Braktis seancën, Basha akuza maxhorancës

Në parlament deputetët e opozitës u rikthyen për të bërë betimin, ndërsa në shenjë proteste ndaj kandidaturës së Lindita Nikollës si kryetare e re e Kuvendit grisën fletën e votimit. Ndryshe nga deputetët e Lulzim Bashës, ata të LSI-së ndonëse deklaruan votën kundër, fletën e hodhën në kutinë e votimit.

Por akti i deputetëve demokratë i mjaftoi Kryeministrit Rama që të rikthehej me protagonizmin e tij nga foltorja e Kuvendit, duke mbledhur një për një fletët e grisura të hedhura në sallë pranë kutisë së votimit.

Veprimi i tij ndezi debat në radhët e demokratëve, që e cilësuan cenim të procesit të votimit. Pak minuta më pas, i gjithë grupi parlamentar e braktisi seancën, ndërsa Lulzim Basha në oborrin e Kuvendit hodhi akuza në adresë të Kryeminsitrit Rama dhe maxhorancës qeverisëse.

Ndërsa Kryeministri Rama e ironizoi me grisjen e fletëve të votimit. Më herët në parlament u betuan të 140 deputetët e rinj të Kuvendit.

Formulës së betimit iu përgjigj edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili ashtu si në seancën e paradites edhe pasdite  qëndroi në fund të sallës, për ta lënë atë menjëherë pas mbarimit të kësaj procedure.

Në këtë legjislaturë Partia Socialiste ka 74 deputetë, Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar 59 deputetë, LSI-ja 4 dhe PSD-ja 3 deputetë.

Me heqjen dorë nga mandati i deputetit të Najada Çomos, Lefter Kokës, Gramoz Ruçit dhe Mark Markut, vendet e tyre u zunë nga Mimi Kodheli, Denis Deliu, Mirela Pitushi dhe Elda Hoti.

Tv Klan