PD përfshin qeverinë tranzitore. PS: S’e vendos Komisioni i Reformës

Në prani edhe të ekspertëve të ODIHR-it, opozita paraqiti në tryezën e reformës elektorale tre paketa kundër krimit zgjedhor dhe ndarjes së politikës nga krimi.

Në thelb të qëndrimit të opozitës është qeveria tranzitore ndaj dhe në funksion të këtij kushti ajo propozon edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga detyra, 100 ditë para zgjedhjeve.

“Për të siguruar besimin e subjekteve zgjedhore në funksionimin e paanshëm të Policisë së Shtetit, përjashtimisht nga rregullat e parashikuara në nenin 13 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, 100 ditë  përpara datës së zgjedhjeve, Ministri i Brendshëm në Qeverinë Kujdestare të zgjedhjeve, i caktuar sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.

Oerd Bylykbashi tha pas takimit se me këtë paketë propozimesh synohet t’i jepet fund krimit elektoral.

 “Është roli i Policisë së Shtetit në një kuadër masash që garantojnë fushën e barabartë të lojës. Futja e një numri instrumentesh që kanë të bëjnë me të drejtën dhe mbrojtjen e subjekteve që do të denoncojnë krimet zgjedhore, rol të shtuar për Policinë Gjyqësore dhe elementë të tjerë që garantojnë sekretin dhe lirinë e zgjedhësve në procesin e votimit”.

Por socialistët janë të prerë në këtë pikë, se çështja e qeverisë tranzitore nuk mund të vendoset nga ky komision.

 “Nuk është në mandatin e këtij grupi pune dhe këtij komisioni. Ato gjëra që nuk janë arritur me “luftë” në rrugë nuk mund t’i marrësh në tavolinën e negociatave. Nuk ka sens të diskutohet kjo gjë në këtë tavolinë. Është një çështje e natyrës politike për të cilën Partia Demokratike ka qasjen e saj por mazhoranca e ka bërë të qartë. Qeveria është kushtetuese, qeveritë teknike nuk janë të dobishme për popullin. Qeveritë janë për të qeverisur vendin dhe ligji zgjedhor është për të garantuar një proces të rregullt e të barabartë mes palëve.”

Një tjetër propozim i opozitës është edhe hetimi I korrupsionit zgjedhor nga Struktura e Posaçme Anti-korrupsion.

 “Në të shkuarën është lënë jashtë duke dëmtuar një qëllim që ka jo vetëm Kushtetuta por edhe reforma zgjedhore e mëhershme, që krimi i korrupsionit zgjedhor duhet të goditet nga strukturat më të specializuara që kemi ne sot nga reforma në drejtësi”.

Gjiknuri thotë se për këtë çështje duhet kompromis dhe se maxhoranca do ta ketë një përgjigje pasi të konsultohet me ekspertët e saj.

“Korrupsioni zgjedhor është një vepër penale e parashikuar dhe aktualisht në legjislacionin penal që është ndryshuar në vitin 2017. Është një propozim që duhet ta shikojmë, të konsultohemi me ekspertët dhe me prokurorinë apo institucionet përkatëse. Është një gjë që duhet zgjidhur gjithmonë në frymën e kompromisit. Nuk kam një propozim paraprak sepse vetëm sot u njohëm me dokumentin dhe do marrim kohën e nevojshme për të punuar.

Në funksion të garantimit të sekretit dhe lirinë e zgjedhësve në procesin e votimit opozita në propozimet e saj kërkon rikthimin e policisë në qendrat e votimit me qëllim mos lejimin e elementëve kriminalë pranë tyre”.

Gjithashtu kërkohet edhe ngritja nga ana e Prokurorisë së një task-force për krimet zgjedhore si dhe kërkohet që të shihet mundësia që shkeljet elektorale të konsiderohen si shkak për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

Tv Klan