Të ftuar:

Artan Hoxha – Gazetar Investigativ

Voltana Ademi – Kryetare e Bashkisë së Shkodrës

Besfort Lamallari – zv. Minister i Brendshëm

Mentor Kikia – Gazetar

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, të hënën në darkë, deklaroi në lidhje me vrasjen e 42-vjeçarit Alket Muho në Memaliaj se nuk përjashtohet mundësia e të qenit informator i uniformave blu, duke hedhur dyshime rreth versionit zyrtar të Policisë së Shtetit.

Hoxha tha se për rastin konkret, askush nuk mund të thotë se ai ishte apo nuk ishte informator i policisë, pasi nuk mund të ketë qenë informator me bordero, por mund t’a ketë informuar policinë.

Sipas tij, i ati i Alket Muhos është shprehur se nga ai dëgjova: Çbëni kështu more djema, kjo është shprehja që ka thënë ai para se të dëgjohej breshëria e kallashnikovit.

Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka deklaruar se 43-vjeçari Alket Muho që u vra në Memaliaj, nuk ka qenë informator i policisë.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, zv/ministri Lamallari dha garanci se Muho nuk ka qenë informator, por vrasja e tij ka lidhje me konflikt pronësie për dy personat e arrestuar, Hetem dhe Dino Muho, at e bir.

“Është mohuar kategorikisht. Sot gjykata ka dhënë masën e sigurisë burg për dy persona, që do të thotë provat që disponojnë flasin për konflikt pronësie. Se çfarë thonë do kanalet mediatike është një gjë, çfarë thonë gjykatat është tjetër gjë”, është shprehur zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.

Sot, Gjykata e Gjirokastrës i la në burg dy të dyshuarit për vrasjen e Alket Muhos. I ndjeri ka denoncuar disa herë në polici dhe SHÇBA për parcela me kanabis të kultivuar në Memaliaj.

Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka ngritur alarmin se në vendin tonë platforma mediatike po përdoren nga grupet kriminale.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të diskutuar për situatën kriminale në Shqipëri, e sidomos në Shkodër, Lamallari deklaroi se “platforma mediatike paguhen nga grupe kriminale për të goditur grupe rivale”.

Në emision po diskutohej për vrasjen e biznesmenit Arian Ferracakut në Shkodër, pistat e hetimit që po ndiqen dhe për disa vrasje që kanë ndodhur seri në këtë qytet verior.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, të hënën, deklaroi se përhapja e krimit në Shkodër ka detyruar dhjetra biznese të largohen çdo ditë.

Në një debat me zv.ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari në studion e emisionit ‘Opinion’, Ademi tha se situata në kryeqendrën e veriut është negative, ndërsa u shpreh se si kryebashkiake është shprehur e gatshme për të ndihmuar uniformat blu të qarkut Shkodër.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi akuzon Policinë e Shkodrës se në përbërje të saj ka persona të lidhur me krimin. Këtë deklaratë ajo e bëri në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku po diskutohej për situatën kriminale në qytetin verior.

Kryebashkiakja Ademi ngriti shqetësimin se situata në Shkodër është e rëndë dhe policia duhet të japë mesazhin tek qytetarët se po lufton krimin.

“Pres nga ju, duhet të jepni mesazhin që policia do të ketë vullnetin dhe instrumenta për të bërë punën e vet. Sot që flasim ka persona të inkriminuar që janë në Policinë e Shkodrës që dekonspirojnë operacionet“, iu drejtua Voltana Ademit, zv/ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, i cili ishte gjithashtu i ftuar në emision.

Pavarësisht aksionit të forcave speciale të policisë pak ditë më parë ku u arrestuan 4 persona, Ademi theksoi se situata vazhdon të jetë po njësoj.

“Në Shkodër ka një situatë të vështirë që lidhet me pasigurinë. Gjithë këto ngjarje të ekzekutimeve që ndodhin, dhe ajo që është më shqetësuesja është se situata nuk po ndryshon dhe pritshmëria e qytetarëve është që të ketë një reagim. Fakti është që kemi disa ditë dhe vazhdon të jetë e njëjta situatë. Ka një ankth të shtuar, mungesë qetësie totale e familjeve dhe bizneseve“, tha kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.