Opozita parlamentare: Presim Këshillin Politik për të vijuar

I mbledhur për të diskutuar amendimet në Kodin Zgjedhor të draftuara në një dokument të vetëm ku janë të integruara dhe propozimet e opozitës parlamentare, Komisioni i Ligjeve nuk ka arritur të nisë shqyrtimin nen për nen.

Presioni i opozitës parlamentare ia ka dalë që ta shtyjë mbledhjen për të premten pasi më parë të jetë zhvilluar mbledhja e Këshillit Politik ku do të diskutohet propozimi i ardhur nga demokratët dhe aleatët e tyre.

Myslym Murrizi dhe Rudina Hajdari kanë këmbëngulur që ky dokument të mos injorohet sa kohë që në të është dhe propozimi që ata kërkojnë me forcë, lista të hapura 100 përqind.

Socialistët këmbëngulën disa herë që puna e Parlamentit nuk mund të kushtëzohet nga një strukturë politike, por në fund ranë dakord të shtynin mbledhjen për ditën e premte.

Gjithsesi, Gjiknuri i bëri të qartë opozitës parlamentare se kërkesë për të mbajtur koalicionet parazgjedhore në formatin aktual nuk ka asnjë shans të pranohet.

Arritjen e konsensusit të gjerë për amendimet në Kodin Zgjedhor po e kërkojnë me forcë të gjithë faktorët ndërkombëtar si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Tv Klan