PD: Elektronika në zgjedhje, në të gjithë vendin

Aleatët e Lulzim  Bashës janë tërhequr nga kushti për ndryshimin e sistemit. Ata kanë rene dakord me kreun e demokratëve edhe për te mbajtur listat e mbyllura. Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar sqaron se kjo çështje do të jetë pjesë e një faze të dytë diskutimi.

 “U tërhoqëm ne nga sistemi. Të bëhet në një moment të dytë, por ky draft që do miratohet ka vlerë vetëm nëse zgjedhjet janë në pranverë, s’jam për lista të hapura sepse nuk besoj se do ndryshojnë.”

Demokratët nuk e përjashtojnë mundësinë për një sistem të ri zgjedhor, por në një fazë tjetër, pasi thonë se për ndryshime kushtetuese duhet konsensus i gjerë.

 “Çdo ndryshim kushtetues ku përfshihet edhe sistemi elektoral dhe çështja e listave do jenë fazë e dytë e një diskutimi, kemi adresuar rekomandimet e ODIHR.”

Opozita draftin e saj refuzon ta dorëzojë në komisionin e reformës elektorale,  por kësaj të fundit i kujton afatin e vënë nga ndërkombëtarët.

“Do ia prezantojmë ndërkombëtarëve dhe publikut, jo maxhorancës së njohim komisionin e reformës. Kusht i Bundestagut dhe për hapjen e negociatave.”

Për të shmangur politizimin e administratës elektorale Kaso thotë se drafti i opozitës i mëshon përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, që sipas tij nuk duhet të jetë projekt pilot.

 “Të shtrihet në gjithë vendin ku si zgjedhjet lokale edhe ato parlamentare të bëhen në një ditë.”

E vetmja çështje për të cilën në selinë blu vijon ende diskutimi mes ekspertëve të opozitës është ajo e financimit të partive politike, ku PD kërkon që të jetë 100% nga shteti, ndërsa LSI mbështet idenë e një formule miks, financim nga shteti dhe privati.

 “Do arrijmë në një përfundim edhe për këtë”.

Reforma zgjedhore do të jetë edhe në qendër të diskutimeve që Lulzim  Basha d të zhvillojë mbrëmjen e së mërkurës në selinë blu me aleatët e tij. Drafti final pritet të bëhet publik brenda muajit janar.

Tv Klan