Opozita kërkon Reformë të re Territoriale

Opozita kërkon Reformë të re Territoriale

15:43 26/01/2020

“Nevojë urgjente për ndërhyrje, u kthye në hartë politike”

Reforma Zgjedhore nuk mjafton për opozitën. Pak javë pasi u ul në tryezë me mazhorancën, ajo kërkon edhe ndryshimin e ndarjes territoriale, të miratuar nga parlamenti në vitin 2014.

Gazment Bardhi: Rishikimi i Reformës Administrative është nevojë urgjente. PD e ka një ndër tre pikat kyçe.

Fatmir Mediu: Tej Reformës Zgjedhore, a mund të diskutohet edhe çështja e Reformës Administrative? Mendoj që duhet ta shohim.

Nuk përjashtojne idenë që edhe kjo reformë të jetë pjesë e diskutimeve të nisura për Zgjedhoren, pasi sipas saj, ndryshimet e miratuara nga mazhoranca 6 vite më parë e shndërruan atë në një hartë politike.

Gazment Bardhi: Nëse do të ishte vetëm në dorën e PD, kjo reformë s’duhet të ishte miratuar, është hartë politike dhe çdo orë e minutë që kalon nuk është në dobi të qytetarëve dhe as të garantimit të barazisë së palëve në zgjedhje.

Fatmir Mediu: E kthyen vendin në kohën e diktaturës kur emëroheshin kryetarët e Bashkive dhe duke qenë në këtë situatë me 30 Qershorin është e domosdoshme t’i japim shans njerëzve të kenë në krye të bashkive ata njerëz që votohen nga qytetarët dhe jo emërohen.

Ndarjen e re territoriale e cilësojnë të dështuar me argumentin se ka thelluar hendekun mes pushtetit lokal dhe qytetarëve, duke sjellë në vëmendje situatën e post tërmetit në Qarkun e Durrësit.

Gazment Bardhi: Reforma ka dështuar, dhe ky dështim ka prekur shumicën e qytetarëve që sot s’kanë një derë ku të marrin shërbim por sorollaten. Shiko ça ndodh në Durrës, me mijëra banorë që duan bonusin dhe kanë dy muaj dhe ende s’e kanë përfituar atë që ligji ua njeh.

Fatmir Mediu: E kemi larguar pushtetin nga qytetarët duke e lënë atë jashtë investimeve për zonat rurale dhe për t‘iu përgjigjur banorëve, është një çështje që duhet të diskutohet.

Opozita thotë se i ka gati një pjesë të propozimeve të saj të prezantuara që në vitin 2014, por mbetet e hapur për çdo risi që vjen në dobi të Reformës Administrative.

Gazment Bardhi: Ne kemi patur propozimet tona që në vitin 2014, ekspertët i kanë gati propozimet, thjesht duhet që pala tjetër të mos shohë interesat politike por të qytetarëve.

Fatmir Mediu: Ka disa qëndrime opozita dhe duhet të konsiderohen. Duhet një analizë e qenësishme dhe të shihet se cila është mënyra më e mirë.

Pesë vjet më parë opozita refuzoi të bëhej pjesë e Komisionit të Reformës Territoriale me argumentin se mazhoranca po tentonte ta kalonte atë me forcën e kartonave në Parlament.

Menjëherë pas miratimit të saj, çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, por kjo e fundit e rrëzoi kërkesën e demokratëve. Ndryshimet e miratuara asokohe nga Parlamenti e reduktuan në 61 nga 385 numrin e bashkive e komunave.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi