 10 ditë pas ngjarjes së rëndë në Vlorë ku një 26-vjeçare u përdhunua nga 3 të rinj, janë ballafaquar në “Opinion” gazetarja e Fax News Afrovita Hysaj dhe pronari i televizionit “6+1 Vlora Tv” Albert Deliaj.


Ky i fundit ka publikuar një artikull në portalin e medias që drejton me fjalë denigruese për gazetaren Hysaj pasi sipas tij ajo ka shpërndarë një lajm të pavërtetë, duke e cilësuar djalin e Deliajt si ‘përdhunues’.

Këtë gjë, gazetarja e mohon në formë absolute duke shtuar se pa pasur asnjë fakt për këtë akuzë, zoti Deliaj e ka telefonuar duke e kërcënuar e ofenduar.

Afrovita Hysaj: Ka qenë telefonatë shokuese për mua. Pas publikimit të këtij lajmi, që janë 4 persona të përfshirë dhe jo 3 persona. Prokuroria, gjykata duhet të nxitojnë me veprimet ndaj hetimit për rastin e vajzës, këtë e kam përdorur sigurisht në median që punoj dhe në një portal për të cilin shkruaj. Duke mos përmendur asnjëherë asnjë emër dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Fatmirësisht ekzistojnë screenshotet që janë të shumta. Asnjëherë s’kam përmendur asnjë emër dhe kam marrë një telefonatë nga zotëria që kam njohje, se prej vitesh punoj në Vlorë. Një telefonatë që nuk ishte për të krijuar sqarim, as për të pyetur se çfarë kishte ndodhur, por ishte një telefonatë me tone të ashpra dhe fjalor fyes.

Albert Deliaj: Zonja Hysaj dhe pardje pas gjyqit tha se aludohet për djalin e filanit, e tha prapë dhe njëherë.

Afrovita Hysaj: Ka ndonjë provë?!

Albert Deliaj: Nuk mund ta pranoja dot atë sepse jemi të fyer të gjithë si familje.

Afrovita Hysaj: Dhe çfarë bëtë?

Albert Deliaj: Kryeredaktori i televizionit tonë ka takuar Afrovita Hysajn te Pallati i Sportit dhe i ka thënë “çfarë po shkruan për djalin e Bertit se është në burg dhe nuk është në Vlorë?”. Kjo i tha dy herë “ka dalë, por ti nuk e di”. Kjo vajzë!

Afrovita Hysaj: Pas telefonatave, asnjëherë duke kërkuar të dijë se çfarë ka ndodhur…

Albert Deliaj: Kam deklaratën e policisë, nuk do të të pyes ty se çfarë kishte ndodhur! Kam 25 vjet që drejtoj televizionin…

Afrovita Hysaj: Nuk kam reaguar sigurisht, aspak.

-E keni përmendur emrin e djalit?

Afrovita Hysaj: Absolutisht në asnjë moment! Kanë qenë portale të tjerë që kanë përmendur emrin e djalit të zotërisë dhe këta ashtu sikurse Deliaj thotë paskan thënë se emrin e kam përmendur unë. Po një provë, një fakt?? Do vazhdoj t’i mëshoj fort, në asnjë moment nuk e kam përmendur emrin e djalit. Ditën e nesërme zoti Deliaj ka publikuar një lajm me fjalët më fyese që mund të ekzistojnë dhe mund të përmbajë fjalori shqip, në drejtimin tim. Duke më quajtur dhe vendosur epitete nga më të ndryshmet e pazare nga më të ndryshmet. Zotëria ka shkruar, ka pasur kohën e mjaftueshme dhe për të reflektuar mbi atë që po shkruante dhe nuk e di se…Më besoni nuk e kam lexuar dot deri në fund shkrimin. Pse nuk më denoncoi zotëria për shpifje nëse ka një provë?!

Albert Deliaj: Ishte “Prost” lajm, përderisa lajmi nuk është i vërtetë. Çfarë lajmi është ai?!

Përdhunimi i 26-vjeçares, reagon eksperti mjeko-ligjor: Ekspertiza pas 5 ditësh është vonë

Këtë të Hënë në “Opinion” është trajtuar rasti i rëndë i 26-vjeçares që u përdhunua nga 3 të rinj në Vlorë më 20 Tetor. Motra e së resë u shpreh se ekspertiza mjeko-ligjore është kryer 5 ditë pas ngjarjes dhe akoma nuk ka një përgjigjie për të.


Ndërkohë, në një reagim për Opinion, eksperti mjeko-ligjor Sabri Hoxha, tha se ekspertiza në këto raste mund të bëhet brenda 48 orëve. Sipas tij, 5 ditë “janë pak vonë”.

“Sabri Hoxha, ekspert mjeko-ligjor deklaron nuk e njoh çështjen dhe nuk mund të flas për rastin konkrete, por në parim këto çështje kanë përparësi. Ekspertiza mund të bëhet brenda 48 orësh. Në gjykimin tim, 5 ditë janë pak vonë”, ishte reagimi i ekspertit për gazetarin Blendi Fevziu në Opinion.

Abuzimi i 26-vjeçares, Balla për Opinion: Policia e Prokuroria do t’i shkojnë deri në fund rastit

Në një reagim për emisionin “Opinion”, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tregoi si u njoh me rastin e 26-vjeçares nga Vlora, e cila u abuzua seksualisht nga 3 persona. Për gazetarin Blendi Fevziu, Balla tha se Policia e Shtetit në bashkëpunim me prokurorinë do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje.


“Sapo jam informuar nga policia e Vlorës kam shkuar në spitalin e Vlorës për t’u interesuar për gjendjen e vajzës dhe më pas kam marrë në analizë të gjithë veprimet e policisë për hetimin dhe vendosjen para drejtësisë së personave të dyshuar. Ky është rast që duhet të na ndryshojë tërësisht qasjen për mbrojtjen e çdo vajze e gruaje nga dhuna seksuale dhe çdo formë dhune më bazë gjinore. Mund t’ju informoj se Policia e Shtetit në bashkëpunim me prokurorinë do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje. Polica e Shtetit është në kontakt të përditshëm me vajzën e cila nuk ka pranuar akomodimin në një qendër të posaçme rehabilitimi, por ka kërkuar të vijojë jetën e saj në Tiranë. Mirënjohje atyre që i kanë ofruar mbështetje”, tha Balla në reagimin e tij për gazetarin Blendi Fevziu./tvklan.al