“Mos shpërndani mandate, prisni Gjykatën Kushtetuese”

Teksa  Kolegji Zgjedhor nisi shqyrtimin e kërkesave të Partisë Socialiste për shpërndarjen e mandateve për Këshillat Bashkiakë, opozita i është drejtuar me një letër kësaj gjykate ku i kërkon pezullimin e procesit. Sipas numrit dy të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiake, pasi më parë duhet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për kushtetutshmërinë e 30 Qershorit dhe dekreteve të Presidentit, të bërë pak ditë më parë nga Shoqata e Bashkive.

“Sipas shkronjës “a” të nenit 297 të Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër. Në rastin konkret, Kolegji Zgjedhor nuk mund të vendosë pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit.”

Në letrën që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike thuhet se vendimet e deritanishme të Kolegjit Zgjedhor janë të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht. Vetëm Gjykata Kushtetuese sipas opozitës mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dekretin e zgjedhjeve.

“Sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 Tetorit mandatet e Këshilltarëve Bashkiakë nuk mund të shpërndahen. Janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti.”

Opozita i bën thirrje Kolegjit Zgjedhor se ky është një rasti që  të mos lejojë zëvendësimin e pluralizmit me partinë shtet dhe demokracisë me diktaturën, por t’i shërbejë interesit publik.

Tv Klan