Diskutimi vetëm në Këshill dhe pa presion kohe

Opozita shprehet pro ndryshimeve kushtetuese, për t’i diskutuar ato vetëm në Këshillin Politik.

Përfaqësuesi i saj në tryezë, Oerd Bylykbashi thotë se për miratimin e ndërhyrjeve në ligjin themeltar të shtetit dhe kodin elektoral duhet kohë e mbi të gjitha procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe konsensual, e në respekt të marrëveshjes së dakordësuar nga faktori ndërkombëtar në 5 Qershor.

“Ne ngulim këmbë që të diskutojmë e arrijmë konsensus. Opozita e Bashkuar nuk pranon veprime të njëanshme, për çdo veprim duhet konsensus e gjithëpërfshirë. Këto çështje të tërhiqen e të vijnë në Këshill. Nëse duhet ndryshuar sistemi palët duhet të ulen do kohë të ndryshosh Kushtetutën jo për 6 ditë”.

Të hapur janë për ndryshimin e sistemit, duke risjellë në vëmendje një propozim të kahershëm për diskutim.

“Asgjë nuk është tabu dhe palët politike ulen e vendosin kush është sistemi më i mirë për shqiptarët në themi të diskutojmë të gjitha opsionet e mundshme, nëse është mazhoritari më i mirë ok. Është sistem i thjeshtë, për rrjedhojë është diskutuar në kontekstin e faktit të kryer të deformimit të sistemit aktual”.

Bykykbashi hedh poshtë pretendimin e Kryeministrit se listat e hapura qëndrojnë së bashku me koalicionet, duke e akuzuar Kryeministrin se po synon kaos për ta shfrytëzuar këtë situatë.

“Pretendimi që fletët do të bëhen të pamenaxhueshme është i rremë, fleta do jetë e njëjta gjë”.

Sipas opozitës, ndryshimi i rregullave të lojës një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve bie ndesh me kodin e praktikave të mira dhe qëndrimin e OSBE-së.

Por pavarësisht këtij qëndrimi, opozita do të jetë në mbledhjen e Këshillit Politik të pasdites duke u shprehur e gatshme për të diskutuar për çdo çështje që duhet të trajtohet në kuadër të Reformës Zgjedhore, duke vënë si kusht që diskutimi të mos ketë asnjë shtrëngim kohor dhe që ndryshimet kushtetuese të mos trajtohen si një fakt i kryer nga Partia Socialiste.

Tv Klan