Qeveria e re synon të shfuqizojë shtetëzimin e pronave

Ligji për pronat e kishës serbe riktheu protestat në Podgoricë, këtë herë nga opozita e kryesuar nga Demokratët Socialistë që e miratuan variantin që shtetëzonte pronat e kishës në vitin 2019.

Protestuesit u mblodhën para parlamentit për të kundërshtuar ndryshimet që parashikon qeveria e re e Zdravko Krivokapiç, që parashikojnë heqjen e klauzolës që kërkon shtetëzimin e pronave të kësaj kishe.

Manifestimit iu bashkuan edhe mbështetës të grupeve shqiptare. Protestuesit e kryesuar nga ish-kryeministri Dushko Markoviç e etiketuan qeverinë e re si Çetnike, ndërsa në parullat e tyre përsëritej fraza, Mali i Zi nuk është Serbi. Objekt kritikash ishte edhe zv/kryeministri shqiptar Dritan Abazoviç që mbështet qeverinë e kryesuar nga parti pro-serbe.

Ligji që synon të shfuqizojë qeveria aktuale parashikon rikthimin në pronësi të shtetit të pronave që Kisha Serbe i mori në zotërim në vitin 1918. Por kisha serbe këtë e konsideron si shkelje të së drejtës së saj për pronën.

Tv Klan