PD jep “OK” për daljen me grupim brenda koalicionit

Pavarësisht ftesave të përsëritura të Kryeministrit Rama për një marrëveshje me Lulzim Bashën, demokratët dhe aleatët e opozitës janë kundër një pakti të dytë si ai i 17 Majit të 2017. I vetmi instrument që çon në zgjidhjen e krizës politike, thonë se kalon nga udhërrëfyesi i Parlamentit gjerman dhe zgjedhjeve të parakohshme.

Edi Paloka: S’ka më marrëveshje Rama-Basha, e ka bërë të qartë Basha. Është vetëm një, kushtet e Bundestagut. Të zbatojë ato, të shpallë zgjedhjet e parakohshme kjo është e vetmja marrëveshje një qeveri kujdestare që të merret me përgatitjen e zgjedhjeve”.

Fatmir Mediu: Ne kemi parashikuar një kërkesë për marrëveshje për qeveri kujdestare. Jam kundër idesë se dy individë zgjidhin problemin. Shembulli i Maqedonisë duhet analizuar drejt nga palët. Nëse Rama flet për marrëveshje, duhet parë se cilat janë ato që garantojnë liritë e qytetarëve.

Agron Duka: Kundër një marrëveshjeje Rama-Basha, se kemi një eksperiencë të hidhur në 2017.

Nard Ndoka: Rama nuk u bë kurrë burrë shteti.

Artikulimi i zgjedhjeve të parakohshme ka hedhur për diskutim në tryezën e Lulzim Bashës dhe ekspertëve të tij një propozim të kryerepublikanit Fatmir Mediu, i cili kërkon krijimin e një grupimi më të vogël brenda koalicioneve zgjedhore.

Grupimi i qendrës së djathtë thotë se perms këtij propozimi synohet maksimalizim i votave brenda koalicionit, një formulë e ngjashme e aplikuar në 2005 nga ish-Kryeministri Berisha.

Fatmir Mediu: S’ka të bëjë se kush është tek lista e PD e kush jo. Nuk është çështje besnikërie apo për të dhënë diçka, por në 2013 mori 3 deputetë edhe pse duhet të merrte 5.  Dy mandatet e tjera kush i mori? I mori PS, jo PD. Është një marrëdhënie që ndërtohet mes koalicionit.

Agron Duka: Ky është një propozim pozitiv se maksimalizon votën.

Nard Ndoka: Është formulë që na jep votat që kemi.

Ky propozim duket se ka bindur edhe kryedemokratin, i cili ka ngarkuar ekspertët e opozitës për ta parë me sy pozitiv tryezën e reformës.

Edi Paloka: Brenda koalicioneve dhe opozitës ne do të marrim të gjitha masat që asnjë votë e asnjë partie dhe aleatëve mos shkojë dëm dhe do zgjedhim t’i maksimalizojmë votat. Kjo do bëhet dhe do merremi vesh brenda tryezës për çdo formulë për të arritur këtë qëllim.

Që kjo ide të realizohet, ajo duhet të miratohet në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Tv Klan