Mazhoranca: Është model europian

Opozita parlamentare kundërshton draftin e shumicës për ndryshimet në Kodin Elektoral, teksa mazhoranca shprehet e gatshme t’i shqyrtojë edhe propozimet e saj.

Rudina Hajdari: Ky mashtrim i Edi Ramës do të renditet nga mashtrimet më të mëdha që është bërë në 30 vite.

Myslim Murrizi: Pa mbushur 2 muaj kërkoni që ndryshimet kushtetuese t’i hidhni në erë.

Gramo Ruçi: Amendamentet që ka paraqitur mazhoranca, të bashkohen, të shqyrtohen së bashku me dy nismat e tjera që kanë deputetë të opozitës për këtë çështje.

Por gatishmëria e kryeparlamentarit nuk i bind opozitarët të cilët kanë depozituar draftin e tyre të amendimeve të firmosur nga 8 deputetë të kryesuar nga Myslym Murrizi dhe ku pjesë bëjnë dhe Rudina Hajdari e Ralf Gjoni.

Në propozimin e opozitës kërkohet që pragu elektoral të jetë kombëtar dhe 1 përqind; listat të jenë të hapura dhe shpërndarja e mandateve të nisë në rend zbritës në bazë të votave. Në rast barazimi, renditja caktohet me short.

Socialistët thonë se modeli i tyre është europian dhe shprehen të gatshëm për diskutime.

“Bujrum hajde të ulemi të flasim për çështjen e pragut. Kemi marrë modelet më të mira të Europës”.

Që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratohen, duhen 84 vota dhe mazhorancës i nevojiten edhe votat e opozitës parlamentare për t’i kaluar ato.

Seanca e kësaj të enjteje regjistroi dhe një incident mes kryeparlamentarit dhe deputetit Adriatik Alimadhi, i cili u përjashtua nga seanca, pas akuzave në adresë të kryeparlamentarit Ruçi për të shkuarën e tij komuniste.

Tv Klan