Partia Demokratike e kushtëzon hyrjen në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit me plotësimin e tre çështjeve që ajo thotë se garantojnë një proces të lirë e të ndershëm. Në të kundërt, selia blu thotë se do të pamundësojë zhvillimin e zgjedhjeve. Ky qëndrim i është bërë i ditur kryesisë përmes propozimeve të kryetarit Lulzim Basha:

1. “Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Një prej kushteve për hyrjen ne zgjedhje të cilin PD e ka artikuluar edhe më herët është krijimi i një qeverie tranzitore. Për këtë Basha ka edhe një negociator konkret.

3. “Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Propozimet pritet t’i kalojnë për votim final Këshillit Kombëtar. Ky qëndrimi i Lulzim Bashës vjen në një kohë kur data 21 Prill është edhe afati për regjistrimin e partive politike dhe 1 Maji është afati i fundit për koalicionet në zgjedhje, ndërsa 13 Maji për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë.

Tv Klan