Opozita inkurajoi pasditen e kësaj të mërkure banorët e unazës së madhe që të qëndrojnë të bashkuar në protestën për banesat e tyre. Kryetari i Partisë Demokratike garantoi mbështetjen e vazhdueshme për kauzën e tyre si dhe të studentëve që kanë protestuar sot për tarifat e larta të universiteteve.

Sipas Bashës, në atë që ai e quan aferë e Unazës së Re po tentohet të kryhet një vjedhje që prokuroria nuk po e heton.

Gjatë ditës Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë së Tiranes vijoi me prishjen e 3 objekteve të tjera të ndërtuara pa leje në gjurmën e Unazës.

Pronarët e këtyre 3 ndërtimeve që funksiononin si biznese kanë bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës duke larguar vetë pajisjet elektroshtëpiake.

Bashkia e Tiranës tha se për të gjithë ata individë apo familje që zotërojnë ndërtime pa leje në gjurmën e Unazës ka si mundësi zgjidhjeje, banesat sociale pa afat përdorimi ose bonus qiraje për 3 vite.

Tv Klan