Opinion – Kryeministri Edi Rama

Posta

Opinion – Kryeministri Edi Rama

Autori: Blendi Fevziu

20:55 24/10/2019

Të ftuar: Andi Tela, Andi Bejtja, Mark Marku dhe Mustafa Nano

Rama shpjegon përse është rritur numri i azilkërkuesve në Francë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron e konsideroi shqetësim rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama thotë se kjo deklaratë e Macron është për konsum të brendshëm politik në Francë dhe nuk ka të bëjë aspak me refuzimin për mos hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama pranoi se ka rritje të numrit të azilkërkuesve në Francë, duke shpjeguar edhe arsyet e këtij fenomeni.

Blendi Fevziu: A është rritur numri i azilkërkuesve shqiptarë? Pse? Ka një arsye?

Edi Rama: Patjetër, ka një arsye. Dhe arsyeja lidhet me faktin që fluksi i azilkërkuesve, që nuk janë politikë fare, janë qytetarë të Europës që njësoj si gjithë qytetarët e tjerë të Europës lëvizin për punë, por ndryshe nga qytetarët e BE nuk janë njerëz të lirë brenda tregut të punës, nuk mund të shkojnë të regjistrohen në punë, dhe shkojnë bëjnë kërkesë për azil për të fituar kohë. Deri në momentin kur Gjermania ishte një destinacion që ofronte një paketë bujare për ata që vinin për të bërë azilkërkimin, pra para, muaj të tërë për shqyrtim, nuk shkonte njeri në Francë. Kthesa filloi kur me Gjermaninë ne arritëm që të krijojmë atë që duhet, bazën e origjinës së sigurtë. Pra, Shqipëria është një vend origjine i sigurtë, nuk është në luftë.

Sa u përket vendeve të Bashkimit Europian që refuzuan hapjen e negociatave për Shqipërinë, Kryeministri sqaroi se ishin kundër vetëm Holanda dhe Danimarka. Ndërsa Franca, sipas Ramës, ka një qasje tjetër për procesin e zgjerimit të BE-së, që bie në kundërshtim edhe me Gjermaninë.

“Nuk ka pasur një shumicë vendesh kurndër Shqipërisë. Ka pasur vetëm dy vende, Holanda dhe Danimarka. Asnjë tjetër. Ka pasur një shumicë dërrmuese vendesh jo vetëm pro, por pa kushte. Një vend i vetëm Po me disa kushte që ishte Gjermania dhe që me atë pozicion tentoi të krijonte një urë. Franca ka një pozicion që nuk ka asnjë lidhje me Maqedoninë e Veriut apo me Shqipërinë në vetvete, por ka lidhje me një qasje komplet tjetër në konflikt me qasjen gjermane për mënyrën si duhet të vazhdojë procesi i zgjerimit. Franca është një nga aktorët kryesorë që ka bllokuar de facto vazhdimin e hapjes së kapitujve për Serbinë dhe Malin e Zi”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Rama: Më mori Merkeli në telefon. Fevziu: Nuk kishte punë tjetër ajo?

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një bisedë telefonike 45 minuta me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri sqaroi se ka qenë Kancelarja Merkel ajo që e ka telefonuar paraditen e së enjtes.

Sipas Kryeministrit, biseda me Kancelaren gjermane është fokusuar në çështjen e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Edi Rama: Më mori Kancelarja sot në telefon, nuk e mora unë.

Blendi Fevziu: Të mori Merkeli apo e more ti?

Kryeministri Edi Rama: Jo mo jo, më mori Kancelarja në telefon. Praktikisht më kanë marrë dhe kam telefonata me të gjithë.

Blendi Fevziu: Po s’kishte punë tjetër ajo sot? Të rrinte 45 minuta në telefon?

Kryeministri Edi Rama: Në rregull!

Blendi Fevziu: Vazhdo pra vazhdo. Çfarë u tha?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një çështje shumë serioze. Në qoftë se ti do të më fyesh e të më thuash s’kishte ajo punë tjetër se sa të fliste me ty, i bie që të them s’kam punë tjetër të flas me ty.

Blendi Fevziu: Nuk mund të më thuash ti mua mos u merr me diversantë kur të përmend 15 kushte. Tani përgjigju!

Kryeministri Edi Rama: Kancelarja e Gjermanisë më merr në telefon dhe flet për si ndodhi, pse ndodhi dhe çfarë duhet të bëjmë bashkarisht që kjo që ndodhi të riparohet duke bërë gjënë e duhur. Gjëja e duhur është që duhen hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Rama: BE nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë

Kryeministri Edi Rama thotë se Bashkimi Europian nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë, një herë në 2018-n dhe herën e dytë në Qershor të këtij viti.

Reagimi i Kryeministri erdhi pasi gazetarët në studion e “Opinion” i kujtuan një Twitter të vitit 2018-të ku informonte se vendi ynë kishte marrë dritën jeshile drejt BE.

Edi Rama: Edhe tweet edhe kjo ceremoni është bërë pas Këshillit Europian. Dhe 72 orë para tweet-it tim, Këshilli Europian ka marrë vendimin unanim për të çelur rrugën e negociatava. Dhe kaq e vërtetë është kjo sa këtu ka ardhur edhe Komisioneri për Zgjerimin, ka qenë edhe në Shkup, ka bërë edhe një mbledhje me qeverinë. Dhe neve dhe Maqedonisë së Veriut i është dhënë në dorë instrumenti që kanë përdorur të gjitha vendet pas hapjes formale të negociatave, pra kemi filluar procesin që normalisht vendet e fillojnë pasi hapin negociatat.

Blendi Fevziu: Pra ju kanë gënjyer ju bie?

Edi Rama: Tani unë nuk kam ardhur këtu dhe nuk i kërkojmë asnjë llogari Macronit, askujt. Faktikisht, BE nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë. Një herë në 2018-n dhe njëherë në Qershor. Merreni lexojeni çfarë kanë thënë në Qershor. Kanë thënë për këtë çështje do të vendoset për në Tetor. Ajo e kushteve nuk është një arsye për të akuzuar Shqipërinë, ajo është një arsye për të kuptuar se procesi i integrimit dhe procesi i të gjitha vendeve që duan të futen në BE, është bërë gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe gjithmonë e më i lidhur nga nevojat e brendshme të atyre nxjerrin bishta.

Rama përplaset me Mustafa Nanon live: Edhe ti shikon nga pantallonat që mësove ngjyrat e veshjeve nga unë?

Analisti Mustafa Nano ka debatuar me Kryeministrin Edi Rama mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Diskutimi për mos hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka përplasur analistin me Kryeministrin.

Debati mes tyre përfundoi për mënyrën e veshjes së Kryeministrit Edi Rama dhe që shkoi i veshur në Bruksel, me ato që Mustafa Nano i quan “poture”.

Mustafa Nano: Do na lejosh të shprehemi?

Kryeministri Rama: Shprehu, po s’mund të thuash ti është vendi më i mirë (për Maqedoninë) këmbë mbi këmbë. Pse qenka vendi më i mirë?

Mustafa Nano: Po ç’është kjo arrogancë në vendin më të qelbur të Europës? Edhe për fajt të Kryeministrit edhe vjen këtu e na kanosesh ne? Po ç’është kjo? Pse s’të pëlqen kjo e imja ty (këmbë mbi këmbë)? Të na pëlqejnë poturet e tua.

Kryeministri Rama: Këmbë mbi këmbë, vendi më i mirë. Lere tani. Pse qenka vendi më i mirë?

Mustafa Nano: Sepse është tradicionalisht më i miri. Nuk lidhet vetëm me ju, por këto 6 vite është bërë më i mirë.

Kryeministri Rama: Nuk është e vërtetë! Pse? Më jep një fakt.

Mustafa Nano: Nuk ka azilantë malazezë. Nuk ka azilantë maqedonas.

Kryeministri Rama: Je komplet gabim. Harron të gjithë strukturën sociale të këtyre vendeve dhe harron që ato vende…shko në Mal të Zi, shko në Serbi, shko dëgjoji për faktin që thonë nuk ka njerëz për punë, nuk kanë. Ato vende kanë një strukturë sociale tjetër.

Mustafa Nano: Unë kur shikoj nga shtëpia gazetar me Kryeministër, nuk i kam qejf gazetarët që ngrenë zërin me Kryeministrin se kam qejf që Kryeministrin e vendit tim ta respektoj.

Kryeministri Rama: Dakord, por mos përdor terma ekstremë se pastaj…

Mustafa Nano: Jo nuk përdora ekstrem unë, por ju do më lejoni të flas.

(Kryeministri Rama imiton qëndrimin e analistit Mustafa Nano).

Kryeministri Rama: Ç’është kjo?

Mustafa Nano: Po jo si njeri që shkon me poture në Bruksel dhe çuditet nga këmbë mbi këmbë. Pse u çudite nga pozicioni im?

Kryeministri Rama: Edhe ti shikon nga pantallonat që mësove ngjyrat e veshjeve nga unë? Edhe ti shikon nga pantallonat? I lashë unë ngjyrat, i more ti. Unë s’të them pse i more ngjyrat.

Blendi Fevziu: Po lere se çfarë lidhje ka kjo.

Kryeministri Rama: Si mund të biesh ti në këtë nivel dhe të thuash shkon me poture në Bruksel? Ç’është kjo fjali, shkon me poture në Bruksel?

Mustafa Nano: Duterte dhe Chavez kanë përdorur veshje…

Kryeministri Rama: Ata kanë shkuar me rroba ushtarake.

Mustafa Nano: Jo mo me veshje të veçanta.

Kryeministri Rama: Edhe ti merresh me këto mo? Je bërë si ata pensionistët e kohës së Enverit që shikonin pantallonat?

Mustafa Nano: Veshja z.Kryeministër që jeni veshur ju sot, që jam veshur dhe unë, është një veshje e stërtestuar nga koha. Në shekullin e fundit kanë ndodhur revolucione sa të duash. Një nga të paktat gjëra që unk ka ndryshuar është veshja e politikanëve. Duhet ta ketë një arsye kjo. Pse dhe Trump vishet siç është veshur Ëillson para 100 vjetësh? Arsyeja është që nëpërmjet veshjes, njeriu, sidomos politikani që ka të bëjë edhe me masa të mëdha njerëzish të cilat duhet t’i bindi, duhet t’u përcjellë atyre masave qëndrueshmëri, vetëpërmbajtje, sensin e masës, seriozitet. E ka një logjikë.

Çfarë i ka thënë Merkel Ramës për Kushtetuesen?

Kryeministri Edi Rama thotë se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mungesën e Gjykatës Kushtetuese e ka konsideruar një tregues të suksesit të vetingut. Rama tha se Merkel kishte theksuar gjatë takimit të Posdamit se Shqipëria kishte bërë atë që u ishte kërkuar, pra pastrimin e procesit të vetingut.

Blendi Fevziu: Ju ka thënë Merkeli që është e patolerueshme që jeni pa Gjykatë Kushtetuese?

Edi Rama: Merkeli ka thënë një gjë tjetër dhe këtë mund ta them sepse nuk ma ka thënë thjeshtë mua, e ka thënë publikisht, në takimin e Posdamit. Ka qenë prezent kryeministri i Francës, ai polak etj. Ka njerëz tha, sepse i kishte edhe brenda grupit parlamentar të vet dhe po e them unë çfarë ka thënë: Ka njerëz që më thonë që si mundet ne të hapim negociatat me Shqipërinë kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese? Dhe unë tha i them, çfarë i kemi kërkuar ne Shqipërisë për të hapur negociatat? I kemi kërkuar vetingun, të pastrojë sistemin. Tani tha, nëse Shqipëria do të ishte duke kërkuar të bëhej anëtare e BE, sigurisht që ne nuk mund të bëjmë anëtar një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Por nëse Shqipëria na kërkon që të hapim negociatat, ne do të shikojmë atë që i kemi kërkuar. Dhe nëse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, tha, ky është një sukses që ka arritur vetingu që ka pastruar Gjykatën Kushtetuese. Kjo mjafton që ne të themi po negociatat të hapen dhe deri në momentin kur të bëjmë Konferencën e parë qeveritare të plotësohet Gjykata Kushtetuese”.

Brenda Nëntorit plan të posaçëm për personat me precedentë kriminalë

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” se brenda Nëntorit qeveria do të dalë me një plan të posaçëm për të gjithë personat me precedentë kriminalë, për të cilët tha se do t’u rezervohet një trajtim “që nuk i shkon mendja asnjërit sot në Shqipëri”

“Është reale që ka një problem me një tipologji njerëzish të një moshe të caktuar që përbëjnë këtë që thotë Mustafai, që thua ti etj. Shumë shpejt, besoj brenda Nëntorit do të dal para shqiptarëve dhe do të them ja çfarë është situata ja ça do të bëjmë ne tani. Brenda Nëntorit unë do të shpall një plan të posaçëm për të gjithë personat me precedentë kriminal apo të skeduar si persona të përfshirë në aktivitet kriminal të cilëve do iu rezervojmë një trajtim shumë të veçantë. Një trajtim që nuk i shkon mendja asnjërit sot në Shqipëri. Ne po punojmë për një plan. Kjo gjë që do bëjmë tani ka ardhur koha të bëhet dhe është mundësia të bëhet sepse Policia e Shtetit sot i ka fituar të gjitha ato hapësira në terren. Është vendosur baza për të bërë këto ofensivë të re në raport me këtë kategori njerëzish. Do ta bëjmë në atë mënyrë siç nuk ia pret atyre juve dhe askujt tjetër”.

Për çfarë arsye Kryeministri Rama do të jepte dorëheqjen?

Gjatë debatit në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama është pyetur nga analistët Mark Marku, Mustafa Nano dhe Andi Tela nëse e ka menduar ndonjëherë të jepte dorëheqjen dhe për çfarë arsye do ta jepte.

Kryeministri Rama është shprehur se nuk e ka menduar ndonjëherë se po të mos jetë Kryeministër, vendi do të jetë më mirë. Ndërsa ka renditur dy arsye, që sipas tij, do ta çonin drejt largimit nga pushteti. Ato janë problemet me ligjin dhe me popullin.

Mark Marku: Jepni dorëheqjen si Zaevi, shkoni dhe konsultohuni në popull, bëni zgjedhje të lira dhe ta shikoni se çfarë mendon populli.

Kryeministri Rama: Ti mos u shqetëso fare për këtë punë. Unë nuk jam nga ata që iki, jam nga ata që i çoj deri në fund betejat e mia.

Mustafa Nano: Të ka shkuar ndonjëherë mendja që po mos të jesh Kryeministër, vendi i bëhet mirë?

Kryeministri Rama: Sikur të më shkojë në mendje kjo, unë menjëherë largohem. Por kjo nuk më ka shkuar në mendje. Që të jem shumë i sinqertë me ty.

Mark Marku: Dhe as do të shkojë!

Andi Tela: Për cilën arsye ju do jepnit dorëheqjen si Kryeministër? Çfarë duhet të ndodhte që ju të jepnit dorëheqjen?

Kryeministri Rama: Një Kryeministër jep dorëheqjen kur ka një problem me ligjin apo me popullin e vetë. Po s’pati një problem me ligjin apo me popullin e vetë për çfarëdolloj arsye…

Mark Marku: Po Zaevi pse e dha? Kryeministri Rama: Sepse ka një problem për të adresuar tek populli i vetë, sepse u nda populli në dysh për të ndërruar emrin me idenë që do marrin hapjen e negociatave.

Rama: Do të padis Ramush Haradinajn

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të padisë për shpifje Kryeministrin në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj, për deklaratën e bërë prej tij, kur tha se Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç do të merrnin 10 miliardë Euro për ndarjen e Kosovës.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se zyra e tij po përgatit padinë ndaj Ramush Haradinajt.

Kryeministri Edi Rama: Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të antishpifjes, dhe në Gjykatat e Kosovës, zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë. Por, një gjë di të them. Këtyre lloj politikanëve bravo ju qoftë që gjejnë dhe bëjnë. Domethënë, që t’i thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën, dhe të marrësh akoma vota, ata që votojnë për këtë lloj politike qofshin dhe këtyre bravo ju qoftë.

Blendi Fevziu: Pra ju po thoni që Kryeministri i Shqipërisë do të hapë çështje gjyqësore me Kryeministrin e Kosovës.

Kryeministri Edi Rama: Është ish-Kryeministri i Kosovës. Ky dha dorëheqjen medemek dhe është akoma tje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë, dhe shpresoj të jetë hera e fundit, që të dal publikisht edhe pse ishte Kryeministri i Kosovës, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt. 

Si shpëtohet Alvini në Siri? Rama: E vetmja mënyrë, të shkohet me forca

Rasti i 11-vjeçarit Alvin Berisha që po mbahet në kampin në veri të Sirisë, është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka thënë se është shumë e vështirë për të marrë Alvinin nga kampi ku po mbahen ai dhe disa shqiptarë të tjerë, pasi nuk ka një autoritetet zyrtar për të komunikuar.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, e vetmja zgjidhje aktualisht është të shkohet me forca shqiptare civile në këtë kamp në veri të Sirisë, por edhe kjo është një zgjidhje e vështirë për shkak se ajo zonë është e përfshirë në luftë.

Kryeministri Edi RamaAi burg robërish nuk ka një autoritet me të cilin mund të flasësh. Gazetarët kanë hyrë brenda siç ka pasur gazetarë që kanë hyrë brenda radhëve të ISIS e kanë bërë reportazhe, por ajo që gazetarët kanë gërë gabim është se medemek kjo u varka nga ambasadori ynë në Turqi.

Nuk mjafton asnjëlloj përfaqësuesi. Unë kam nxjerrë një urdhër, është i klasifikuar mbi numrin e shqiptarëve. Urdhri është një plan evakuimi i rreth 70 personave, gra dhe fëmijë, dhe një numër i caktuar burrash. Nëna e djalit të vogël ka qenë një person i radikalizuar. Fatkeqësisht ka qenë pjesë e ketyre forcave. Kemi punuar ngushtë me aleatët amerikanë, mirëpo faktikisht ata nuk janë më aty. Amerikanët janë tërhequr. Ky burg nuk është në një zonë të aksesueshme. Gjithë problemi këtu është se nuk ke me kë flet. Dhe ndërmarrja e një operacioni për të shkuar me forca… nuk ka autoritetet, me kë do flasësh. E vetmja mënyrë në momentin që po flasim do ishte të shkohej me forca, me një grup njerëzish. Nëse shkojnë atje autorutetet civile, e kemi shtruar dhe opsionin që të shkonte dhe ministri i Brendshëm, por si do hysh atje, është një zonë lufte. Nuk dihet kush të del përpara”, është shprehur Kryeministri Edi Rama. 

Apeli i dy sportistëve, Rama: Do të punësohen në Ministrinë e Mbrojtjes

Dy sportistët Briken Çalja dhe Izmir Smajlaj do të punësohen në Ministrinë e Mbrojtjes. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama.

Çalja dhe Smajlaj, kampionë në fushat përkatëse, i kanë drejtuar një apel Kryeministrit, që është transmetuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Briken Çalja kërkon shpërblimet e fitores, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, për të cilat Rama dha këtë sqarim: “Për rastin e Brikenit ka një kuadër shumë të qartë ligjor dhe rregullator. Që nuk është një kuadër ligjor rregullator që e kemi shpikur ne, por është i Komitetit Olimpik dhe Brikeni e ka marrë shpërblimin, ka marrë një shpërblim. Tani me përfundimin e atyre procedurave që priten për antidopingun nëse del siç besoj do dali pa problem, do të marri dhe shpërblimin tjetër, por shpërblimet jepen për medaljen e artë dhe vendin e parë. Shpërblimi jepet për medaljen që i korrenspondon vendit të parë. Pra kështu është rregulli në të gjithë botën”.

Sa i përket punësimit të dy kampionëve, që sipas VKM-së duhet të punësohen në Ministrinë e Mbrojtjes ose në atë të Brendshme, Kryeministri konfirmoi se kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt.

“Përsa i përket punësimit, për të dy është në proces punësimi në Ministrinë e Mbrojtjes. Kështu që të dy do të jenë kontigjent i Ministrisë së Mbrojtjes”.  /tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:55 24/10/2019

Reklama
UKT
UKT

Grupi