Opozita konfirmon pjesëmarrjen: Me kë do të “përballet” Rama në Këshillin Politik


Opozita konfirmon pjesëmarrjen: Me kë do të “përballet” Rama në Këshillin Politik

19:20 17/07/2020

Këshilli Politik i krijuar për Reformën Zgjedhore do të mblidhet sërish. Ora dhe vendi mbeten për t’u përcaktuar, por deri më tani dihet që pjesë e saj do të jetë edhe kryeministri Rama.

Ishte bashkëkryetari i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, që me një letër dërguar kolegëve të tij opozitarë, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, propozoi që më 20 ose 21 Korrik të mblidhen për të diskutuar ndryshimet kushtetuese. Por këtë herë, deputeti socialist tha se do të shoqërohet nga kryetari i Partisë Socialiste, ndërsa të njëjtën gjë ua kërkoi edhe opozitarëve nëse do të kishin dëshirë.

“Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë”, tha Gjiknuri.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ish-deputetëve opozitarë, të cilët mirëpresin reflektimin për të vijuar diskutimet dhe vendimmarrjen konsensuale në Këshillin Politik për çdo çështje lidhur me zgjedhjet. Për këtë, opozita thotë se është rënë dakord në marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit.

Të gatshëm janë edhe ata për t’ju rikthyer tryezës. Megjithatë, ndryshe nga selia rozë, PD-ja do të çojë në takim përveç dy përfaqësuesve zyrtarë edhe sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhin.

“Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi”, thuhet në reagimin e PD-së.

Opozita thekson se marrëveshja e 5 Qershorit duhet miratuar sa më parë pa asnjë ndryshim dhe në këtë mënyrë nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty./tvklan.al




Të ngjashme