Pavarësisht ndalimit nga policia për vendin e tubimit, mbështetësit e opozitës u mblodhën përpara Ministrisë së Drejtësisë, ku protestuan paqësisht për atë që e cilësojnë si grabitje të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Protestës iu bashkua edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili u kthye nga Brukseli pas takimit me partitë e djathta të Forumit të IDU-së.

“Pra, zgjedhjet në Shqipëri ishin farsa elektorale më e shëmtuar pas rënies së Perdës së Hekurt në Ballkan dhe Europë. Ndaj dhe ju përshëndes dhe ju garantoj se Edi Rama kurrë nuk do mund të qëndrojë në atë karrige me zgjedhje të vjedhura, me zgjedhje të krimit dhe korrupsionit, por do të marrë përgjigjen që meriton, si çdo diktator, çdo narko-diktator.”

Berisha pati një koment edhe në lidhje me samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku akuzoi Ramën se priti liderët botërorë si një hajdut i zgjedhjeve.

“Edi Rama dëshmoi se është një kriminel, një monstër ndaj vullnetit të lirë të shqiptarëve. Kjo betejë do të fitohet nga luftëtarët e lirisë. Rama nuk ka të ardhme, do të përfundojë aty ku kanë përfunduar armiqtë e votës së lirë. Rama i priti liderët e BE-së si hajdut, si Toto Rina, i aftë për të shkelmuar çdo parim për të qëndruar në pushtet, vetëm sepse e di që vendin e ka në burg – dhe e di se atje do të shkojë.”

Denoncimet për manipulimin e zgjedhjeve nga ana e Kryeministrit Rama, Berisha i vijoi edhe gjatë paradites, në Samitin e Unionit Demokratik Ndërkombëtar.

“Në zyrën e tij ka një person që koordinon aktivitetin e organizatave kriminale shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në këto zgjedhje, këta individë kishin për detyrë të sillnin në Parlament 28 deputetë përmes pagesave dhe terrorit. Në fakt, sot njerëzit më të votuar janë kandidatë anonimë të këtyre bandave dhe organizatave kriminale.”

Opozita po mbledh prova për të faktuar përpara kancelarive evropiane, Senatit dhe Kongresit Amerikan “masakrën elektorale” të 11 Majit, me qëllim mosnjohjen e zgjedhjeve parlamentare nga ndërkombëtarët.

Tv Klan