Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar ka dorëzuar zyrtarisht listat me mandatet e deputetëve të cilët kanë hequr dorë prej tyre pas vendimit të marrë unanimisht. Listat me mandatet e deputetëve të PD u dorëzuan nga Lulzim Basha, ndërsa nga LSI i dorëzoi kryetarja Monika Kryemadhi.

Por, nga PD nuk e kanë dorëzuar ende mandatin dy deputetë, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi. Ndërsa nga LSI, deputeti Lefter Koka ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mandati.

Opozita protestoi fillimisht përpara Parlamentit, ku mbajtën fjalime të shkurtra deputetë të ndryshëm, dhe në fund mori fjalën kryedemokrati Lulzim Basha. Më pas, opozita dhe protestuesit u drejtuan për tek Kryesia e Kuvendit ku bënë dorëzimin e mandateve të deputetëve. Pas kësaj protestuesit marshuan drejt selisë së Partisë Demokratike, ku dhe u përmbyll protesta. Asnjë incident apo akt dhune nuk u shënua gjatë tubimit.

Ora 13:00 – Mbyllet protesta e opozita, nuk shënohet asnjë incident dhe asnjë akt dhune.

Ora 12:53 – Lulzim Basha: Opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kryqin parlamentit. Ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj me ju dhe për ju, nisëm sot një rrugëtim shprese i cili nuk do të ndalet derisa festimi i këtij vendi të bëhet realitet, derisa ta largojmë kryehajdutin dhe qeverinë e tij kriminale. Le ta shpërndajmë këtë energji hyjnore që buron nga shpirti i një rrace siç jemi ne. Le të nisim këtë udhëtim shprese, për të rikthyer besim dhe bindjen se e nesërmja po vjen. Banda e tij solli këtë të zezë, Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo do të jetë e juaja, e fëmijëve tuaj e njerëzve të ndershme. Do t’i japim fund padrejtësisë. Do të kemi një qeveri të popullit, për popullin. Derën e Europës do e hapim. Shqipëria do të ketë një të ardhme, ky është mesazhi im për të gjithë ju.

Ora 12:50 – Protestuesit mbërrijnë tek selia e Partisë Demokratike.

Ora 12:31 – Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dalin nga Kryesia e Kyvendit pasi dorëzuan listat e mandateve të deputetëve.

Ora 12:13 – Protestuesit mbërrijnë tek Kryesia e Kuvendit. Lulzim Basha hyn brenda për të dorëzuar mandatin.

Ora 12:01 – Kryeministri Edi Rama largohet nga Kryesia e Kuvendit.

Ora 11:54 – Opozita dhe protestuesit nisen drejt Kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar mandatet pas fjalimit të Lulzim Bashës. Në Kryesi ndodhet edhe Kryeministri Edi Rama së bashku me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Ora 11:40 – Lulzim Basha: Dua këtë mesazh të parë t’jua a them miqve tanë. Ne nuk jemi populli i dhunës, ne jemi populli i demokracisë, ne jemi populli i Shqipërisë, ne jemi e ardhmja europiane e vendit. Ne nuk do të pranojmë kurrë më një Kryeministër bandit. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të mos lejojë daljen nga kufijtë e Shqipërisë të të pandehurit Edi Rama. Ligji dhe Kushtetuta janë produkt i sovranit, zbatimi i tyre është produkt i shtetit.

Dua t’ua them miqve të mi që për arsye të ndryshme akoma nuk e dinë se këtu akoma nuk ka demokraci dhe se shteti është kapur nga krimi i organizuar, se njeriu që ju ndel përpara si kryeministër është “Maduro i Ballkanit”, por me një ndryshim. Kjo nuk është Venezuelë, kjo është Shqipëria në mes të Europës. Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë, unë nuk do të pranoj kurrë që Kushtetuta të kthehet në letër higjienike nga një kriminel që përfaqëson llumin e shoqërisë. Nuk do të pranoj kurrë kapjen e pushteteve teksa pasurohen një grusht njerëzish. Unë nuk do të pranoj kurrë zgjedhjet e blera. Kurrë nuk do ta pranoj narkoshtetin. Ne jemi njerëzit e demokracisë, ne jemi njerëzit e vlerave.

Mos i prekni vëllezërit dhe motrat tanë policë se janë të nënpaguar. Ky është vetëm fillimi. Ndaj le ta nisim bashkë sot këtë rrugëtim shprese drejt të ardhmes tonë europiane. Shpresa jonë është Europa. Dera e saje  mbyllur duhet të hapet me çdo kusht, të vetmit që mund ta hapim jemi ne, populli i Shqipërisë. Le ta nisim udhëtimin tonë tani. Ndiqmëni bashkë me të gjithë anëtarët deri e për pak minuta të opozitës në këtë Parlament. Ejani të gjithë pas nesh për të dorëzuar mandatet për t’i dhënë fund këtij regjimi kriminal, për të marrë në dorë fatet tona si njerëz të lirisë. Të gjithë pas meje për të finalizuar këtë akt patriotik.

Ora 11:31 – Monika Kryemadhi: Zoti ruajtë shqiptarët kudo ku janë. Të dashur vëllezërit tanë policë që sot i kanë vendosur përballë motrave të tyre, prindërve të tyre, vëllezërve të tyre. Ata policë paguajnë njësoj si ju faturën e ujit, paguajnë njësoj si ju librat për fëmijët e tyre. Njësoj si ju kanë hedhur letra dhe kanë paguar për legalizimet e shtëpisë së tyre. Mandatet tona sot nuk janë më mandate të narkoshtetit, nuk janë më fasadë e narkoshtetit, janë mandatet e shqiptarëve. Ne japim fjalën sot që nuk ka më kthim pas sepse do të na mallkojnë brezat pas që do të vijnë. Misioni është i qartë, të largojmë krimin, të ndajmë politikën nga krimi.

Ora 11:25 – Halim Kosova: E keqja në këtë vend do vejë përfund të mirën përsa kohë e mira do rrijë e do bëjë sehir. Ka ardhur dita që e mira është zgjuar. Këto lloj protestash jo vetëm duhet t’i fusin frikës qeverisë, por edhe PD t’i vejë gishtin kokës për përgjegjësitë që ka për të ardhmen. Asnjë mos ta heqë nga mendja që SHBA është pro Shqipërisë, pro demokracisë, asnjëherë nuk do ta lënë në baltë Shqipërinë.

Ora 11:15 – Flamur Noka: Më ka sjellë në Parlament Kukësi, Hasi dhe Tropoja. Më kanë dhënë një porosi, bashkë me krimin kurrë, bashkë me korrupsionin kurrë. Le të luftojmë dhe të punojmë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Rama ik sepse përfaqëson korrupsionin, Rama ik se ti përzure shqiptarët nga Shqipëria, Rama ik sepse nuk je as më shumë e as më pak përfaqësues i perversitetit, Rama ik sepse ti përfaqëson të shkuarën e errët shqiptare, Rama ik se koha jote mbaroi.

Ora 11:07 – Agron Shehaj: Ky parlament është klubi i hajdutëve, sot i dhamë fund këtij Parlamenti. Sot do të ndërtojmë bashkë një Shqipëri për të gjithë dhe jo vetëm për disa.

Ora 11:03 – Dashamir Shehi: Ky zotëria është e keqja më e madhe që na ka rënë 30 vjet. Nuk kemi qenë mrekullia as ne, po si ky nuk i kishte rënë Shqipërisë. Prandaj duhet ta përzemë. Ky njeri që bredh poshtë e përpjetë Shqipërisë duke hedhur helmin kundër shqiptarëve, që pretendon se do bashkojë Shqipërinë dhe Kosovën, ky do ta ndajë dhe Shqipërinë. Por nuk kemi për ta lënë, kjo është rrugë që mund të jetë e gjatë, nuk kemi rrugë tjetër. Kjo që po bëjmë bashkë bëhet për të mirën e Shqipërisë. Nuk na ka lënë shteg përveç protestës së rrugëve. Do të vijë dita që do t’i kthehemi asaj salle, por do t’i kthehemi si burrat. Keni ardhur nga gjithë Shqipëria.

Ora 11:01 – Klevis Balliu: Mandati im është i juaji se fuqia është e juaja. Jemi mbledhur këtu për t’i thënë njëzëri këtij krimineli Rama ik. Shqipëria është e shqiptarëve jo e tradhëtarëve. Sot është koha e qytetarëve shqiptarë. Merrni në dorë fatet e vendit.

Ora 10:57 – Jorida Tabaku: Faleminderit që nisim bashkë sot një rrugëtim të ri bashkë me qytetarët, bashkë me gjithë Shqipërinë. Kemi bërë shumë beteja bashkë me ju. Sot nisim një betejë të re për të hequr këtë regjim.

Ora 10:56 – Luan Rama: Një popull mund ta gënjesh për njëfarë kohe, një populli edhe mund t’ia vjedhë votën, por një popull nuk mund ta nënshtrosh për gjithë kohën. Sot është koha e popullit, sot është dita e lirisë, prandaj të gjithë për lirinë e përbashkët në luftë kundër të keqes, kundër atyre që nuk duan Shqipërinë.

Ora 10:55 – Grida Duma: Ju jeni heronjtë që gjithë shqiptarët po shikojnë sot nga gjithë Shqipëria. Ju jeni sot për misionin më të madh që kanë shqiptarët sot në këtë vend. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rama ka ikur, ne do të qëndrojmë deri në fund. Rroftë Shqipëria! Fitore!

Ora 10:54 – Silva Caka: Mandati im sot shkon për fëmijët e Skraparit që Edi Rama i ka lënë pa bukë, që Edi Rama i hequr gjithë shërbimet bazike. Faleminderit që jeni të gjithë këtu sot. Përpara për fitore.

Ora 10:52 – Xhemal Gjunkshi: Sot kemi ardhur për t’i thënë stop këtij pushteti të lidhur me bandat. Ju nuk jeni dhunues, ju jeni protestues. Rama ik! Fitore!

Ora 10:47 – Gent Strazimiri: Si sot 28 vjet më parë Gramoz Ruçi bëri veprimin e parë me telat e gjembave të diktaturës. Sot pas 28 vitesh Gramoz Ruçi rrethon me tela me gjemba Parlamentin sepse ka frikë nga populli.

Ora 10:45 – Ervin Salianji: Sot mandati im u takon qytetarëve, ju takon ju.

Ora 10:37 – Lulzim Basha del nga selia blu, niset drejt Parlamentit. Shoqërohet nga bashkëshortja, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi etj.

***

Ora 10:00 – Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar proteston sot përpara Parlamentit. Seanca plenare e planifikuar për t’u mbajtur si çdo të enjte është anuluar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi për të shmangur tensionet. Garda ka rrethuar me tela me gjemba perimetrin përreth Parlamentit, ndërsa forca të shumta policore ndodhen në terren.

Të mërkurën, Garda udhëzoi edhe gazetarët e mediave që të pajisjen me maska për shkak të gazit lotësjellës që mund të hidhet në protestë nëse situata përshkallëzon. Pasditen e së mërkurës, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi përfundimisht djegien e mandateve të deputetëve.

Sali Berisha, Lulzim Basha dhe gjithë deputetët e tjerë demokratë dorëzuan mandatet e tyre. Edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dorëzoi mandatin. Opozita kërkon rrëzimin e Kryeministrit Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

/tvklan.al