Komisioni i Venecias pritet ta bëjë sot publik opinionin mbi Ligjin e Vetting -ut, pas kërkesës së bërë nga Gjykata Kushtetuese. Mendimin e saj, “Venecia”do ta japë bazuar në katër pyetje, që kjo Gjykatë i ka drejtuar Komisionit.

Siç shihet në këtë dokument të siguruar nga Televizioni Klan, duke marre në konsideratë faktin se Gjykata Kushetuese është subjekt i Ligjit për Vetting-un, Kushtetuesja e pyet Komisionin e Venecias nëse ajo ka konflikt interesi në gjykimin e çështjes.

Një tjetër pyetje ka të bëjë me faktin se; a i respekton Ligji i Vetting-ut parimet themelore të shtetit ligjor, ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe a është e rrezikuar pavarësia e sistemit gjyqësor nga përfshirja e organeve nën kontrollin e ekzekutivit, në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për Gjykatën Kushtetuese, me rëndësi është edhe nëse Ligji i Vetting-ut është në përputhje me Artikullin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për hetim të drejtë dhe nëse dispozitat ligjore bien ndesh me vlerësimet dhe Artikullin 8 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për respektimin e privatësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Opinioni i Komisionit të Venecias do t’i shërbejë Gjykatës Kushtetuese për të patur një optikë edhe më të zgjeruar mbi Ligjin e Vetting-ut, por do të jetë Gjykata Kushtetuese, ajo që do të vendosë nëse ligji bie ndesh me Kushtetutën, bazuar në pretendimet e ngritura nga opozita në kërkesë  padinë e saj.

Ligji i Vetting-ut ka shkaktuar debat ditët e fundit për shkak se opozita gjeti gabime në variantin a parë të ligjit në përkthimin Anglisht, që iu dërgua Venecias dhe për këtë fajësoi misionin “EURALIUS”.

Tv Klan