Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja socialiste Olta Xhaçka ka mbajtur fjalën e saj në Parlament, ku sot pritet që të votohet për t’i dërguar Gjykatës Kushtetuese raportin për të interpretuar mandatin e saj nëse duhet t’i hiqet ose jo.

Nga foltorja e Kuvendit, Xhaçka tha se nuk ka përfituar asgjë dhe se akuzat e opozitës janë shpifje.

Olta Xhaçka: “Është folur shumë gjatë që emri im lidhet me paligjshmëri dhe abuzim me mandatin e deputetes. Prej kohësh tanimë zhvillohet prej meje gjyqe prokurorësh dhe gjykatësish pa licencë drejtësie këtu, në ekrane dhe në portale po me licencë lirie për t’u shfrenuar, për të akuzuar dhe për të dënuar me gjithë fuqinë e urrejtjes, të mllefit dhe thjesht bindjes së verbër se ku ka një zë, patjetër ka një gjë. Se ku ka një ministër patjetër ka dhe një aferë, për t’ia marrë fytyrën tjetrit, për t’i nëpërkëmbur dinjitetin dhe për t’i shkatërruar reputacionin publik. Nuk jam përgjigjur. Jam menduar të rri në këtë detyrë apo të iki, të vazhdoj të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe shpëtoj nga ky linçim ku faktet janë orekse politike, provat janë interesa mediatike, gjykimet mbi të vërtetën e një individi me përgjegjësi janë paragjykime mbi ngjyrën politike të një personi publik.

Jam menduar se ku kam gabuar për të mbajtur mbi kurriz gjithë këtë furi balte. As kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bërë fakte të kryera si përfitime, as në fakt nuk kam përfituar asgjë prej tyre sepse janë thjesht shpifje të pavërteta.

Dhe sot si për t’i vënë kapakun një tallje të madhe me opinionin publik ku emri im është gjuajtur, pasur, dribluar si top lecke, diskutohen këtu nga leckat e topit të opozitës sikur po votohet për të më mbajtur nëpër këmbë apo lëshuar nga këmba, ndërkohë që sot kuvendi s’ka çfarë voton fare për mua personalisht sepse çështjen time Gjykata Kushtetuese e ka pasur, e ka shqyrtuar dhe me vendim e ka pushuar. Sot këtu duhet të votohet që është shkalla e sovranitetit të Parlamentit dhe liria e votës së çdo deputeti.

E gjithë kjo zallamahi në fakt ka shkak vetëm njërën prej 1500 lejet e dhëna për përdorimin e plazhit nga subjekte turistike që operojnë në bregdetin e Shqipërisë. Flitet për toka shtetërore të falura, flitet për investime të bëra falë favoreve qeveritare, flitet për statuse të veçanta personale, kur në fakt e gjitha nga fillimi deri në fund është një leje për përdorim plazhi nga një sipërmarrje private, pjesë e të cilës është edhe bashkëshorti im, i cili është sipërmarrës përpara se të bëhej deputet dhe u rikthye në jetën dhe punën e tij private pasi u largua nga detyra e deputetit si rezultat i faktit të thjesht se u njohëm dhe u lidhëm familjarisht në rrugën e përbashkët të angazhimit politik dhe nuk mund të vazhdonim të dy këtë angazhim”.

Parlamenti do të votojë sot për t’i dërguar ose jo raportin Gjykatës Kushtetuese që do shqyrtojë nëse i duhet hequr ose jo mandatin Xhaçkës, që kërkohet nga opozita.

Demokratët kërkojnë heqjen e mandatit të Xhaçkës duke pretenduar se bashkëshorti i saj, si investitor strategjik, ka përfituar pasuri publike dhe rrjedhimisht dhe vetë deputetja e qarkut të Korçës, çka bie ndesh me përcaktimet kushtetuese për deputetët.


/tvklan.al