Opozita dorëzon në Këshillin Politik propozimet për Reformën Zgjedhore

Dy janë pikat e propozuara nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj në draftin që i paraqitet Këshillit Politik për konsensus të Reformës Zgjedhore. E para është ruajtja e koalicioneve të përbëra, që sipas opozitës kanë funksionuar pa ngërçe në zgjedhjet e kaluara. Ndryshimi i nenit 68 të Kushtetutës, thonë demokratët, e hoqi të drejtën për të propozuar kandidatë për deputetë, por është Neni 96 i Kushtetutës parashikon që pas zgjedhjeve, koalicionet të propozojnë mandatarin për Kryeministër.

Për këtë arsye, koalicionet mbeten ende, sipas opozitës, që kujton se ekzistenca e koalicioneve nuk ka qenë në asnjë rast në kundërshtim me angazhimet e OSBE/ODIHR, apo të Komisionit të Venecias.

“Kodi Zgjedhor përcakton qartazi se koalicioni zgjedhor i partive politike është ai me “listë të përbërë”, i cili i jep të drejtën e propozimit të kandidatëve secilës parti anëtare të koalicionit, dhe jo koalicionit. Për rrjedhojë, modeli në fuqi dhe dispozitat përkatëse për regjistrimin e koalicionit, shfaqjen në fletën e votimit, marrjen e votave, përllogaritjen e rezultatit dhe shpërndarjen e mandatit, të gjitha këto pjesë të sistemit zgjedhor në kuptimin e ngushtë të fjalës, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, thuhet në arsyetimin e ekspertëve të opozitës.

Pika e dytë, jo më pak e rëndësishme, që kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor, është ajo e listave të hapura. Nëse në propozimet e PS, kandidatët fitues duhet të kishin më shumë vota se sa mesatarja e votave që kishte marrë partia, për të ndryshuar renditja, sipas propozimit të opozitës, renditja fillestare e kandidateve për deputetë propozohet të bëhet sipas rendit alfabetik dhe më pas mandatet shpërndahen në bazë të votave që ka marre secili prej kandidatëve.

Në ndryshimet që kërkon opozita, merret parasysh edhe përfaqësimi në bazë gjinore.

Propozimi i opozitës vjen pasi socialistët kanë paralajmëruar se do t’i votojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në parlament në datën 30 Shtator. Kërkesa e demokratëve është që për mosmarrëveshjen në fjalë, palët t’i drejtohen OSBE/ODIHR.

Tv Klan