Thirrje mazhorancës pas takimit që Basha zhvilloi me ambasadorët

Opozita ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Politik pas takimit që Basha zhvilloi me ambasadorët e BE-së, të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, kanë kërkuar një mbledhje nesër në orën 10:00 me synimin që të arrihet një konsensus për kërkesën e opozitës së bashkuar për të marrë mendimin e OSBE/ODIHR për çështjet që nuk bien dakord palët.

“Në vijim të mbledhjes së ditës së hënë, me qëllim gjetjen e konsensusit për kërkesën e opozitës së bashkuar, për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik, siç parashikohet edhe në Marrëveshjen e 14 Janarit, kërkojmë: Thirrjen e mbledhjes së Këshillit Politik nesër, e mërkurë, në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e shtypit të selisë blu.

Kujtojmë që një ditë më parë palët u ulën në tryezën e Këshillit Politik, por nuk arritën në një përfundim të përbashkët. Opozita dhe mazhoranca ndahen tek koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura. E para për opozitën mbetet vijë e kuqe, ndërsa për listat e hapura kërkon mendimin e ODIHR./tvklan.al