Deputetët braktisin sallën pas përplasjes me Ruçin

Opozita parlamentare ka braktisur parlamentin, duke kërcënuar se nuk do japë asnjë votë për amendimet në Reformën Zgjedhore pasi mendon se mes 2 partive të mëdha ka një pazar për të mos i hapur listat elektorale, siç ata kërkojnë.

Skepticizmin e opozitarëve parlamentarë e nxiti fakti se dokumenti i miratuar nga Këshilli Politik nuk do të shqyrtohet nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, të cilit i mbaroi mandati më 30 Qershor.

Ndërkohë demokratët jashtë i kanë kërkuar Kuvendit të miratojë sa më parë amendimet.

I gjendur përballë 2 opozitave, me atë jashtë parlamentit që ka një marrëveshje politike dhe me atë brenda, votat e së cilës i duhen për të kaluar Reformën, Kryeministri u kërkoi të ndalin presionin.

Opozitarët përballë i siguron se nuk do t’i miratojë amendimet me vota të trafikuara, siç ata e akuzojnë, por ju kërkon të bëjnë lëshime. Opozitarëve në selinë blu i kujton se është maxhoranca që drejton.

Sa i takon listave të hapura pranon se dhe sondazhet e tij flasin për mbështetje të madhe në publik, por në praktikë thotë se janë të vështira të implementohen.

Gjithsesi Rama përsërit premtimin se është i gatshëm t’i shterojnë të gjitha mundësitë e dialogut, për nismën për ndryshimet kushtetuese, që është duke u shqyrtuar nga Këshilli i Legjislacionit, por që do të votohet më vete nga amendimet e Kodit Elektoral.

Tv Klan