PD: T’i drejtohemi ODIHR-it. PS: Vetëm pasi të sillni draftin

Ka dështuar pa një dakordësi mes palëve edhe mbledhja e radhës së Këshillit Politik. Opozita ripërsëriti kërkesën e saj për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it për heqjen e koalicioneve paraelektorale dhe hapjen e listave të kandidatëve në zgjedhje, por kjo kërkesë e saj u hodh poshtë nga mazhoranca në tryezë. Refuzimi i shumicës i detyroi përfaqësuesit e opozitës të largoheshin nga mbledhja.

“Ne nuk lëvizim nga kërkesat tona. Koalicionet ruhen siç janë dhe lista 100% realisht të hapura. Partia Socialiste insiston që të ndryshojë atë që është konsensualisht e dakordësuar për 17 vjet deri me datë 21 Korrik 2020. Për këtë ka mosdakordësi dhe ne kërkojmë zyrtarisht nga Partia Socialiste që nëpërmjet Këshillit ti drejtohemi OSBE-ODIHR. Kërkesa është zyrtare, presim sot përgjigje zyrtare me shkrim nga përfaqësuesi i mazhorancës”.

Kërkesën e opozitës, shumica e sheh si tentativë për të bllokuar procesin.

“Fatkeqësisht PD bojkotoi Këshillin Politik. E bllokoi me të njëjtat qëllime të hedhin në erë procesin, të mbajnë peng ndryshimet kushtetuese për të krijuar një krizë artificial. ODIHR është organizatë e specializuar për të dhënë mendim juridik mbi produkte konkrete. Nuk mund të kërkojnë një ekspertizë kur nuk kemi një draft”.

Socialistët sikundër kishin paralajmëruar erdhën në tryezën e këshillit me disa amendime, që sipas Gjiknurit synojnë hapjen 100% të listave.

Ndryshe nga sa pretendon Gjiknuri, drafti me propozimet e shumicës për Rudina Hajdarin janë një hap pas.

“PS kërkon të mos hapë listat. Po kërkojnë të kenë vetë një kandidat preferencial në listë. Nuk është kjo lista e hapur, ajo që duan shqiptarët. Kjo është lista e kryetarëve. Është një truk për të mbajtur listat e mbyllura. Kjo nuk ndryshon asgjë ndaj PS të reflektojë mbi këtë propozim të fëlliqur”.

Por çfarë parashikon drafti i depozituar nga mazhoranca në tryezën e Këshillit Politik. Sipas socialistëve, listat do të jenë 100% të hapura dhe renditja e kandidatëve ndryshon nëse ai ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara. Kandidatët me numrin e votave më të lartë se ajo e herësit ngjiten në renditje duke zëvendësuar kandidatin/tët e fundit në renditje.

Sakaq, socialistët propozojnë që pragu minimal për ndarjen e mandateve si për partitë dhe koalicionet të jetë 3%, dhe kandidate femra të ketë jo më pak se 30% në zgjedhje.

Tv Klan