Me të njëjtin skenar, si ai i të premtes së kaluar, por me dy mungesa në formacion, pas përjashtimit të Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës deputetët e opozitës bllokuan sërish punën e komisionit të Reformës Zgjedhore.
Të pajisur me zhurmues ata mbërritën herët në Kryesinë e Kuvendit, duke zënë edhe karriget e kolegëve socialistë, të cilët pasi erdhën dhe panë të njëjtin kaos si ai i një jave më parë u detyruan të linin sallën.
Por në ndryshim nga deputetët socialistë të cilët ishin të përpiktë në orar, e kundërta ndodhi me mbështetësit e Lulzim Bashës, të cilët nga frika e përballjes me kolegët demokratë nuk u paraqitën në mbledhje.
Oerd Bylykbashi, i mandatuar nga 47 deputetë të opozitës për të qenë bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore ftoi mazhorancën të lërë lojërat me pakicat e vogla.
“Bashkëkryetarët që mbajnë veton i takojnë partisë më të madhe në mazhorancë dhe partisë më të madhe në opozitë, që është PD që ne përfaqësojmë”, tha ai.
Ndërsa deputeti Ervin Salianji akuzoi shumicën e majtë se po tenton ta kthejë në pazar reformën zgjedhore.
“Nuk duan reformë do përpiqen të blejnë vota”, tha Salianji
Pas dështimit të mbledhjes për t’u mbajtur në orën 10:00, socialistët e zhvilluan atë online. Bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri teksa e cilësoi vandale sjelljen e opozitës shpjegoi edhe arsyet e mbajtjes së mbledhjes online.
“Kuvendi nuk bëhet polic të menaxhojë mbledhjet mes deputetëve. Varianti online është mënyra alternative për ta zgjidhur këtë problem”, tha Gjiknuri.
Enkelejd Alibeaj i cili përfaqëson opozitën si bashkëkryetar thirrjen e tij e adresoi për Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.
“Të garantojë zhvillimin aktiv dhe fizik të veprimtarisë së Komisionit dhe jo vetëm”, tha Alibeaj.
Pas mbledhjes ku u miratua edhe kalendari i punimeve të komisionit deri në Mars, Damian Gjiknuri në një konferencë për mediat i bëri thirrje deputetëve të opozitës që t’i rikthehen normalitetit për të miratuar në mënyrë konsensuale ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.
“Mos e pengoni zhvillimin e këtij komisioni, është në interesin tuaj”, tha Gjiknuri.
Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë disa prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, si dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për votën e disaporës si dhe ndryshimin e herësit që përllogarit shpërndarjen e deputetëve.
Tv Klan