Opozita kthehet te Reforma Zgjedhore

Opozita kthehet te Reforma Zgjedhore

12:23 23/05/2020

“Por konsensusi është ende larg”

Një ditë pasi Lulzim Basha konfirmoi rikthimin e opozitës në tryezën e Këshillit Politik, dy përfaqësuesit e saj, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili shprehin gadishmërinë për përmbylljen sa më shpejt të reformës zgjedhore.

 Përmes një letre drejtuar dy bashkëkryetarëve të komisionit të posaçëm të Reformës Elektorale përfaqësuesit e opozitës propozojnë të hënën si datë për mbledhjen e grupit.

Ata kanë vënë në dijeni edhe partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në proces, BE, SHBA, OSBE dhe KiE.

Sipas tyre reforma aktuale ka filluar me kërkesë të opozitës në vitin 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qene e pamundur përmbyllja e saj.

Duke vënë në dukje përgjegjësinë edhe përpjekjet sipas tyre të qeverisë për të dështuar procesin, përfaqësuesit e opozitës theksojnë në letër vullnetin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme.

Por në letër thuhet se pavarësisht takimeve mes palëve, konsensusi është ende larg, pasi ende nuk ka një kompromis për çështjet themelore, për të cilat opozita e bashkuar ka paraqitur propozime konkrete.

Menjëherë pas kësaj letre ka ardhur edhe përgjigja e dy bashkëkryetarëve të komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri e Rudina Hajdari, të cilët më herët i kishin ftuar përfaqësuesit e opozitës në mbledhjen e së martës në orën 11:00.

Ata i janë përgjigjur pozitivisht, por duke qënë se e hëna është ditë pushimi për shkak të festës së Bajramit, rezervimi i sallës për takimin e grupit është bërë nga OSBE-ja për ditën e martë.

Takim e presin çështje të nxehta mes të cilave depolitizimi i administratës elektorale dhe çështja e kolegjit zgjedhor.

Tv Klan

Të ngjashme

Grupi

Kallezo