#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Armand Shkullaku, Plarent Ndreca, Baton Haxhiu, Artan Hoxha, Mirela Milori, Artan Hoxha

“Në takimin Rama-McGonigal i pranishëm edhe një ish-agjent special i FBI”, Ndreca zbulon arsyen

Në diskutimin e “Opinion” në Tv Klan rreth çështjes McGonigal, Armand Shkullaku përmend edhe një informacion të publikuar së fundmi. Në takimin në Nju Jork mes Rama-McGonigal ka qenë prezent edhe një agjent tjetër special i FBI, tha Shkullaku.

Armand Shkullaku: Në takimin në Nju Jork, Rama-McGonigal që ka pranuar, paska qenë edhe një agjent  tjetër i FBI i cili më mbrapa është bërë shefi i kundërzbulimit.

Avokati Plarent Ndreca thotë se është një informacion mbi të cilin ka patur dijeni dhe më tej shton se arsyeja e takimit rezulton që nuk ka qenë Lulzim Basha dhe lobimi.

Plarent Ndreca: Është një përfaqësues, Ernst & Young, i cili thashë që ka pasur të bëjë me luftën kundër korrupsionit, me ngritjen e nivelit të sigurisë në vend, me çështje që kanë të bëjnë me…

Blendi Fevziu: Dhe është firmosur edhe një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe këtyre, po.

Plarent Ndreca: Ekzaktësisht dhe është firmosur edhe kjo marrëveshje sepse qëllimi kryesor ka qenë që të marrë eksperiencë nga FBI, nga institucionet ligjzbatuese.

Blendi Fevziu: Çdo studio me FBI?

Plarent Ndreca: Jo studio, ky personi që ka qenë ish-funksionar i FBI, pra mos gaboj ka qenë paraardhësi i McGonigal. Ky në atë moment ka qenë dhe përfaqësues ose punonte te Ernst & Young. Është ftuar kjo firmë gjigande botërore që merrej me auditimin.

Blendi Fevziu: Po, ka çuar edhe foton sot që po firmosej.

Plarent Ndreca: Dhe është ftuar që të futet në tregun tonë dhe të japë shërbimet e veta për qeverinë shqiptare sepse qëllimi ka qenë të gjenden instrumente apo institucione që ndihmojnë qeverinë shqiptare përluftën ndaj korrupsionit, evazionin fiskal, për çështje që kanë të bëjnë me paranë etj, etj.

Artan Hoxha: Takimi është bërë në 4 Mars 2018. I  pandehuri Charlie McGonigal darkoi në Uashington me zotin Neza, kryeministrin e Shqipërisë dhe ish-agjentin special të FBI, i cili punonte në kompani shërbimesh profesionale.

Plarent Ndreca: Ja zoti Fevziu që doli që s’paska qenë Lulzim Basha dhe lobimi arsyeja. Ja doli.

Blendi Fevziu: Ah, ka qenë kjo arsyeja.

Plarent Ndreca: Po pikërisht pra, se unë thashë unë e dija arsyen. Kryeministri i Shqipërisë s’e ka takuar kurrë atë për çështjet e lobimit, fare. Pastaj se kush i jep informacione FBI, FBI ka marrë edhe nga burime të tjera që s’janë në këtë çështje, ka marrë informacione për çështjet e lobimit.

Akuzat ndaj McGonigal, Fatos Dervishi: Hetuesit mund të kenë bërë marrëveshje me Nezën dhe Duçkën

Emisioni Opinion në Tv Klan ka pyetur ish-zv/Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Fatos Dervishi, lidhur me akuzat e ndaj McGonigal dhe lidhjet e dyshuara me lobingun në Shqipëri.

Dervishi ka deklaruar se deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë veprim të kundërligjshëm të Kryeministrit Rama që është takuar me ish-zyrtarin e lartë të FBI, McGonigal.

Sa i përket pyetjes përse është akuzuar vetëm McGonigal dhe jo dy shqiptarët e tjerë të përmendur në dosje, Agron Neza dhe Dorian Duçka. Sipas tij, këta dy persona mund të jenë në një marrëveshje me hetuesit që të përdoren si dëshmitarë në procesin gjyqësor.

Pyetje: A implikohet Rama penalisht nga fakti që ka njohur McGonigal?

Fatos Dervishi: Njohja që mund të kesh me njerëz të tjerë, nuk përbën vepër penale për sa kohë që personalisht nuk tërhiqesh në aktivitet që ti e di që nga natyra janë aktivitet i kundërligjshëm. Në këtë rast Kryeministri është takuar me McGonigal gjatë vizitave të këtij të fundit në Tiranë ose të Kryeministrit në Nju Jork këto takime nuk mund të konsiderohen veprime të kundërligjshme. Ajo që mund të komplikojë situatën nëse Prokuroritë Federale në të dy distriktet të kenë informacione që palët (pra qoftë Kryeministri dhe McGonigal dhe Personi A dhe Personi B) të kenë hyrë në marrëveshje që McGonigal të krijonte dosje apo të lançonte investigime për llogari të Kryeministrit apo partisë që ai drejton. Por kjo ngelet në kuadrin e akuzave që McGonigal i atribuohen në këtë moment. Por duke lexuar instrumentin me akuza ndaj McGonigal del se Personi A dhe Personi B kanë dhe informacione të detajuara për të gjithë periudhën që bëhet fjalë.

Pyetje: Përse Prokuroria nuk ka ngritur akt-akuzë ndaj Duçkës dhe Nezës, por vetëm ndaj McGonigal?

Fatos Dervishi: Bazuar në Criminal Complaint që është dorëzuar nga Prokurori Federal i Columbia Disctrict me DC, psasi juria e madhe në fshehtësi, pasi ka dëgjuar US Attorney ka vendosur që të akuzojë z.McGonigal me një sërë akuzash që lidhen me aktivitete që janë konsideruar kriminale në natyrë si gjatë kohës që ishte në detyrë si FBI Special Agent për kundërzbulimin por edhe pas lënies së detyrës. Përgjigjen e kësaj pyetje vetëm US Attorney mund t’i japë përgjigje qoftë ai i Southern Disctrict of NY ose ai në Disctrict of Columbia pse nuk kanë ngritur akuzë ndaj Personit A dhe Personit B. Me çfarë unë shikoj për momentin Prokurorët Federalë mund t’i kenë përdorur dëshmitë e Personit A dhe Personit B për të konsoliduar akuzat e ngritura nga juritë në të dy distriktet. Ndoshta kanë hyrë në një marrëveshje me Personin A dhe Personin B që në këtë rast t’i përdorin si dëshmitarë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet kundër McGonigal. Po ashtu mund të ekzistojnë të dhëna të tjera që përbëjnë sekret për momentin që nuk duhet publikuar apo të futen në Criminal Complaint apo Indictment Documents që çelen përpara Federal Judge.

“A implikohet Rama penalisht nga fakti që ka njohur McGonigal?”, avokatja Jasini: Gëzon imunitet të plotë si Kryetar Shteti

“Fakti që Rama e ka njohur ish-zyrtarin McGonigal, a e implikon penalisht Kryeministrin?”, ka qenë kjo pyetja të cilës i është përgjigjur për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rudina Jasini, studiuese dhe avokate e së Drejtës Penale Ndërkombëtare.

Në përgjigjen e saj, Jasini ka thënë se Kryeministri Rama gëzon imunitet të plotë si Kryetar Shteti ndaj çdo ndjekje penale nga një shtet i huaj (me përjashtim të rasteve të genocidit, të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit).

Pyetje: A implikohet Rama penalisht nga faki që ka njohur McGonigal?

Përgjigje – Rudina Jasini, studiuese dhe avokate e së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Universiteti Oxford: Kryeministri Rama gëzon imunitet të plotë si Kryetar Shteti, pra si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ndaj çdo ndjekjeje penale nga një shtet i huaj, (me përjashtim të rasteve të genocidit, të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.) Çdo pasojë e mundshme e asaj që mund të ketë ndodhur dhe çdo përfshirje që përbën shkelje të ligji, si në SHBA dhe në Shqipëri, lidhet me  përgjegjësinë politike dhe morale të Z. Rama. Por kjo nuk përjashton përgjegjësi të mundshme të mëvonshme kur ai nuk është më Kryetar Shteti.

Është prerogative e Prokurorisë të përcaktojë në bazë të provave, evidencës dhe informacionit të disponueshëm se kush do të jetë subjekt i një aktakuze të ngritur. Kjo nuk do të thotë që individë të përfshirë në këtë “afere” të mos përbëjnë në një moment të mëvonshëm subjekt të mëtejshëm të investigimit, nëse transaksioni i kryer ka ndodhur në territorin e SHBA-së, apo nëse ka patur shtetas amerikanë të përfshirë. Por kjo varet tërësisht nga baza materiale dhe informacioni që prokuroria ka dhe se kë vlerëson ajo me prioritet që të ndjekë penalisht.

Rama: McGonigal hetohet vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar përmes zyrës së tij të shtypit në lidhje me akuzat që opozita ka hedhur drejt tij për çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së McGonigal.

Kryeministri Rama thotë se hetimi është zhvilluar në SHBA dhe konkluzioni i tij nuk ka lidhje as me të dhe as me qeverinë shqiptare.

Rama deklaron se “zyrtari i lartë i FBI-së hetohet vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij.

“Ky mal i madh mbarsur me fantazi dhe ligësi, do të pjellë edhe më pak se një mi. Fatmirësisht gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit s’ka asnjë lidhje me mua a me qeverinë shqiptare. Paratë e marra prej rusëve nga PD nuk janë shpikje, po fakt po ashtu i hetuar dhe i provuar botërisht.

Deri dje thoshin Edi Rama dhe Sorosi, sot thonë Edi Rama dhe zyrtari i lartë i FBI, por si njëra si tjetra bien përtokë përballë fakteve të hetuara.

Në këtë çështje zyrtari i lartë i FBI nuk akuzohet fare për asgjë nga këto që fliten me ulërima në Shqipëri, po vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij”, thuhet në reagimin e Kryeministrit Rama.h

Reagimi në lidhje me këtë çështje vijon pasi Kryeministri Rama i quan qesharake akuzat për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri.

“Edhe më qesharake janë akuzat për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, si pjesë e këtij konspiracioni agjenturor të tipit kinematografik “Fije që priten”. Kompania Strabag është flamuri më i madh i ekonomisë austriake, e cila ashtu si edhe kompania Trema operojnë në Shqipëri prej dekadash. Të lidhësh një aksioner rus të këtyre kompanive (i cili së fundmi është përjashtuar prej tyre si një individ nën sanksionet e luftës) me këtë përrallë që edhe pa të është krejt groteske, do të thotë të jesh në dëshpërim total. Dihet që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe kjo histori është pasqyrë besnike e dëshpërimit të opozitës sonë, e cila përveçse s’ka kokë ka mbi kurriz çështje madhore si Gërdeci, 21 janari apo edhe lidhjet ruse qysh në kohën kur bashkoi votën me partinë e Putinit në Këshillin e Europës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjitha këto janë fakte që kërkojnë drejtësi, jo teori konspiracioni dhe s’ka teori konspiracioni që i varros dot në harresë”, thuhet në reagimin e Kryeministrit Rama.

Dosja “McGonigal”, Shkullaku: Komplot i pastër, tentativë për të korruptuar zyrtarë të lartë të FBI

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të diskutuar rreth çështjes “McGonigal”,  gazetari  Armand Shkullaku thotë  se ka disa elemente shqetësuese. Si fillim, ai rendit pritjen e zyrtarit të FBI nga kryeministri i Shqipërisë dhe takimi 4 herë me të pa verifikuar dhe pa dijeninë e ambasadës ose shtetit amerikan sipas protokollit zyrtar.

Së dyti, pjesëmarrja e personave privatë në takim, i cili është zhvilluar në mungesë të zyrtarëve të ambasadës. Dhe së treti, përfshirja e Dorian Duçkës si këshilltar pa pagesë i kryeministrit, i cili përdor pasaportë diplomatike dhe email zyrtar qeveritar, për të cilin nuk dihet nëse ka konflikt interesi. Veç kësaj, Shkullaku shton se Duçka figuron në aktakuzë si personi që ka paguar udhëtimet e zyrtarit dhe dëshmitarëve në Europë të përfshirë në çështjen e rrëmbimit të Nick Muzinit. Të gjitha këto, sipas gazetarit, të çojnë drejt një pike.

Armand Shkullaku: Unë mendoj që këtu kemi të bëjmë me një komplot të pastër, tentativë për të korruptuar zyrtarë të lartë të FBI për t’i bërë ata pjesë të lojës së brendshme në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Zhvillimeve politike shqiptare.

Armand Shkullaku: Dhe dalim tek, po prapë duke iu referuar aktakuzës, pas takimit me Edi Ramën më 20 Nëntor 2017, më datë 25 McGonigal kthehet në Uashington dhe i kërkon të njëjtit prokuror me të cilin kishte intervistuar biznesmenin politikan, të njëjtin prokuror të Departamenit të Drejtësisë që të hetojë për rastin e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA. Nis kjo çështje, aktakuza në pikën e saj 40 thotë që Agron Neza i ka çuar McGonigal disa dokumente të cilat kishin dalë nga zyra e kryeministrit Edi Rama. Pra kjo shpjegon që ky ka vajtur me këto dokumenta të marrë nga Edi Rama dhe i ka kërkuar të nisë një hetim për llogari të luftës së brendshme politike në Shqipëri dhe menjëherë pas kësaj ky i ka kërkuar vartësit të tij në zyrën e FBI në Nju Jork të nisë një hetim i nxitur nga personi A që është Agron Neza.

Unë nuk them që këto Rama ia ka dhënë Rama Agron Nezës, këtë unë nuk e di, por për sa kohë një ndërmjetës privat, biznesmen shqiptar që shkon në zyrën e kryeministrit shqiptar, ha dreka e darka me atë, i çon dokumenta të zyrës së kryeministrit, ia jep një oficeri të FBI dhe bashkë me të jep dhe lekë nëpër parkingje makinash, unë këtë e shikoj si pjesë të kompromentimit të këtij ingranazhi për interesa dhe prandaj them që është shumë shpejt për të bërë deklarata se do mbeten që nuk ka lidhje se këtë herë nuk është drejtësia shqiptare, është drejtësia amerikane.

225 mijë Dollarë për McGonigal për lobim? Plarent Ndreca: Nëse do kishte korrupsion, do arrestohej edhe shqiptaro-amerikani

Juristi Plarent Ndreca thotë se nuk ka korrupsion në dosjen për ish-zyrtarin e lartë të FBI, McGonigal, ku përmendet se ka marrë 225 mijë Dollarë nga shqiptaro-amerikan Agron Nezaj. Aludimet në media se paratë janë dhënë për të hetuar opozitën shqiptare pas takimit që McGonigal pati me Kryeministrin Rama, Plarent Ndreca thekson se këto akuza nuk qëndrojnë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Ndreca theksoi se në dosjen e McGonigal ka vetëm 3 akuza, që janë falsifikim dokumenti, mosdeklarime dhe deklarime të rreme.

Sipas tij, FBI ka hetuar dhe nuk ka dalë në konkluzione për korrupsion nëse paratë do të ishin përdorur për çështje lobimi nga Shqipëria.

Plarent Ndreca: Akuzat janë vetëm 3 që kanë të bëjnë me falsifikim domumenti, mosdeklarime dhe deklarime të rreme. Këto janë 3 akuzat që bëhen për zyrtarin e FBI-së. Faktet që ka përmendur janë në funksion të akuzave që kanë lidhje me mosdeklarimin. Ka takuar këtë nuk e ka deklaruar, ka marrë ca para dhe nuk i ka deklaruar, ka shkuar dhe bërë një takim për çështje të caktuara dhe nuk i ka deklaruar. Kanë lidhje me pozicionin e një funksionari shtetëror, si në Shqipëri. Ky e ka thyer këtë raport me shtetin e tij dhe me funksionin që ka mbajtur dhe për këë arsye është akuzuar.

Blendi Fevziu: Neza që jep 225 mijë Dollarë, pse nuk hetohet?

Plarent Ndreca: Është hetuar, sepse FBI ka hetuar paranë, FBI është shumë e qartë për paratë, për shumë e parave, dhe madje është e qartë se ku janë dhënë. Ka filluar hetimi në 2017, ka hetuar për një periudhë kaq të gjatë kohe, prezumon ligjërisht që ata e kanë ezauruar edhe këtë moment në lidhje me korrupsionin. Sepse ata janë shumë të qartë që thonë se Kryeministri i Shqipërisë është takuar, është marrë informacion nga Shqipëria për një lobim në Amerikë, çështje lidhur me një parti që s’është e Kryeministrit të Shqipërisë, pra janë të qartë si pozicione politike, dhe kjo nëse do ishte korrupsion ata nuk do mbeteshin më tek deklarimet e rreme, do shkonin tek korrupsioni sepse të marrësh para për të bërë një detyrë shtetërore është korrupsion. Është dhe aktiv, është dhe pasiv. Çka domethënë nëse paratë do ishin për të ushtruar një detyrë apo për ta bërë detyrën siç kërkohet nga ai që jep paratë, do dënoheshin të dy, si A-ja, si funksionari.

Dosja e McGonigal, Hoxha: Duhet të ketë një hetim nga autoritetet shqiptare

Gazetari Artan Hoxha thotë se për çështjen e shumëpërfolur “McGonigal” duhet të hapet dhe një hetim në Shqipëri, duke qenë se në dosjen hetimore flitet edhe për zyrtarë shqiptarë dhe takime të ish-zyrtarit të FBI-së në Shqipëri.

I ftuar në emisonin “Opinion” në Tv Klan gazetari Hoxha thotë se në mënyrë që të fashitet mjegulla pas kësaj çështje, duhet që prokurorët shqiptarë të hapin një hetim dhe të provohet a kanë përfshirje apo jo emrat e zyrtarëve shqiptarë që dalin në këtë dosje hetimore.

Artan Hoxha: Kjo është një çështje që për mua, të fashitet mjegulla, duhet të ketë një hetim nga autoritetet shqiptare. Nuk e di se çfarë e pengon një prokuror në këto momente. Kemi një ish-zyrtar të rëndësishëm të FBI-së që në një kohë të caktuar ka luajtur një rol të rëndësishëm në hetimin e influencës ruse në SHBA. Kemi një oligark rus të përfshirë në këtë histori. Kemi një sasi të konsiderueshme parash, por duke pasur parasysh se 500 mijë Euro iu gjetën pastrueses tek tubi, ajo 225-shja duket e vogël. Punokan shumë lirë në krahasim me standardet tona.

Blendi Fevziu: A është Neza dëshmitari kyç?

Artan Hoxha: Sigurisht që ai është në hetim nga lënda që kam parë, padiskutim që njeriu që ka bërë shumë identifikime për hetimin që po bëhet në SHBA që ka saktësuar shumë takime, udhëtime, patjetër që është Neza. Është fakt që deri tani nuk kemi një akuzë të ngritur për korrupsion. Atje nuk ka mbaruar as hetimi dhe as gjykimi. Neza, edhe pse është shtetas amerikan, nuk ka një masë sigurie ndaj tij. Ka shumë të dhëna që të japin se Neza ka bashkëpunuar. Hetimi amerikan ka hetuar më gjerë se çështja e parave. Ne na intereson përfshirja e Kryeministrit të Shqipërisë, të zyrtarëve shqiptarë dhe ky do të bëhet do të bëhet nga autoritetet tona. Me kaq sa kanë dalë tani, unë nuk shoh asnjë pengesë për asnjë prokuror të Shqipërisë që të niste një procedim. Ta thërrasin Personin A dhe B.  Pse të mos ketë një hetim dhe për këtë dhe çfarë të keqe ka qe të provojë a kanë përgjegjësi këta apo jo.

Çështja “McGonigal”, gazetari Artan Hoxha: Agron Neza ka shërbyer si burim informacioni për FBI-në

Gazetari Artan Hoxha thotë se Agron Neza, shqiptaro-amerikani që përmendet në dosjen e drejtësisë amerikane ku akuzohet ish-zyrtari i FBI Charles McGonigal, ka shërbyer si person që informonte FBI-në për çështje të ndryshme.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Artan Hoxha u shpreh se Agron Neza është personazh i njohur në Shqipëri i cili ka qenë burim informacioni për FBI-në amerikane për çështje të ndryshme që ndodhnin në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Është e vërtetë që ai prezantonte veten si një person që punonte në FBI?

Artan Hoxha: Vitin e parë apo dy vitet e para vërtetë dhe unë kam menduar, sepse prezantimi ky ishte. Ky është një punonjës që ka punuar me FBI. Në fakt ai ka shërbyer si burim informacioni në disa çështje?

Blendi Fevziu: Për FBI?

Artan Hoxha: Për FBI.

Blendi Fevziu: Ç’domethënë burim informacioni?

Artan Hoxha: Ka dhënë informacion në lidhje me çështjet që i interesonin FBI-së, çështjet e rëndësishme. Edhe në këtë rast një nga episodet është pikërisht, ai ka çuar informacion në FBI.

Blendi Fevziu: Ka çuar informacion për çështjen konkrete?

Artan Hoxha: Për çështjen Muzin, informacioni ka shkuar në këtë formë, ka ardhur nëpërmjet atij. Çështja pastaj në SHBA është nisur nëpërmjet kësaj rruge. Mënyra se si ai e ka marrë informacionin në Shqipëri, kjo është pjesa që ha diskutim. Por ai është një personazh i cili nuk është i panjohur në Shqipëri, përkundrazi, ka qenë i interesuar për disa çështje shumë specifike.

/tvklan.al