Opozita bjelloruse nuk ndalet


Opozita bjelloruse nuk ndalet

23:45 12/08/2020

Opozitarët bjellorusë nuk janë demotivuar fare nga arratisja e kandidates së tyre për presidente, Svyatlana Tsikhanouskaya, drejt Lituanisë. Stafi i saj pohoi se ajo ishte detyruar të linte vendin e kërcënuar me vdekje nga policia e Lukashenkos.

Pasi vunë lule tek vendi ku u vra një protestues, opozitarët u përballen në rrugë për të tretën natë me radhë me policinë. Për të ndalur këto grumbullime, Lukashenko kishte bllokuar lidhjen me internet në të gjithë vendin në mënyrë që të shmangej komunikimi mes opozitarëve në rrjetet sociale.

Sërish policët kanë hedhur gaz lotsjellës, plumba gome dhe granata, për të shpërndarë protestuesit në kryeqytetin bjellorus, Minsk. Autoritetet madje zbatuan masën e orës policore, duke ndalur njerëz dhe makina nëpër rrugë dhe duke kufizuar transportin publik.

Më shumë se 5,000 persona janë ndaluar e mbahen aktualisht në paraburgim, ndërsa mbi 200 protestues opozitarë gjenden nëpër spitale. Duke komentuar këtë situatë të përgjakshme pasi takoi homologun e tij rus Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha se BE duhet të konsiderojë rivendosjen e sanksioneve mbi Bjellorusinë që u hoqën në vitin 2016.

Klan Plus




Të ngjashme