Opinion – Negociatat, po apo jo Shqipërisë?

Opinion – Negociatat, po apo jo Shqipërisë?

Autori: Blendi Fevziu

20:58 17/10/2019

Të ftuar: Tomor Alizoti, Mustafa Nano, Mentor Kikia, Iris Luarasi, Robert Rakipllari.

Në lidhje direkte: Erisa Zyka nga Brukseli, Monika Kryemadhi dhe Ditmir Bushati nga Tirana.

Erisa Zyka konfirmon nga Brukseli: Macron nuk do të ndryshojë qëndrim për Shqipërinë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron nuk do të ndryshojë qëndrim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim, duke refuzuar një gjë të tillë.

Lajmi është konfirmuar nga gazetarja e Tv Klan në Bruksel, Erisa Zyka, e cila në një lidhje me emisionin “Opinion” deklaroi se ky është informacioni i fundit që disponon.

Lajmi i fundit që më ka ardhur enkas për emisionin “Opinion” është që Presidenti i Francës nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është konfirmimi që kam marrë enkas për ju”, tha gazetarja Zyka.

Përpos Francës, edhe Danimarka është një vend skeptik për Shqipërinë, madje insistoi që vendi ynë të ndahej nga Maqedonia e Veriut në këtë proces. Edhe Spanja është skeptike, për shkak të aktivitetit të grupeve kriminale në atë shtet.

“Danimarka e cila ka insistuar për të ndarë vendimmarrjen për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, pasi sipas saj mund të kishte një mundësi për t’i dhënë dritë jeshile Maqedonisë së Veriut, por Shqipëria nuk ka plotësuar kriteret dhe përderisa kriteret nuk janë plotësuar, sidomos ato lidhur me forcimin e shtetit ligjor, me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë Danimarka qëndron me të vërtetë kundër. Edhe Spanjën e kemi patur skeptike sepse ajo ka pasur një ndikim të drejtëpërdrejtë të grupeve kriminale shqiptare, sidomos me trafikun e drogës kohët e fundit dhe e ka ndjerë këtë”, deklaroi gazetarja Zyka.

Negociatat, Bushati: Vitin e fundit s’kemi bërë atë që duhej

“Kemi humbur mundësinë e një gjenerate”

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, tha mbrëmjen e së enjtes në “Opinion”, se në Shqipëri, si maxhoranca ashtu edhe opozita nuk kanë bërë atë që duhej të bënin përgjatë vitit të fundit sa i përket hapjes së negociatave.

Në vitin e fundit nuk kemi bërë atë që do të duhej të bënim të gjithë. Sepse kemi përjetuar disa situata politike të paprecedenta, djegia e mandateve nga opozita, mospjesëmarrja në zgjedhjet e 30 Qershorit, mungesa e aftësisë sonë për të gjeneruar kompromis…

Bushati tha se klima politike ka një rëndësi shumë të madhe edhe sa i përket ecurisë së reformave në vend. “Edhe sa i përket, zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar. Nuk janë përgjegjësi e opozitës, por kanë rëndësi edhe sa i përket përçimit të imazhit.”

Unë e kam ngritur disa herë edhe në kuvend që ne nuk duhet të reshtim për asnjë moment sa i përket krijimit të urave të kompromisit me opozitën dhe duhet të krijojmë paktin kombëtar për Europën. Shqipëria ka 10 vite që ka aplikuar për anëtarësim dhe ky proces i ka prekur të gjithë. Ne kemi humbur mundësinë e një gjenerate dhe nuk na falet që të humbim mundësinë e një gjenerate tjetër.

Në lidhje me deklaratat e mëparshme të bëra në vitin 2018, që negociatat me Shqipërinë do të hapeshin në vitin 2019, Bushati tha “në 2018, dokumenti është publik, ka një vendimmarrje unanime, ka afate të përcaktuara dhe instrumente të përcaktuara. Në filluam procesin e analizës së legjislacionit që quhet screening, ka ardhur edhe komisionari i Zgjerimit në Tiranë. E vetmja gjë që mungonte në dokumentin e 2018 ishte dita kur do të mbahej konferenca ndërqeveritare.”

Rruga e Shqipërisë drejt BE, “jemi diku 10-15 larg”

Mbrëmjen e së enjtes në “Opinion”, gazetari Blendi Fevziu bëri një kronologji të rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“-Në Qershor të vitit 1991 Shqipëria ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Komitetin Ekonomik Europian.

-Në Maj të vitit 1992, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë dhe bashkëpunimit me Komunitetin Ekonomik Europian.

Në Maj 1992, Shqipëria ka paraqitur zyrtarisht përmes Presidentit pranë kryetarit të Komisionit kërkesën për të filluar rrugën negociuese drejt BE.

Në Qershor 2006 nënshkruhet MSA.

– Në Prill 2009 Shqipëria plotësoi aplikimin për anëtarësim në BE.

Në Dhjetor 2010 vendoset regjimi pa viza në zonën Schengen, arritja më e madhe e Shqipërisë.

-Në Tetor 2010, Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit kandidat.

– Në Qershor 2014 Shqipëria merr statusin e vendit kandidat nga BE.

– Në Prill 2018 Komisioni Europian lëshoi rekomandimin pa kushte për hapjen e negociatave.

 Në Qershor 2018, Komisioni i hapi rrugë hapjes së negociatave në Qershor 2019 në varësi të progresit në disa fusha si drejtësia. Vendet anëtare refuzuan që t’i hapnin negociatat në 2018-ën edhe pse Kryeministri tha se i hapëm negociatat.

Shqipëria ka paraqitur kërkesën e saj në vitin 1992 për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian. Në vitin 2019, 27 vite më pas, Shqipëria ndodhet ende diku 10-15 vite, nëse nuk ndodh gjë, larg BE. Ndërkohë që nga vendet e tjera, Kroacia ka aplikuar në vitin 2003 dhe është anëtarësuar në vitin 2013”, tha Blendi Fevziu.

Kryemadhi: LSI ka përgjegjësi që i dha votën e pakushtëzuar Edi Ramës

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të zgjidhet përmes një pakti kombëtar mes partive politike.

Në një lidhje për emisionin “Opinion” në Tv Klan ku po diskutohej për çështjen e negociatave, Kryemadhi theksoi se qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të ulur numrin e azilkërkuesve drejt Francës.

“Për të arritur atë që duhet është pakti kombëtar. Pakti kombëtar është i thjeshtë ku ne si LSI por edhe z.Basha ka qenë çështja e hapjes së negociatave në Qershor 2019. E vetmja negociatë që kërkohej ishte largimi dhe krijimi i një qeverie teknike. Pakti kombëtar për negociatat atë që bëri Kroacia para disa viteve ku kishte një axhendë shumë të qartë. Është edhe miratimi i reformës në drejtësi, ne do t’i kishim hapur negociatat nëse reforma në drejtësi do të vazhdonte me të njëjtën frymë.

Si mund të thoshte PO Macron kur sot me pafytyrësinë më të madhe miratojmë Korporatën e Investimeve Strategjike, një korporatë që vjedh pronën. A ka bërë qeveria shqiptare një sërë masash për të ndaluar azilkërkuesit? Pse ikin shqiptarët nga Shiqpëria? Shqiptarët ikin nga Shqipëria se s’kanë bukë të hanë”.

Kryemadhi deklaroi gjithashtu se përgjegjësia e LSI është kur i dha votat Partisë Socialiste në vitin 2013.

“Ne si LSI kemi përgjegjësinë që në 2013 i dhamë votën e pakushtëzuar Edi Ramës. Djegia e mandateve të LSI erdhi si rezultat i arrogancës që kishte Parlamenti”. 

“Poturet e Ramës”, Mustafa Nano: Mua më duket i sëmurë…

Analisti Mustafa Nano komentoi mbrëmjen e së enjtes në “Opinion” edhe veshjen e Kryeministrit Edi Rama gjatë takimeve të tij në Bruksel, përfshirë edhe atë me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Mustafa Nano: Unë kam idenë që edhe vende si Gjermania, Austria, Italia, që nuk kanë vërejtje për performancën e Shqipërisë, kam përshtypjen që thellë-thellë kanë vërejtje, por nuk i bëjnë sepse kanë një interes gjeostrategjik për ta marrë edhe këtë pjesë të Ballkanit për ta futur.  Kanë qenë pozitive dhe mendoj, që edhe parë me sytë e Macron, mendoj do të bënte mirë që këtë cep të Ballkanit, të Europës, të mos ta linte kështu. Sigurisht që i gjithë faji është edhe i joni. Ne, edhe brenda kësaj maxhorance, ka njerëz që kanë besuar më shumë se i gjithë ky proces, më tepër lidhej me një aftësi për të lobuar nëpër Europë sesa për vullnetin për të bërë ndryshime.

Blendi Fevziu: Ka pasur një ide që mund t’i gënjesh europianët dhe e hanë ata.

Mustafa Nano: Ky është një ves i udhëheqësve hileqarë ballkanikë, që krijojnë probleme në vend dhe përpiqen t’i fshehin dhe bëjnë kështu… vishen me poture dhe shkojnë të shesin një imazh tjetër.

Blendi Fevziu: Po bukur është veshur aty.

Mustafa Nano: Po ça bukur.

Blendi Fevziu: E mo bukur është veshur, nxirre edhe një herë.

Mustafa Nano: Mua më duket i sëmurë të betohem.

Blendi Fevziu: Pse?

Mustafa Nano: Po insiston tek ato poturet…

Blendi Fevziu: Të duket i sëmurë këtu?

Mustafa Nano: Dëgjo Fevzo, për mua fashion në politikë lëviz aq ngadalë, sa në 100 vjet, si është veshur Ismail Qemali vishet edhe Donald Trump. Dhe nuk do të dalë tani një nga Tirana dhe të ndryshojë fashion në politikë. 

Paralajmërimi i kryetares së LSI: Shumë shpejt kolaps ekonomik, shqiptarët do ngelen pa rroga

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka paralajmëruar se shumë shpejt Shqipëria do të përballet me një kolaps ekonomik. Sipas saj, kjo do të sjellë mungesë të rrogave për qytetarët dhe të pensioneve për të moshuarit.

Monika Kryemadhi: Mos harrojmë kolapsin ekonomik që do të ndodhë shumë shpejt, ku do të ngelen shqiptarët pa rroga dhe pensionistët pa pensione. Fshehja e transparencës e Ministrisë së Financës për Thesarin është një krim tjetër.

Blendi Fevziu: Si do të ngelen pa rroga znj.Kryemadhi?

Monika Kryemadhi: Po po pa rroga do të ngelen.

Blendi Fevziu: Ky është panik!

Monika Kryemadhi: Nuk është panik ky! Po mirë le të vijë policia të ma dërgojë tani mua. Këtë le ta tregojë dhe njëherë, të zbardhi faqen Ministria e Financës që e ka të detyruar me ligj për të treguar gjendjen e saj se si është buxheti i shtetit. Të tregojë të ardhurat se çfarë ndodh.

Blendi Fevziu: Policia nuk kthente dje përgjigje për një person të armatosur në Kavajë. Bëra dy emisione.

Monika Kryemadhi: Po normal, si mund të kthejë përgjigje policia. /tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:58 17/10/2019

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori