Opozita maqedonase ka zbutur qëndrimin e ashpër kundër marrëveshjes për emrin me Greqinë. Kreu i VMRO-DPMNE-së Kristjan Miçkovski bëri publik qëndrimin zyrtar të partisë që drejton dhe garantoi se nuk do t’u kërkojë qytetarëve të bojkotojnë referendumin.

“Pas konsultimit me qytetarët, antarësinë e partisë dhe ndërkombëtarët për çështjen e bojkotit të referendumit, këtë marrëveshje e konsiderojmë të dëmshme sërish për Maqedoninë. Prandaj do t’ua lemë në dorë qytetarëve të vendosin vetë nëse do të marrin apo jo pjesë në referendum”.

VMRO-DPMNE kundërshtoi ashpër marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës nënshkruar më 17 Qershor në Prespë. Një ditë pas nënshkrimit, mbështetësit e opozitës protestuan dhunshëm para Parlamentit në Shkup.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se shumica e maqedonasve do të mbështesë në referendumin e 30 Shtatorit, marrëveshjen që mundëson vazhdimin e rrugëtimit të vendit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis dhe ndihmës sekretari i shtetit Ëess Mitchell thanë se do të vizitojnë Shkupin para referendumit për të shprehur mbështetje për marrëveshjen.

Tv Klan