Ardhja e Saimir Tahirit në parlament, pas afro 6 muajsh mungesë, e bëri opozitën që ta braktisë sallën. Ish-Kryeministri Berisha zgjodhi ta filmojë dhe ta publikojë videon në faqen e tij në Facebook, sëbashku me mesazhin që pati për ish-ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin Rama.

Ai kërkoi që Tahiri të nxirret jashtë nga parlamenti: 

“Të nxirret jashtë Saimir Tahiri se po kremtoni raportin me njeriun më kryesor të drogës në Ballkan, bashkë me Edi Ramën. Nxirreni jashtë, mos festoni me të. I ftoni Habilajt dhe Klement Balilin të vijë këtu”.

Edhe Lulzim Basha tha se Tahiri në parlament është pengesë për integrimin.

“Kjo sallë sot me Saimir Tahirin, brenda dhe kuksianët në burg, është shprehja më e qartë se ky Parlament, i dalë nga shit-blerja e votës dhe kjo qeveri dhe ky kryeministër të dalë nga paratë e drogës dhe të krimit, janë pengesa dhe barriera kryesore për Shqipërinë europiane”.

Në një sallë gjysmë bosh, pas largimit të opozitës, Kryeministri foli për merita dhe jo dhurata nga ana e Komisionit Europian, kur u ndal tek rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave. Listës së betejës në luftën kundër krimit e korrupsionit i shtoi edhe politikanët e përfshirë në afera.

“Do duhet të përgjigjen politikanët, zyrtarët e lartë e pa diskutim të gjithë shkelësit e tjerë të ligjit përballë një drejtësie të çliruar nga të korruptuarit dhe të zgjidhur nga zinxhirët e ndryshkur që po këputen të kapjes për fyti të drejtësisë prej politikës.”

Sali Berisha, jashtë Kuvendit e akuzoi Kryeministrin si i vetmi armik në rrugën europiane të Shqipërisë.

“U dërgonte mesazhe deputetëve gjermanë në mënyrën më të pafytyrë, të cilët janë shtylla e Bundestagut dhe  janë njerëz me autoritet të padiskutueshëm dhe dashamirësi të madhe për Shqipërinë. Edi Rama, me këto shfazime e qëndrime kërcënon në mënyrë shumë serioze hapjen e negociatave këtë vit.

Por Edi Rama armikun e sheh tek opozita e Lulzim Bashës, të cilin e akuzoi se gjatë takimeve në Berlin ka lobuar kundër çeljes së negociatave.

Duke sjellë në vëmendje rastin e Bullgarisë, Kryeministri Rama e ftoi sërish opozitën të bashkëpunojë në këtë proces, me qëllim që në Qershor Shqipërisë t’i ndizet drita jeshile për në familjen europiane.

Tv Klan