Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu do të zhvendoset sot në Shkodër, qark ky që u përfshi ditët e fundit nga përmbytjet, si pasojë e shkarkimeve të ujit nga hidrocentrali i Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.  

Nëpërmjet një transmetimi direkt nga vendngjarja, “Opinion “ do të përfshijë dhe Klan Kosovën, madje përkrah drejtuesit të emisionit, Blendi Fevziu, do të jetë dhe gazetari e analisti i njohur nga Kosova, Baton Haxhiu.

Sot në mbrëmje “Opinion” do të sjellë raportimet më të fundit nga zonat e përmbytyra, plane ekskluzive të evakuimit të banorëve nga uji e ajri.

Pjesë e panelit të emisionit, që sot do të zhvillohet në vendngjarje, do të jenë dhe ministra të kabinetit qeveritar, të cilët do të informojne lidhur me masat që qeveria po ndërmerr për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga kjo situatë.

Gjithashtu në panel do të jetë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, që do të raportojë më gjerësisht lidhur me punën që Forcat e Armatosura kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë në zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës.

Tv Klan