Të ftuar:

Blendi Klosi,

Oriola Pampuri,

Dashamir Biçaku,

Grida Duma,

Paulin Vilajeti,

Silvana Alimadhi

Emisioni Opinion në TV Klan ka si temë të mbrëmjes vrasjet makabre të ndodhura këtë fundjavë në vendin tonë.

Gazetari Dashamir Biçaku, gazetar i TV Klan, në lidhje me temën në fjalë, ka theksuar se informacionet e para bënin me dije se babai ka vrarë dy djemt e tij dhe më pas ka vrarë veten, për shkak të një konflikti me bashkëshorten e tij. Biçaku shtoi se gruaja e tij, Marsela e kishte martesë të dytë me Naum Toshin, më parë ajo kishte qenë martuar me një person tjetër, e cila nga martesa e parë ka pasur një djalë, më të madhin nga dy djemt e vrarë sot dhe më pas ajo ishte ndarë, ku edhe ishte njohur nëpërmjet rrjetit social facebook me Naum Toshin. Ai tha se më pas njohjes së tyre në rrjetin social facebook, kanë jetuar për një kohë të gjatë në Greqi. Sipas tij, Toshi ishte një person që nuk kishte ndonjë profesion, hera pas here, ai punonte në punë të ndryshme krahu në shumë profesione që lidheshin më shumë me punën fizike se sa aktivitete të tjera. “Ka qenë vet babai i Naum Toshit i cili ka hyrë në banesë, sepse në atë banesë ai ushqente disa pula. Dhe kur ka shkuar tek dera ka parë edhe letrën që thoshte “

Ngjitu lart

”, dhe menjëherë është ngjitur dhe ka parë gjithë skenën që kishte ndodhur në një nga dhomat e këtij apartamenti”, është shprehur Biçaku.

Për eksperten e dhunës në familje në Ministrinë e Brendshme, Silvana Alimadhi, tragjedia e ndodhur në qytetin e Korçës, ku dy fëmijë humbën jetën, pasi u vranë nga babai i tyre, është një tragjedi ku nuk mund të jepen shumë detaje për shakak të makabritetit të ngjarjes. Alimadhi ka theksuar në Opinion, se akt-ekspertiza e vrasjes nuk ka dalë ende, por sa i përket mënyrës së jetesës dhe konflikteve të mëparshme të çiftit Toshi, në policinë e shtetit asnjëherë nuk është bërë asnjë denoncim. Sipas saj, jo vetëm nga çifti, por edhe nga familjarë të tjerë të tyre apo fqinjët e tyre që mund të kenë dëgjuar zënkën në këtë familje. “Referuar të afërmëve, bashkëshorti ankohej, se ajo vinte dhe ikte shumë shpesh nga shtëpia edhe pse kishte dy fëmijë të mitur. Ky bashkëshort, nuk kishte bërë asnjëherë asnjë denoncim për braktisjen e dy fëmijëve të mitur nga bashkëshortja”.

Fevziu: Bashkëshortja punonte apo ikte nga shtëpia?

Alimadhi: Unë nuk dua të paragjykoj mënyrën e tyre të jetesës, se si e fitonte ajo jetesën, por fakti që ajo braktiste dy fëmijët e mitur ka qenë për t’u denoncuar.

Ndër të tjera, lidhur me ngjarjen në fjalë, ajo ka theksuar se nuk kishte raste dhune nga bashkëshorti ndaj gruas. “Fqinjët kanë deklaruar më pas se kemi dëgjuar zënka ndërmjet çiftit, këto të dhëna vinë, gjithmonë pas ndodhjes së ngjarjes. Por problemi është se pas asaj që ndodhi, të gjithë shprehen se kanë dëgjuar zënka, por më parë nuk kishte asnjë të dhënë të dënoncuar mbi marrëdhënien e tyre në çift”.

Naum Toshi është një i sëmur mendor, kështu e ka konsideruar në studion e Opinion psikologia Oriola Pampuri. Ajo tha se ai e kishte planifikuar gjithçka, vrasjen e dy djemve si vetëvrasjen. Psikologia më tej këtë e ka quajtur një sëmundje patologjike. Pra autori i vrasjes së trefishtë sot në Korçë, sipas psikologes ishte në depresion. Sipas Pampurit këtë krim Naum Toshi e ka kryer “nga krenaria mashkullore, për të vënë në vend krenarin mashkullore.

Ministri Blendi Klosi, në lidhje me dhunën në familje, ka theksuar se ngjarje të tilla, nuk e dimë, a është mirë t’i dëgjojmë apo jo. Klosi bëri me dije se dhuna aty ka qenë, por në kohët e sotme është rritur reflektimi ndaj dhunës, si dhe është rritur denoncimi karshi rastit të dhunës. Ai tha se janë shtuar denoncimet, por numri i vrasjeve ka rënë dukshëm. Ministri nënvizoi se në Shqipëri, vetëm për këtë vit, janë me urdhër mbrotje rreth 1.900 gra. “Këtu është rasti që e gjithë shoqëria duhet t’a kuptojë se rasti i Korçës dhe i Fierit është një dhunë brenda familjes, ku nëna e fëmijëve ka pasur problematika të theksuara në raportet brenda familjes, ku bashkëshorti nuk punonte dhe ajo punonte. Pra ky mekanizmi i fuqizimit të gruas ndaj burrit, në atë familje është e kundërta, gruaja punonte ndërsa burri rrinte në shtëpi. Ajo e ka ndjerë vetën më superiore dhe ndoshta e vinte në presion të shoqin. I cili në një moment depresioni kreu një veprim që ka pas raste që e kanë bërë edhe shumë gra kohë më parë”.

Grida Duma, ka komentuar me tone tragjike ngjarjet e fundit të ndodhura në vendin tonë, duke i cilësuar ato si një trajektore çnjerëzore e kryerjes së këtyre krimeve. Duma ka pyetur në emisionin Opinion, se sa e madhe, është përmasa dhe agresiviteti i këtyre krimeve në shoqërinë tonë, nga janari deri tani? Ajo theksoi se kemi 7 vrasje, ku tre nga të cilat, janë pasi vrasin bashkëshorten apo gruan, vrasin dhe veten, pastaj fëmijët dhe prap vrasin edhe veten. Duma, bëri me dije, se përmasat çnjerëzore të këtyre krimeve, po ashtu bashkohet me një trajektore tjetër, varfëri dhe mungesë mundësish ekonomike. “Psikologia theksoi se ky mund të jetë një rast psikopatologjik, por jo të gjitha sëmundjet mund të jenë individuale, një njeri nuk lind psikopatologjik apriori. Një njeri bëhet i sëmurë nga një rrethanë e madhe e shoqërisë së vet. Tani, çfarë i bashkon këto raste, pa e ndarë përgjegjësinë se cilat janë institucionet paravrepruese apo prapavepruese tek të cilat ne mund të ndalemi, një me një. Do shikojmë se shkaku është në terësi depresioni shoqëror që sot ka Shqipëria, qytetari shqiptar, për nga vetë konotacioni i fjalës shqiptar, duhet thënë i varfëri shqiptar. Sepse nuk është qytetar. Të jesh qytetar do të thotë të kesh disa të drejta. Disa kushte minimale jetese, duhet të kesh një besim që po jeton në një vend që ka një fije shpresë. Ky nuk është asnjëri prej këtyre individëve, një gjë është e sigurt, kur arrin një individ të vrasë fëmijët, është një makabritet”.

Detaje të tjera kanë dalë nga vrasja makabre e Liljana Rukos në Fier. Gazetari Dashamir Biçaku ka dhënë detaje të reja për këtë ngjarje. Sipas Biçakut, gruaja dhe bashkëshorti vrasës janë grindur me njëri-tjetrin në dhomën e pritjes në sy të fëmijëve. “Të lutem duhet ti sqarojmë, duhet të qetësohemi dhe ta zgjidhim me qetësi këtë punë”, i është drejtuar gruaja bashkëshortit të saj teksa ai e përplaste në tokë. Ndërkohë që sipas asaj që rrëfen gazetari autori i vrasjes, pra bashkëshorti i ka thënë se“Kjo goja jote e ndyrë po na shkatërron familjen”, mësohet t’i ketë thënë Ferdinand Ruko bashkëshortes përpara se ta çonte me dhunë drejt tualetit. Ndërkohë që “bashkëshortja i është kthyer duke i thënë se, mua po më vret ti, familjen po e shkatërron ti, dhe po ashtu ka patur edhe veprime të dhunshme mes tyre”, shprehet Biçaku. Sipas Biçakut, burrit iu deshën 3 minuta që ta hidhte gruan nga dritarja e tualetit në katin e katërt. Gjatë kësaj kohe ajo ka bërë të pamundurën që ta ndalë, por pa ia arritur qëllimit.

Pastor Paulin Vilajeti ka treguar një rast shumë tragjik në emisionin Opinion, ku një nënë ka tentuar të vrasë djalin e saj. Pastori ka theksuar se nëna ka qëlluar me gurë djalin e saj, duke e lënë për të vdekur, por fatmirësisht, aty ka kaluar policia e cila ka dëgjuar një zë të mekur, ajo është ndalur dhe e ka dërguar menjëherë në spital. Ai tregoi më pas e kemi marrë dhe e kemi rritur atë, sipas tij, burokracia është një dhimbje shumë e madhe në raste të tilla. Pastori tha se: “qendrën sociale ne e kemi hapur në vitin 1994 dhe nga ai vit, deri tani, kemi kaluar 57 fëmijë, por ajo që dua të them, asnjë nga fëmijët që kanë kaluar tek Shtëpia jonë e fëmijës, nuk është një problem në gjirin tonë. Një ndër gjërat që vura re sot në letrat e publikuar në media ku ai i kishte thënë se, i dashur baba, nuk të pyeta, kur unë e mora për grua, që nga kjo kryefjalë e letrës së tij mua më lë të kuptoj se ky njeri ka qënë i braktisur edhe nga familja. Ne kemi një mentalitet skandaloz, kur fëmija merr një vendim , familja e braktis, familja i thotë vetë e ke marr, pra e ka derën e mbyllur në familje, shoqëria e përbuzë atë”.

Eskpertja e dhunës në familje në Ministrinë e Brendshme, Silvana Alimadhi, ka kritikuar pastori Paulin Vilajetin për rastin e mos denoncimeve të rrëfyera në Kishën e tij, ku i janë raportuar nga njerëz të ndryshëm insiativa për të vrarë gruan e tyre. Vilajeti është ndalur në çështjen e bulzimit në shoqërinë shqiptare. Ndërsa, ka nënvizuar se kam pasur raste kur njerëz të ndryshëm që kanë ardhur dhe kanë rrëfyer në Kishë se dua të vras gruan. Ka mjaftuar kjo deklaratë, që pastori të vihet në fokusin e kritikës nga Alimadhi për mos denoncim krimi. Duke nënkuptuar se një mos kallëzim i kësaj ndjenje, ku i dihet, një të nesërme të largët, mund të shndërrohej në një akt tragjik i krimit të familje.