Opozita e Bashakuar ka përshëndetur vendimin e Presidentit Meta për të kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Opozita e vlerëson këtë vendim si një hap dhe mundësi për rikthimin e paqes publike dhe klimës zgjedhore në end.

Përmes një deklarate për mediat, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë shërbimi më i mirë që qeveria ka detyrim t’ia ofrojë shoqërisë shqiptare.

Deklarata e Bardhit:

Opozita e Bashkuar përshëndet aktin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë për Kodin Zgjedhor dhe kërkimin e marrjes së Opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias.

E vlerësojmë si hap dhe mundësi e rëndësishme, në drejtim të rikthimit të paqes publike dhe klimës zgjedhore në vend. Miratimi i Kodit Zgjedhor, si produkt i marrëveshjes së 14 janarit dhe konkluduar me marrëveshjen e 5 qershorit, ishte një arritje madhore e klasës politike në vend, mbështetur fuqimisht nga faktori ndërkombëtar.

Në vetvete ajo marrëveshje dhe miratimi i Kodit Zgjedhor në 30 korrik, shtroi baza të mira për krijimin e kushteve të pranueshme ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Paqja publike dhe pranueshmëria e klimës parazgjedhore janë premisë themelore për një proces zgjedhor të gjithë pranuar.

Ndërhyrja e njëanshme dhe brutale në Kushtetutë, e pasuar nga deformime të rënda ligjore që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, bien ndesh hapur me marrëveshjen e 5 qershorit dhe tekstin e sapo miratuar të Kodit Zgjedhor.

Një akt i tillë, i ndërmarrë nga ana e mazhorancës së kapluar nga paniku i humbjes zgjedhore, përveçse minon klimën parazgjedhore, synon qartazi deformimin e rezultatit zgjedhor në tavolinë.

Ky akt, i realizuar jashtë Tryezës së Këshillit Politik, mbetet një shkelje e flagrante e marrëveshjes së 5 qershorit. Akte te tilla, të marra në verbëri politike, komprometojnë rëndë interesin publik dhe, mbi të gjitha, rrugën integruese të Shqipërisë.

Hapësira që Presidenti i Republikës ka dhënë, nëpërmjet rikthimit për shqyrtim në Kuvend, e shoqëruar me kërkesën për marrjen e opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias, është jo vetëm një akt i pjekur në vazhdën e traditës politike dhe parlamentare 30 vjeçare, por edhe një mundësi e mirë për të rikthyer gjithë përfshirjen dhe konsensusin politik, si dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike për eliminimin e deformimeve të rënda kushtetuese që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor.

Zgjedhjet e lira, të ndershme e të qeta, janë shërbimi më i mirë që qeveria e ka për detyrim t’ia ofrojë shoqërisë shqiptare edhe si zgjidhje për situatën e rëndë politike, ekonomike dhe sociale që vendi po kalon.

Dhe, mbi të gjitha, si rruga e vetme drejt së ardhmes europiane të vendit./tvklan.al