Të gabuar e quan opozita vendimin e mazhorancës që refuzoi mbledhjen e Këshillit Politik të mërkurën. Megjithatë, pavarësisht kësaj Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë konfirmuar pjesëmarrjen nesër dhe kanë sugjeruar që palët të takohen në orën 12:00.

“Megjithatë duke e konsideruar këtë si një veprim të gabuar tuajin, por që nuk do përsëritet më, konfirmojmë pjesëmarrjen tonë dhe propozojmë që mbledhja të zhvillohet në orën 12.00”, thuhet në letrën e opozitës dërguar Gjiknurit.

Sipas opozitës, “kjo logjikë e funksionimit të njëanshëm është krejt e kundërt me mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të Këshillit Politik”.

Partia Demokratike kërkoi një mbledhje ditën e mërkurë të Këshillit Politik për të prezantuar kërkesën e saj për marrjen e ekspertizës nga ana e OSBE/ODIHR për ndryshimet kushtetuese. Por Gjiknuri refuzoi të ulej në tavolinë dy ditë më parë.

Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshill u shpreh se nuk do ketë asnjë produkt të punës së përbashkët që nuk do t’i nënshtrohet ekspertizës së OSBE/ODIHR-it. Por, përpara se kjo të ndodhë, ai thotë se palët duhet të sjellin propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor. /tvklan.al