Abdixhiku: Të shkarkohet bordi i ZRRE, qeveria të mbajë përgjegjësi

Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të pranuar verdiktin e Gjykatës së Apelit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për rritjen e tarifave të energjisë, opozita në Kosovë kërkon dëmshpërblim të qytetarëve.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se nga Shkurti e deri më sot qeveria u ka llogaritur në mënyrë të padrejtë energjinë me çmimet e rritura.

Lumir Abdixhiku: Nga sot, faturat tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga Shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%. Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë”

Jo vetëm kaq, pasi opozita kërkon tashmë edhe shkarkimin e Bordit të  Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si përgjegjës për tarifimin joligjor të qytetarëve.

Lumir Abdixhiku: Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë.

Gjykata e Apelit në Kosovë konfirmoi vendimin e shkallës së parë për pezullimin e tarifave të reja, çka detyroi ZRRE-në që një ditë më parë të vendosë përfundimisht shtyrjen e ekzekutimit të çmimeve të reja të energjisë.

Tv Klan