Opinioni i Venecias, Presidenti Meta: 11 Tetori jo i rëndësishëm, merruni me 18 Tetorin

Opinioni i Venecias, Presidenti Meta: 11 Tetori jo i rëndësishëm, merruni me 18 Tetorin

17:23 11/09/2019

11 Tetorin, datë kur pritet të dalë opinioni i Komisionit të Venecias nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, Ilir Meta e konsideron jo të rëndësishme.

Në një konferencë për mediat, kreu i shtetit është shprehur se nuk ka shkelur Kushtetutën me vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 Qershorit.

Presidenti deklaroi se data 11 Tetor kur dhe pritet opinioni i “Venecias”, nuk ka aspak rëndësi për qytetarët. Por, data ku duhet të fokusohen të gjithë, thekson Meta, është 18 Tetori, dita kur pritet të merret vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Dua të falenderoj Kuvendin e Shqipërisë për këtë respekt të madh që tregon ndaj Komisionit të Venecias dhe t’ju bëj të ditur se bashkëpunimi i Presidentit të Republikës me Komisionin e Venecias do të jetë jashtëzakonisht i shkëlqyer dhe transparent. 11 Tetori është një datë jo e rëndësishme për Shqipërinë, sepse qytetarët e dinë se Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Kuptohet që çdo përpjekje për të sajuar një datë si fokus propagande, për fat të keq është një lëvizje dëshpëruese për të shmangur datën më të rëndësishme që kemi përpara, që është 18 Tetori. I ftoj të merren me 11 Tetorin, por të merren aq sa duhet. Të merren të gjithë më 18 Tetorin, se çdo bëhet me 18 Tetorin edhe me shqiptarët”.

Kreu i shtetit sqaroi edhe termin “çdekretim” të datës së zgjedhjeve, dhe këtë e ilustroi duke përmendur realitetin në Shqipëri, ku sipas tij ekziston “shteti i propagandës” dhe “shteti i së drejtës”.

Duke iu referuar mazhorancës, Meta tha se termi “çdekretim” është krijuar nga “shteti i propagandës”.

“Në shtetin e propagandës thuhet që Presidenti nuk ka të drejtë të çdekretojë. Dhe ju me të drejtë thoni, a ekziston fjala çdekretim? Jo nuk ekziston! Unë kam të drejtë të nxjerr dekrete. Kuvendi i Shqipërisë ka të drejtë të nxjerrë ligje. Qeveria të nxjerrë vendime. Unë kam të drejtë të nxjerr dekret për të shfuqizuar dekretin tim të mëparshëm. Kjo është  një lojë propagandistike. Është e pavërtetë”.

I pyetur nga gazetarët për deklaratën se kishte informacione për djegien e Kuvendit më 8 Qershor, Presidenti Meta ripërsëriti se informacioni që i ishte dhënë nga një institucion i lartë i sigurisë është mëse i vërtetë.

“Kjo është e vërtetë, unë nuk kam thënë ndonjëherë gënjeshtër. Unë nuk mund të them diçka më shumë në respekt të ligjit. Sikurse e kam bërë të ditur përpara Komisioni Hetimor, ata i kanë të gjitha mundësitë sipas ligjit të njihen me këtë informacion. Mund t’ju them që kanë dërguar një kërkesë në Presidencë për t’u njohur me këtë informacion dhe po kështu në respekt të ligjit Presidenca ka kthyer përgjigje dhe Kuvendit dhe institucionit i cili është burimi i këtij informacioni që t’ia vërë në dispozicion sipas rregullave të deklasifikimit Kuvendit të Shqipërisë për t’u njohur me të. Por informacioni është tërësisht i vërtetë. Ajo që mund t’iu them me bindje të plotë është në këtë dokument do të mund t’i ndiqni të gjitha zhvillimet e asaj kohe, të gjitha shqetësimet, këtu nuk ka dhe nuk do të ketë për publikun vetëm dokumente të klasifikuara për sekret, por çdo institucion që ka interes në mënyrë të ligjshme mund të njihet, dhe do të kuptoni që ishte një situatë tërësisht e çmendur edhe më mirë nuk mundet ta përshkruante edhe vetë raporti final i OSBE/ODIHR. Në mënyrën më objektive me një fjali e përshkruan gjithë atë situatë. ‘Ky antagonizëm’. Antagonizëm është shkalla më e lartë e armiqësisë, pas antagonizmit vjen vetëm lufta. ‘Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor”. /tvklan.al

Të ngjashme