Deputetët e opozitës: Qeveria po tenton t’i mbyllë gojën opozitës, do jemi të pranishëm fizikisht në mbledhje

Është shoqëruar me debate rikthimi i opozitës në komisione, e cila kundërshton mbledhjet online, ndërsa pretendon se mazhoranca po i mbyll gojën opozitës.

Mbledhjet e para të komisioneve parlamentare për konstituimin e tyre në legjislaturën e re kanë dështuar, pasi deputetët e opozitës refuzuan të hynin në platformën online të transmetimit në Facebook, por shkuan fizikisht në sallat e mbledhjeve në kryesinë e Kuvendit.

Debatet nisën fillimisht në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e opozitës të pranishëm në sallën e mbledhjes e akuzuan Kryetaren e Komsionit të Ligjeve, Klotilda Bushka se po u ndalte drejtën e fjalës.

Pas kësaj situate zv.kryetari demokrat  i komisionit të ligjeve Oerd Bylykbashi, tha se opozita do të vijojë të jetë fizikisht prezente në mbledhjet e komisioneve pavarësisht vendimit të mazhorancës socialiste.

“Ne do të vazhdojmë që të respektojmë Kushtetutën dhe mandatin që na ka dhënë populli për t’i përfaqësuar ata siç kërkon Kushtetuta dhe rregullorja. Do të garantojmë transparencën mbi çdo shkelje që sjell Edi Rama për t’i vënë vulën nga ky parlament”.

Edhe në komisioniin e sigurisë deputetët e opozitës u paraqitën fizikisht , por nuk iu dha e  drejta e fjalës pasi nuk ishin futur në platformën online.  Deputeti i PD, Flamur Noka tha para kryesisë së Kuvendit se Kryeministri Rama po tenton të kontrollojë të gjitha pushtetet në Shqipëri.

“Edi Rama e urren parlamentarizmin, Edi Rama i urren vlerat që përcjell parlamentarizmi, ndaj ai po bën gjithçka për ta përdhosur, për t’i mbyllur zërin edhe opozitës, edhe parlamentarizmit”.

Mbledhja e parë e Komisionit për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë, që kryesohet nga deputetja e PD, Albana Vokshi, nuk u transmetua në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë në Facebook. Ndryshe nga komisionet e drejtuara nga socialistët, Vokshi tha se mbledhjet që do të mbahen në komisionin e shëndetësisë duhet të jenë me prani fizike të deputetëve.

“Prania fizike në komisione në gjykimin tonë dhe në qëndrimin e Partisë Demokratike është e domosdoshme”.

Deputetët e opozitës të pranishem në sallat e kryesisë së Kuvendit nuk janë shfaqur për asnjë moment me figurë në mbledhjet online, pasi regjia e parlamentit ka fokusuar vetëm kryetarët e komisioneve. Vendimi për mbledhje vetëm online të komisioneve parlamentare është marrë nga konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare me votën e shumicës parlamentare socialiste.

Klan News