Me një transparent me mbishkrimin “Bllokim aktiv për shpëtim nga katastrofa nacionale” filloi seanca e 71-të e Kuvendit, së bashku me të edhe bllokimi aktiv i Kuvendit nga ana e VMRO-DPMNE-së opozitare.

Nuk munguan as pankartat me mbishkrime të ndryshme që deputetët e opozitës i përdornin gjatë fjalimeve në seancë… Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, në fjalimin e tij procedural, akuzoi për fillim të seancës me vonesë prej 1 orë e 40 minuta, duke nënvizuar se ky pushtet nuk ka nevojë për bllokim aktiv nga ana e opozitës, pasi siç tha, ata e bllokojnë vetë punën e tyre. Ai nënvizoi se shpëtimi i vetëm janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Juve nuk ju nevojitet bllokim aktiv, ju vetë bllokoheni. Dy orë ju duhet që të mblidhni kuorumin, ndërsa thoni se keni 64 deputetë. Ju jeni bllokimi i shtetit dhe e bllokoni punën e parlamentit. Bllokimi aktiv është për shpëtim nga katastrofa nacionale, prandaj bëjmë thirrje për zgjedhje. Para se të vazhdoni të na thirrni që të marrim pjesë, fillimisht ejani ju, ndërsa ne do të jemi prezentë në mënyrë aktive.”

Ndërsa kryeparlamentari Talat Xhaferi duke u thirrur në raportin e Parlamentit Evropian theksoi se Maqedonia e Verout ka shënuar përmirësim të dukshëm të transparencës së dialogut politik dhe konkurrencës.

”Sa i përket transparentit do t’ju rikujtoj raportin e fundit nga Parlamenti Evropian, më sakt komisioni për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, të cilin e morrëm para disa ditësh, dhe ndërkohë do t’ju shpërndahet, ndërsa unë do t’ju lexoj vetëm pjesë të shkëputura nga pika, puna e institucioneve, ku Parlamenti Evropian e përshëndet faktin që RMV vazhdon të tregojë rezultatet më të mira në tranzicionin demokratik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me përmirësim të dukshëm të transparencës, dialogut politik dhe konkurrencës, nuk janë fjalët e mia, por është raport i PE-së.”

Ndërsa koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski e cilësoi këtë si një cirk që po e bën opozita, duke nënvizuar se ekziston një mënyrë më e thjeshtë për gjithçka që opozita po mundohet të bëjë, por rikujtoi se për atë mënyrë nevojiten 61 vota, të cilat thotë se opozita nuk i ka.

“E di se ju si një prej partive më të pasura në botë dhe më e pasura në Evropë keni të holla për transparente, por këtë që e bëni dhe e shkaktoni, mund ta bënit me një letër të thjeshtë ku do të nënshkruheshin 20 deputetë, por normalisht duhej të kishte 61 vota, por meqë nuk keni 61 vota, tani mund të dilni 30 persona me transparentin. Kjo është një pjesë e cirkut që po bën opozita. Mirë që dolët dhe bëtë fotografi që sa më shumë ta shohin se ju jeni partia e vetme në botë që në kriza të rënda bën bllokime”.

Bllokimi i Kuvendit nga ana e opozitës vjen pas refuzimit të ofertës për takim liderësh që kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i bëri kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Ky i fundit e refuzoi këtë ofertë me arsyetimin se nuk pranon takim me vetëm një pikë të rendit të ditës, ku do të caktohej datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nuk do të ulej në një tryezë nën kërcënime dhe shantazhe.

Klan Macedonia