Opozita do të protestojë në 11 Maj në orën 18:30, në të katërtin tubim kombëtar përpara godinës së qeverisë për largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve, që Lulzim Basha pati në selinë blu, ku njëherazi u vendos përshkallëzim i aksionit opozitar, duke nisur me protesta në akset kryesore kombëtare nga kjo e enjte.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se Basha ka ripërsëritur qëndrimin që zgjedhjet pa opozitën janë farsë dhe se ajo nuk do lejojë diktimin dhe mbajtjen e tyre nga krimi.

Sipas Bashës, procesi elektoral do të zhvillohet vetëm pasi më parë të jenë ndëshkuar hajdutët e zgjedhjeve të 2017.

Vetëm largimi i Kryeministrit Rama, për kreun e opozitës mund t’i hapë rrugë zgjidhjes politike për vendosjen e dialogut me qeverinë e re tranzitore lidhur me masat që duhen marrë për krijimin e kushteve për zhvillimin e tyre.

Ky qëndrim i Bashës vjen pas vendimit që Këshilli Kombëtar mori pak ditë më parë, ku vendosi mosregjistrimin e Partisë Demokratike në KQZ pa u plotësuar kushtet për mbajtjen e një procesi të lirë e të ndershëm dhe në rast të kundër, selia blu paralajmëroi pamundësimin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit.

Tv Klan