Apelojnë për transparencë për procesin e negociatave në Bruksel

Të painformuar se çfarë po dialogohet në Bruksel thonë të jenë deputetët e partive opozitare. Ata kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është transparent fare për çështjen e dialogut.

Duke folur për temën e fundit për të cilën po dialogohet në Bruksel, atë për zgjidhjen e çështjes së inkasimit të energjisë elektrike në veri ata thonë se krejt çka kanë informacione janë ato që kanë mësuar nga mediat.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari Lila thotë se për këtë çështje nuk është e nevojshme të raportohet në Kuvend pasi që në Bruksel po bisedohet për zbatimin e një pike të marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar më 2015.

Pas raportimeve të shumta në media për atë se çfarë po diskutohet në Bruksel pati reaguar kryenegociatori Besnik Bislimi i cili ka thënë se çdo pajtueshmëri eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe një presje përtej asaj që tashmë është arritur  në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015.

Tv Klan