Duka: Në shesh edhe me Ramën, nëse Meta do të shkelte Kushtetutën

Manifestimit paqësor në mbrojtje të Kushtetutës, të thirrur në 2 Mars nga Presidenti Ilir Meta, do t’i bashkohet e gjithë opozita. Pas Partisë Demokratike, edhe aleatët e saj thonë se kanë angazhuar strukturat për të qenë të pranishme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit më 2 Mars, ditën e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.

“Kemi vlerësuar maksimalisht thirrjen e Presidentit, sepse jemi në emergjencë politike, ku Rilindja ka kapur çdo pushtet, ky është një grup shteti ekzemplar. Alarmi i Presidentit meriton vëmendje nga çdo qytetar që ka zgjedhur të jetojë këtu dhe për ne është obligim dhe si opozitarë.”

Ambjentalisti Agron Duka shpjegon se në bulevard nuk do të dalë për Metën, pasi këtë gjë do ta bënte edhe për Kryeministrin Rama, nëse do të ishte Presidenti ai që do t’i uzurponte të drejtat kushtetuese.

“Duhet të jemi në shesh. Do bëja të njëjtën gjë edhe nëse kjo do ndodhte me Ramën, nëse Meta do shkelte Kushtetutën do dilja të protestoja”.

Edhe në selinë blu, Lulzim Basha ka mobilizuar strukturat drejtuese të Partisë Demokratike për manifestimin e thirrur nga Presidenti.

Tv Klan