Opozita parlamentare e përçarë për reformën

Opozita parlamentare e përçarë për reformën

15:46 11/09/2019

Hajdari: Nuk ka kushte. Gjoni: Kusht është sistemi

Pjesëmarrja në Komisionin e Reformës Zgjedhore, si dhe vota për amendimet në Ligjin Elektoral, u vendosën si kusht i panegociueshëm nga të 3 grupet parlamentare të opozitës së re. Por në nisje të sesionit të ri politik dhe kur ka ngelur afro 2 muaj nga përfundimi i mandatit të Komisionit të Posaçëm, duket se përfaqësuesit e opozitës parlamentare nuk janë kompakt në qëndrimin e tyre.

Bashkëkryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, në një intervistë për Televizionin Klan flet për rëndësinë që ka ndryshimi i sistemit aktual elektoral, por ajo thotë se nuk do të vendosin veton në parlament.

I prerë dhe i palëkundër në qëndrimin për të kushtëzuar votën për miratimin e reformës, me ndryshimin e sistemit elektoral, është Ralf Gjoni. Gjoni është besimplotë se për arritjen e objektivit të tyre do të ndihmojë dhe presioni ndërkombëtar.

Znj. Hajdari tërheq vëmendjen e shumicës, se bashkëpunimi me opozitën është i rëndësishëm për këtë reformë.

Shumica, edhe pse pranoi ta vendosë në objektin e punës së Komisionit diskutimin e ndryshimit të sistemit, duket se nuk e ka në axhendën e saj ndryshimin e sistemit.

Kreu i grupit kuvendor socialist, Taulant Balla, e ka thënë qartë edhe në një intervistë për Televizionin Klan se sistemi aktual është shumë i mirë dhe se adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it është prioritet i tyre.  

Tv Klan

Të ngjashme